Zbardhet kontrata e Berishës me Tom Rixh
Zbulohet kontrata e firmosur mes Kryeministrit Berisha dhe ish-sekretarit amerikan të Sigurisë Kombëtare. Tri këste prej 160 mijë USD për të lobuar në SHBA dhe për të organizuar seminare në përkrahje të Shqipërisë.
Tani që zgjedhjet amerikane kanë mbaruar dhe Barak Obama është bërë President i SHBA-së, pakkush në Uashington kujtohet për kandidatët potencialë republikanë që mund të ishin ulur në postin e afro-amerikanit me emër të çuditshëm. Më i pari prej tyre, Xhon MekKejn, përgatitet të largohet nga jeta politike aktive, kurse të tjerë pas tij kanë mbetur në hije. Njëri prej tyre, Tom Rixh, ish-sekretar për Sigurinë Kombëtare në kabinetin e Xhorxh Bush, është mjaft i njohur jo vetëm në vendin e tij, por në dy vjetët e fundit edhe në Shqipëri, për shkak të një marrëdhënieje bashkëpunimi me Kryeministrin Sali Berisha, e cila nuk ka kaluar për zhurmë dhe polemika.
Botohet për herë të parë deklarimi i kontratës me qeverinë shqiptare, që Tom Rixh ka depozituar zyrtarisht pranë Departamentit të Drejtësisë, në bazë të Ligjit amerikan për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj. Ky ligj kërkon që çdo marrëdhënie me efekte financiare e një zyrtari amerikan, të deklarohet e plotë dhe me transparencë, si dhe të bëhet publike në çdo rast që do të kërkohet një gjë e tillë. Kontrata e Tom Rixh me qeverinë shqiptare ka pasur, sipas dokumentit që po botojmë, katër qëllime të deklaruara: Së pari, të krijojë dhe implementojë një strategji gjithëpërfshirëse për sigurinë kombëtare. Së dyti, të krijojë një strategji për qeverisje të mirë. Së treti, të organizojë dhe të zhvillojë dy seminare njëditore për të marrë këshilla nga politikëbërës ekspertë amerikanë. Së katërti, t‘i japë qeverisë së Shqipërisë këshilla strategjike kur të shfaqet nevoja.
Kjo kontratë ka pasur një efekt kohor njëvjeçar. Për përmbushjen e objektivave të mësipërme, Rixh dhe kompania e tij janë paguar me 40 mijë USD në muaj. Nga kjo shumë, 10000 USD i ka marrë një tjetër kompani, "Blank Rome Government Relations", për ndihmën e dhënë ndaj kompanisë së Tom Rixh. Nëse i hedh një sy kontratës në fjalë, vëren se, përveç honorarit prej 40 mijë dollarësh në muaj, stafi i Tom Rixh i ka pasur të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në vende të ndryshme, të ndërmarra në kuadër të qëllimit të kontratës, të mbuluara nga qeveria shqiptare.
Interesant është fakti se para kontratës, Berisha ka nënshkruar së bashku me Rixh një dokument të përpiluar nga ky i fundit, i quajtur "Propozim për Objektivin e Punës për Shqipërinë", ku parashtrohen të gjitha propozimet që ish-sekretari i Sigurisë Kombëtare bën për detyrën e tij të re pranë qeverisë shqiptare. Në këtë material zbërthehen katër qëllimet e mësipërme të punës së Rixh, si dhe sqarohen marrëdhëniet e tij kontraktuale me qeverinë, sa i përket pozicionit dhe privatësisë të stafit të Tom Rixh, në raport me informacionet me të cilat do të binte në kontakt.
