Çmimet e karburaneteve të pandryshuara që prej pesë javësh

Çmimet mesatare të karburanteve në Tiranë vazhdojnë të jenë të pandryshuara që prej pesë javësh, pas rritjes që pësuan më 19 mars me 10 lekë për litër. Çmimet mesatare në tregun e karburanteve aktualisht janë: 1 litër naftë me 110 lekë, 1 litër benzinë me 108 lekë dhe 1 litër Euro Diezel me 115 lekë. Ulja e fundit e çmimeve të karburanteve me 5 lekë për litër këtë vit është bërë me 12 janar, ashtu si dhe në fundin e vitit të kaluar po me 5 lekë për litër, ndërkohë që kjo ulje u pasua nga rritja e fundit me 10 lekë për litër. Sipas vëzhgimeve të kryera në pika të ndryshme të tregtimit të karburanteve në kryeqytet, niveli aktual i çmimeve të karburanteve është i lidhur me konjukturat në tregun ndërkombëtar, që vazhdojnë të kenë influencën e tyre edhe në tregun shqiptar të karburanteve. Sipas punonjësve të distributoreve, çmimi i një fuçie nafte në tregun ndërkombëtar reflektohet edhe në tregun vendas. Gjatë muajve të fundit ka patur një tendencë rritjeje të çmimit të një fuçie nafte në tregun ndërkombëtar. Në fund të muajit shkurt çmimi i një fuçie nafte ishte 44,5 dollarë, pas dy javësh shkoi në 47 dollarë, sot (24 prill) në 49 dollarë, ndërsa në fillim të vitit një fuçi nafte shitej me 46 dollarë.
...