E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet telefonata e fundit e biznesmenit Kotorri

Zbardhet telefonata e fundit e biznesmenit të ndërtimeve Ikmet Kotorri, i ekzekutuar mbrëmjen e të dielës.

Policia ka marrë në pyetje një biznesmen nga Kukësi, mik i Kotorrit, i cili pasi ka dalë nga banesa në rrugën Ali Visha, ka qenë duke folur me të në telefon edhe në momentin kur është qëlluar.

Pas dëshmisë, burimet pranë skuadrës së zbulimit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit kanë përjashtuar çdo lloj lidhjeje të biznesmenit me ngjarjen, duke i kthyer hetimet në pikën e nisjes.

Të njëjtat burime thanë se të dy pistat kryesore ku janë fokusuar hetimet e policisë kanë të bëjnë me biznesin e ndërtimeve të Kotorrit.

Policia shoqëroi disa të dyshuar për pistën e konfliktit për pronësinë e një trualli, por i la të lirë të dyshuarit për mungesën e provave inkriminuese.

Pista tjetër është konflikti për shitjen e një apartamenti, ku vetë Kotorri ka qenë përfshirë indirekt. 

Biznesmeni 44-vjeçar baba i 3 fëmijëve, u përcoll paraditen e të martës për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës, duke lënë pas enigmën e ngjarjes së rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›