E vështirë të thuhet sesa kjo kontratë ka qenë efektive dhe e frytshme për Shqipërinë, sa ajo ka ndikuar për mirë në afrimin e vendit tonë me NATO-n dhe BE-në dhe sa lobing pozitiv ka sjellë në favor të interesave tona shtetërore e kombëtare. Në materialet që disponojmë, vetë Rixh propozon që mes tij dhe qeverisë të kryhen konsultime 6-mujore, me qëllim verifikimin e rezultateve konkrete të punës. Nuk dihet sesa kjo është bërë, ashtu siç nuk dihet sesa ka mundur të influencojë lobisti i njohur amerikan konform katër objektivave të kontratës së tij me Shqipërinë.
Ajo që mund të lexohet relativisht lehtë në këtë histori, është qëllimi dhe shtysa e palës shqiptare, përkatësisht Kryeministrit Berisha, për afrimin e një figure publike amerikane si Tom Rixh. Periudha kur kontrata mes dy palëve është nënshkruar përkon me përpjekjet e etshme të qeverisë shqiptare për të vendosur marrëdhënie sa më të afërta me Uashingtonin. Ndonëse asnjëherë nuk u bë e qartë përfundimisht, mund të supozohet se prezenca e Rixh në borderotë e shtetit shqiptar mund të ketë pasur lidhje me ngjarje të mëdha që kanë ndodhur në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, ndër të cilat ardhja e Presidentit amerikan Xhorxh Bush, apo edhe akordimi i një numri projektesh ekonomike si rruga Durrës-Kukës kontraktorëve amerikanë.
Ndër të tjera, Tom Rixh do të mbahet mend gjatë në Shqipëri për shfaqjen në publik me Damir Fazliç, një biznesmen serbo-boshnjak të dyshuar dhe të hetuar në vendin tonë për afera korruptive.
Kontrata mes Tom Rixh dhe qeverisë shqiptare tashmë nuk ka më asnjë mister. Sidomos tani që administrata republikane në SHBA është zëvendësuar nga një President demokrat dhe kur vetë Tom Rixh nuk mund të ketë më kreditet që kishte dikur, për të lobuar Shqipërinë...pardon, Berishën! Gjithsesi, ashtu siç ka rezultuar edhe nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ajo kontratë vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite, një shkelje e pastër financiare e qeverisë, pasi për pagesën e ish-sekretarit amerikan të Sigurisë Kombëtare u shkelën të gjitha procedurat e shtetit shqiptar. Por edhe ky tashmë s‘përbën më asnjë lajm...
Çfarë tha Kontrolli i Lartë i Shtetit për kontratën Rixh-Berisha?
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka klasifikuar tashmë zyrtarisht kontratën në fjalë si shkelje ligjore. Në një raport të tij, KLSH shprehet se fondi rezervë i qeverisë është prekur pa zbatuar procedurat e përcaktuara në nenet 21 dhe 27, të ligjit nr. 8379, datë 29.07.1998, dhe për këtë i referohet vendimit të Këshillit të Ministrave, numër 653, dt. 27.09.2006, "Për lejimin e Kryeministrisë të përdorë procedurën "prokurim i drejtpërdrejtë" me shoqërinë Ridge Global LLC, për dhënien shërbim konsulence për hartimin e strategjisë kombëtare për sigurinë kombëtare, mirëqeverisjen, mbështetjen për anëtarësimin në NATO dhe luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe kriminalitetit".
Raporti vë në dukje se ky vendim nuk është një shpjegim i qartë i cili të justifikojë prekjen e fondit rezervë nga ana e Këshillit të Ministrave dhe për këtë shkak përbën shkelje të madhe, shkelje e cila është konsumuar nga vetë Kryeministri. Sipas raportit të këtij institucioni, shkak për çeljen fondit të mësipërm nga ana e qeverisë është listuar edhe shërbimi i konsulencës për hartimin e strategjisë kombëtare. Por ky draft është hartuar që në vitin 2003, i cili është miratuar nga ana e Parlamentit, po në 2003. Pra, një pjesë e fondit prej 15.536.000 lekësh është justifikuar si shpenzim për hartimin e këtij drafti, i miratuar katër vite më parë, në një kohë që pagesa për firmën e këshilltarit amerikan të Kryeministrit Berisha është lëvruar në vitin 2006 dhe një pjesë i ka kaluar për mbulim dhe buxhetit të vitit 2007.
