E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet kërkesa e KLD për procedim disiplinor të gjyqtares Bejleri

Zbardhet kërkesa që Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) i ka dërguar Ministrisë së  Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtares të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Manjola Bejleri, e cila është edhe Kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë. Në relacionin e KLD  thuhet se "nga verifikimi i veprimtarisë gjyqësore të gjyqtares Manjola Bejleri të Gjykatës së Tiranës është konstatuar se asaj  i ka rënë në short për gjykim çështja civile me numër 2563 e vitit 2007, që i përket palëve paditëse Shoqëria Top-Channel, sh.a etj,  të paditur Ministria e Ekonomisë, Tregtise dhe Energjetikës, me objekt detyrimin e palës së paditur të zbatojë kontratat respektive të qirasë, etj".  Por, sipas relacionit të mësipërm, nga data 7 qershor 2007 kur është hedhur shorti e deri më  2 nëntor 2007, kjo çështje nuk është vënë në levizje për t'u gjykuar, duke përbërë shkak për procedimin disiplinor të kësaj gjyqtareje. "Bazuar në Ligjin për "Organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë" ju dërgojmë relacionin dhe dokumentacionin përkatës, për t'u vlerësuar për procedim disiplinor të gjyqtares Manjola Bejleri të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë", përfundon relacioni i KLD. Shkresa zyrtare mban firmën e zëvendëskryetarit të  Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, dhe i është dërguar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, më 16 Janar të vitit  2008. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›