Kontrata e Plotë
Ridge Global LLC
1101 Sixteenth Street, NW - Suite 308
Washington, D.C. 20036
Telefon: 202 833 2008
Faks:202 833 2009
Shkëlqesisë së Tij,
Sali Berisha
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Re: Propozim për Objektivin e Punës për Shqipërinë
Faleminderit që i dhatë Ridge Global LLC mundësinë të prezantojë këtë propozim për të asistuar Qeverinë e Shqipërisë në çështje që janë kritike për objektivat e saj në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian (BE) dhe NATO. Nisur nga takimi ynë me Kryeministrin Dr. Sali Berisha dhe anëtarët e kabinetit të tij në mars dhe nga takimet e mëpasshme, ne jemi konfident se përpjekjet tona mund ta ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë objektivat e mëposhtme:
Të krijojë dhe implementojë një strategji gjithëpërfshirëse për sigurinë kombëtare.
Të krijojë një strategji për qeverisje të mirë.
Të organizojë dhe të zhvillojë dy seminare njëditore për të marrë këshilla nga politikëbërës ekspertë amerikanë.
T‘i japë qeverisë së Shqipërisë këshilla strategjike kur të shfaqet nevoja.
Ne besojmë se përqendrimi te këto objektiva fillestare dhe përmbushja e tyre do të hedhë themelet e shndërrimit të Shqipërisë në sytë e komunitetit ndërkombëtar në një lider rajonal.
Strategjia Gjithëpërfshirëse e Sigurisë Kombëtare
Ne do të kryejmë kërkime dhe do të prodhojmë një strategji të përgjithshme të "Sigurisë Kombëtare" që do të fokusohet te siguria ajrore, tokësore dhe detare e Shqipërisë. Vendndodhja gjeografike e Shqipërisë e bën të domosdoshme që qeveria të ketë një qasje largpamëse ndaj terrorizmit dhe mbrojtjes kombëtare. Ne do t‘ju ndihmojmë t‘i arrini këto qëllime, duke mbajtur njëkohësisht të hapur, por të sigurt kufijtë e Shqipërisë, duke e vënë Shqipërinë në një pozicion prej ku mund të kthehet në një forcë ekonomike në Ballkan dhe në Evropën Lindore.
Strategjia për qeverisje të mirë
Ne do të bëjmë kërkime dhe do të prodhojmë një strategji të përgjithshme të qeverisjes së mirë që do të fokusohet, por nuk do të kufizohet, tek ekonomia, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, telekomunikacionet dhe turizmi. Kjo strategji do të përfshijë praktikat më të mira të përshtatura për nevojat e Shqipërisë. Ne do të punojmë nga afër me Kryeministrin Berisha dhe kabinetin e tij për t‘i ndihmuar të implementojnë këto objektiva. Ne do të japim këshilla strategjike për sfidat me të cilat përballet Shqipëria në lidhje me korrupsionin, luftën ndaj krimit dhe pastrimit të parave.
Po ashtu, ne do të këshillojmë Kryeministrin dhe kabinetin e tij për t‘u siguruar që të arrihen objektivat e Millenium Challenge Account.
Mbështetje për anëtarësimin në NATO
Anëtarësimi në NATO është një objektiv madhor strategjik për qeverinë shqiptare. Ne do t‘i japim qeverisë shqiptare këshilla eksperte mbi reformat e nevojshme për të përgatitur vendin për anëtarësimin në NATO.
Seminare Këshilluese me Ekspertë
Në mënyrë që të shfrytëzojmë mendjet më "të mira e më të ndritura" në këtë projekt të rëndësishëm, kemi në plan të mbajmë dy seminare njëditore në Uashington D.C. Do të sjellim ish- kolegët, si dhe kolegët tanë aktualë, që kanë ekspertizë në fushat që u përmendën më lart. Ne e mirëpresim pjesëmarrjen e pjesëtarëve të kabinetit të Kryeministrit Berisha në këto seminare.
Këshillimi Strategjik
Ne jemi të disponueshëm për të dhënë një gamë të gjerë konsulence strategjike, të mbështetur mbi eksperiencën time si sekretari i Sigurisë Kombëtare, si guvernator i Komonuellthit të Pensilvanisë dhe si kongresmen i Shteteve të Bashkuara. Unë do të luaj rol drejtues në çdo konsultim strategjik të Kryeministrit dhe kabinetit të tij. Sidoqoftë, çdo kontakt i drejtpërdrejtë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për llogari të Shqipërisë, do të kryhet nga Blank Rome Government Relations, LLC. Përveç këshillimit strategjik, ne kemi lidhje me palë të treta në të gjithë spektrin politik dhe do të punojmë me ju për të përcaktuar se cilët mund të jenë aleatët potencialë dhe grupet që mund të krijojnë mbështetje për objektivat tuaj. Think-tanket, organizatat jofitimprurëse dhe grupet e avokatisë, po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përcaktimin e debatit në Uashington, D.C. dhe kryeqytete të tjera të rëndësishme dhe mund të veprojnë për të rritur apo reduktuar rëndësinë e një çështjeje.
Dispozitat e Përgjithshme
Për të zbatuar këtë strategji, unë propozoj një angazhim njëvjeçar duke filluar nga 1 shtator 2006. Duke pasur parasysh qëllimin gjithëpërfshirës të shërbimeve të cilave iu referohemi këtu, unë propozoj një pagesë mujore prej dyzetmijë dollarësh ($ 40.000.00). Si kompensim për rolin e saj në mbështetje të Ridge Global LLC, Blank Rome Government Relations, LLC do të marrë një shumë mujore prej dhjetë mijë dollarësh ($ 10,000.00) prej kësaj pagese. Unë propozoj që ne të bëjmë një analizë të hollësishme të punës dhe pagesës çdo 6 muaj, pas fillimit të kontratës. Në përfundim të periudhës së specifikuar të angazhimit, nëse ne vazhdojmë të kryejmë shërbime në favor dhe për interesin tuaj, angazhimi ose mund të rinovohet për një periudhë të specifikuar ose angazhimi do të vazhdojë në mënyrë automatike për një periudhë njëvjeçare, e cila do të jetë subjekt e dispozitave ndërprerëse të përshkruara në Shtojcë.
Me pëlqimin e Kryeministrit dhe kabinetit të tij, Ridge Global LLC i rezervon vetes të drejtën të kërkojë ekspertizë të mëtejme për prioritetet për të cilat është rënë dakord. Shpenzimet dhe kontratat për këtë ekspertizë suplementare do të trajtohen nga Fushata për të Ardhmen e Shqipërisë.
Shërbimet që do të kryejë Ridge Global LLC janë të një natyre joligjore dhe të dallueshme nga shërbimet që ofrojnë juristët. Një pjesë e mbrojtjes ligjore që ekziston në një marrëdhënie avokat-klient, nuk është e aplikueshme. Në një marrëdhënie avokat-klient, avokatit zakonisht i kërkohet të ruajë konfidencialitetin e të gjithë informacionit që lidhet me përfaqësimin e klientit dhe komunikimi mes klientit dhe avokatit, falë privilegjit avokat-klient, gëzon mbrojtje ligjore prej detyrimit për publikim. Avokatëve po ashtu u ndalohet të përfaqësojnë persona me konflikt interesi dhe janë të detyruar të ruajnë pavarësinë profesionale.
Këto aspekte të marrëdhënies avokat-klient, që ekzistojnë për shkak të Rregullave të Sjelljes Profesionale dhe doktrinës ligjore të privilegjit avokat-klient, nuk janë të aplikueshme ndaj marrëdhënies suaj me Ridge Global LLC. Sidoqoftë, ne do të bëjmë përpjekje të arsyeshme për të mbrojtur konfidencialitetin e informacionit që prek këtë angazhim, duke përfshirë komunikimin mes nesh dhe çdonjërit prej agjentëve apo avokatëve tuaj dhe ne nuk do të shpërndajmë asnjë informacion të këtij lloji përveç rastit kur ne do të na duhet ta bëjmë këtë në mënyrë që të kryejmë angazhimin, apo përveç rastit kur ky veprim autorizohet prej jush. Ne zotohemi po ashtu t‘ju bëjmë të ditur dhe të marrim pëlqimin tuaj përpara se të pranojmë çdo lloj përfaqësimi për të cilin ne e dimë se mund të bjerë ndesh me interesat tuaja.
Në emër të Ridge Global LLC dhe Blank Rome Government Relations, LLC ju falënderoj për privilegjin e përfaqësimit tuaj, duke shpresuar që t‘ju shërbej interesave tuaja. Nëse kjo marrëveshje është e pranueshme për ju, ju lutem firmosni më poshtë dhe më dërgoni një kopje të firmosur të kësaj letre.
Shumë sinqerisht i juaji:
/firmosur/ Tom Ridge
Thomas J. Ridge
Pranoi
/firmosur/ Sali Berisha
Sali Berisha
Kontratë për Shërbimet e Konsulencës për Prodhimin e Strategjisë për Sigurinë Kombëtare, Strategji për Qeverisjen e Mirë, Mbështetje për Anëtarësimin në NATO dhe një Strategji për Luftën kundër Korrupsionit, Pastrimit të Parave dhe Kriminalitetit, mes Zyrës së Kryeministrit dhe Ridge Global LLC
Kjo kontratë ("Kontrata") u arrit më tetor 2006 nga dhe mes Zyrës së Kryeministrit ("Klienti") me adresë kryesore Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", No. 1, Tiranë, Shqipëri, dhe Thomas J.Ridge, President i Ridge Global LLC ("Konsulenti") me adresë kryesore në 1101 Sixteenth Street, NW., Suite 208, Washington D.C. 20036, USA.
Klienti dëshiron që Konsulenti të kryejë shërbimet të cilave u referohet këtu, dhe
Konsulenti është i gatshëm t‘i kryejë këto shërbime,
Prandaj palët me këtë pranojnë sa më poshtë:
Neni 1
Shërbimet
Konsulenti do të kryejë shërbimet e specifikuara më poshtë:
a) Të krijojë dhe implementojë një strategji gjithëpërfshirëse të strategjisë kombëtare. Konsulenti do të bëjë kërkime dhe do të prodhojë një "Strategji Kombëtare" të përgjithshme që do të fokusohet te siguria ajrore, tokësore dhe detare e Shqipërisë. Konsulenti do të ndihmojë Qeverinë e Shqipërisë me konsulencë për luftën kundër terrorizmit, dhe do të ofrojë po ashtu konsulencë për qeverinë mbi çështje të mbrojtjes kombëtare në mënyrë që të mbajë kufijtë e Shqipërisë të hapur dhe të sigurt, duke e vënë Shqipërinë në një pozicion prej ku mund të kthehet në një forcë ekonomike në Ballkan dhe Evropën Lindore.
b) Të krijojë një strategji qeverisjeje të mirë
Konsulenti do të kryejë kërkime dhe do të prodhojmë një strategji të përgjithshme të qeverisjes së mirë që do të fokusohet, por nuk do të kufizohet, tek ekonomia, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, telekomunikacionet dhe turizmi. Kjo strategji do të përfshijë praktikat më të mira të përshtatura për nevojat e Shqipërisë. Konsulenti do të punojë nga afër me Kryeministrin Berisha dhe kabinetin e tij për t‘i ndihmuar të implementojnë këto objektiva.
Konsulenti do të japë këshilla strategjike për sfidat me të cilat përballet Shqipëria në lidhje me korrupsionin, luftën ndaj krimit dhe pastrimit të parave. Konsulenti do të këshillojë po ashtu Kryeministrin dhe kabinetin e tij për t‘u siguruar që të arrihen objektivat e Millenium Challenge Account.
c) Mbështetje për anëtarësimin në NATO
Konsulenti do t‘i japë qeverisë shqiptare konsuelencë eksperte mbi reformat e nevojshme për të përgatitur vendin për anëtarësimin në NATO.
d) Seminare për këshillim ekspertësh
Në mënyrë që të shfrytëzojmë mendjet më "të mira e të ndritura" në këtë projekt të rëndësishëm, Konsulenti ka planifikuar të organizojë dy seminare njëditore në Uashington D.C. Konsulenti do të sjellë ish-kolegët, si dhe kolegët aktualë që kanë ekspertizë në fushat që u përmendën më lart dhe do të mirëpresë pjesëmarrjen e pjesëtarëve të kabinetit të Kryeministrit në këto seminare.
e) Konsulencë Strategjike
Konsulenti do jetë i disponueshëm për të dhënë një gamë të gjerë këshillash strategjike, të mbështetura mbi eksperiencën e z. Ridge si sekretar i Sigurisë Kombëtare, si guvernator i Komonuellthit të Pensilvanisë dhe si kongresmen i Shteteve të Bashkuara. Z. Ridge do të luajë rolin parësor në çdo konsultim strategjik të Kryeministrit dhe kabinetit të tij.
Sidoqoftë, çdo kontakt i drejtpërdrejtë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për llogari të Shqipërisë, do të kryhet nga Blank Rome Government Relations, LLC.
Përveç këshillimit strategjik nga ana e Konsulentit, Konsulenti do të punojë me Klientin për të përcaktuar se cilët mund të jenë aleatët potencialë dhe grupet që mund të krijojnë mbështetje për objektivat e qeverisë shqiptare.
f) T‘i japë qeverisë shqiptare konsulencë strategjike sipas nevojave.
Konsulenti do t‘i japë qeverisë së Shqipërisë konsulencë strategjike sipas nevojave.
Konsulenti do të kryejë shërbimet e përmendura më lart dhe do t‘i dorëzojë Klientit raportet brenda kohës së parashikuar në kontratë.
Neni 2
Koha
a) Konsulenti do të kryejë shërbimet gjatë periudhës kohore që fillon në tetor 2006 e vazhdon deri në gusht 2007.
b) Raportet e listuara nën Nenin 1, "Shërbimet", do të dorëzohen gjatë kryerjes së detyrës.
Neni 3
Pagesa
A. Tavani
Për shërbimet e kryera në përputhje me Nenin 1, "Shërbimet", Klienti do t‘i paguajë Konsulentit një shumë jo më të madhe që nuk i kalon 480.000.00 (USD) për kontratën. Kjo shumë është vendosur nisur nga marrëveshja se ajo përfshin të gjithë pagesën e Konsulentit, kostot dhe fitimet e po ashtu dhe detyrimet tatimore që mund t‘i vendosen Konsulentit. Shpenzimet e udhëtimit dhe banimit të Konsulentit dhe ekipit të tij të ekspertëve që përfshihen brenda qëllimit të kontratës, do të paguhen nga Zyra e Kryeministrit dhe nuk janë përfshirë në koston e përgjithshme të kësaj kontrate.
B. Kalendari i pagesës
Kalendari i pagesës është si më poshtë:
Kësti i parë (parapagesa)
160.000.00 USD pasi Klienti të ketë marrë një kopje të kësaj Kontrate të firmosur nga Konsulenti;
Kësti i dytë
160.000.00 USD brenda prillit 2007. Konsulenti duhet të paraqesë një faturë për Klientin përpara se të kryhet pagesa.
Kësti final
160.000.00 USD pasi Klienti të ketë marrë raportin final, brenda gushtit 2007. Konsulenti duhet të paraqesë një faturë për Klientin përpara se të kryhet pagesa.
Totali 480.000.00 USD
Nga shuma e paguar nga Klienti, Ridge Global LLC do t‘i paguajë një shumë prej 40000 USD Blank Rome Government Relations, LLC si kompensim për rolin e saj në mbështetje të Ridge Global LLC.
C. Kushtet e pagesës
Pagesa do të kryhet në dollarë amerikanë, në llogarinë bankare të Konsulentit. Konsulenti do t‘i paraqesë faturës Klientit.
Pagesa do të kryhet me transfertë bankare në emër të Ridge Global LLC:
Neni 4
Standardet e performancës
Konsulenti zotohet të kryejë shërbimet me standardet më të larta të kompetencës dhe integritetit profesional dhe etik.
Neni 5
Konfidencialiteti
Konsulenti duhet të bëjë përpjekje të arsyeshme për të mbrojtur konfidencialitetin e informacionit që prek këtë angazhim, duke përfshirë komunikimin mes Konsulentit dhe çdonjërit prej agjentëve apo avokatëve të Klientit dhe nuk do të shpërndajë asnjë informacion të këtij lloji, përveç rastit kur Konsulentit do t‘i duhet ta bëjë këtë në mënyrë që të përmbushë angazhimin apo përveç rastit kur ky veprim autorizohet prej Klientit. Konsulenti zotohet po ashtu t‘i bëjë Klientit me dije dhe të marrim pëlqimin e tij përpara se të pranojë çdo lloj përfaqësimi për të cilin Konsulenti e di se mund të bjerë ndesh me interesat e Klientit.
Neni 6
Pronësia e materialit
Çdo raport studimor apo material tjetër, grafik, software, etj., të përgatitura nga Konsulenti për Klientin në përputhje me kontratën do t‘i përkasë dhe do të mbetet pronë e Klientit. Konsulenti duhet të mbajë një kopje të këtyre dokumenteve dhe software-it.
Neni 7
Rinovimi dhe mbyllja e kontratës
Kontrata mund të rinovohet për një periudhë specifike me pëlqimin reciprok me shkrim të të dyja palëve. Nëse kontrata nuk rinovohet, ajo mbyllet më 31 gusht 2007.
Neni 8
Ligji i aplikuar mbi kontratën dhe gjuhën
Mbi kontratë aplikohen ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe gjuha e kontratës do të jetë anglishtja dhe shqipja.
Neni 9
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Çdo mosmarrëveshje që buron prej kontratës dhe që nuk mund të zgjidhet në mënyrë miqësore nga palët, do të referohet për gjykim/arbitrim në përputhje me ligjet e vendit të Klientit.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Kontrata hyn në fuqi me nënshkrimin e saj nga palët.
Neni 11
Dispozita të tjera
Çështjet që nuk adresohen këtu mund të përfshihen në një marrëveshje suplementare me shkrim mes palëve.
Neni 12
Kontrata ka në total 5 (pesë) faqe dhe është në shqip dhe anglisht, në 4 kopje origjinale me efekt ligjor të njëjtë dhe ku secila palë mban dy prej kopjeve, nga një në secilën gjuhë.
Për Ridge Global LLC
Firmosur nga.................
Thomas J Ridge
Titulli: President
Për Zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë
Firmosur nga: /shkruar me dorë/
Titulli: Kryeministri
Ligji parashikon rishikim të strategjisë, në një periudhë jo më vonë se 3 (tre) vjet nga data e miratimit
Milionat e strategjisë së munguar për sigurinë
Dokumenti i plotë, vetëm ai i votuar më 25 nëntor 2004
Një nga angazhimet kryesore të marra përsipër nga Tom Rixh kishte të bënte konkretisht me krijimin dhe implementimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të sigurisë kombëtare. Parashikohej që konsulenti do të bënte kërkime dhe do të prodhonte një "Strategji Kombëtare" të përgjithshme që do të fokusohej te siguria ajrore, tokësore dhe detare e Shqipërisë. Sipas termave të kontratës, konsulenti do të ndihmonte qeverinë e Shqipërisë me konsulencë për luftën kundër terrorizmit dhe do të ofronte po ashtu konsulencë për qeverinë mbi çështje të mbrojtjes kombëtare në mënyrë që të mbajë kufijtë e Shqipërisë të hapur dhe të sigurt, duke e vënë Shqipërinë në një pozicion prej ku mund të kthehet në një forcë ekonomike në Ballkan dhe Evropën Lindore. Përtej këtyre angazhimeve mbi të cilat kanë vënë firmën Tom Rixh dhe Kryeministri Sali Berisha, publiku nuk ka arritur të shohë asnjë strategji kombëtare si fryt i kësaj kontrate. Përveç momentit kur u publikua firmosja e kontratës, Berisha dhe Rixh nuk janë shfaqur para qytetarëve shqiptarë për të konkretizuar përmbylljen e etapës së hartimit të dokumentit që flet për sigurinë. Në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Brendshme rezulton i publikuar një dokument për strategjinë kombëtare të vendit, i miratuar në fund të vitit 2004. Në këtë material thuhet se Kryeministri është funksionari më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Ai koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të Politikës së Sigurisë dhe siguron koordinimin dhe zbatimin e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Kryeministri është
përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për çështjet e sigurisë kombëtare. Kryeministri krijon dhe drejton Komitetin e Politikave të Sigurimit Kombëtar. Sakaq, Kryeministri inicion rishikimin e strategjisë së sigurisë. Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Republikës së Shqipërisë rishikohet në një periudhë jo më vonë se 3 (tre) vjet nga data e miratimit të saj. Këshilli i Ministrave është organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Ai përgjigjet për zbatimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe gjendjen e zhvillimet e instrumenteve të sigurisë dhe të burimeve kombëtare. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të Politikës së Sigurisë, i parashtron ato në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe drejton veprimtarinë e organeve dhe institucioneve në vartësi, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Fotoja
Fazliç në "Këshillin e
Sigurisë" përkrah Tom Rixh
Ish-funksionari i lartë i Ministrisë së Rendit Publik, Besnik Bakiu, në një intervistë për gazetën "Shqip" rrëfeu për një takim të nivelit më të lartë që mund të organizojë një shtet, për sa i përket diskutimit për çështje të sigurisë së kufijve, porteve, aeroporteve etj., ku ministra, gjeneralë e drejtorë të përgjithshëm janë "rreshtuar" para tij. Lulzim Basha, Fatmir Mediu, Sokol Olldashi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtorët e Përgjithshëm të Aviacionit dhe Porteve, në mars të vitit 2006, në zyrën e Fatmir Mediut, kanë raportuar dhe i kanë vënë në dispozicion informacion të klasifikuar, pikërisht nipit të kreut të UDB-së serbe, Damir Fazliçit, në periudhën kur ky shërbim sekret famëkeq për gjithë kombin shqiptar ishte shndërruar në armën më të fuqishme dhe më të financuar nga Milosheviçi, kundër Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk dihet se çfarë u bë dhe ku e destinoi këtë informacion të bollshëm dhe sekret Fazliç. Por zelli i tepruar i përfaqësuesve më të lartë të shtetit për të dorëzuar pikat e dobëta të sigurisë së vendit tonë te një njeri i dyshimtë, i pa verifikuar nga shërbimet tona të Inteligjencës, vetëm e vetëm sepse paraqitet si pjesëtar i një "ekipi të lartë amerikan" (i pashoqëruar nga asnjë përfaqësues i ambasadës së SHBA-së në Tiranë), duket se përbën një skandal.