E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbatimi i Pakos së Ahtisaarit as në shkallën 52 për qind

Prishtinë, 15 gusht – Gazeta Koha Ditore, në botimin e sotëm, duke u bazuar në matricën 18-faqëshe të monitorimit të Pakos së Ahtisaarit, të titulluar “Zbatimi i propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit - gjendja e zbatimit”, ka demantuar deklaratat e kryeministrit Thaçi se ku dokument është implementuar rreth 90 për qind. Sipas gazetës, vetëm pak më shumë se gjysma e kërkesave të shtruara në Pakon e Ahtisaarit kanë mundur të përmbushen tërësisht deri tash.
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar tri herë gjatë javës, e së fundi të shtunën në Mitrovicë, se ky dokument, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, është implementuar rreth 90 për qind. Por, tjetër e dhënë është evidentuar në një vlerësim që ka bërë më 14 qershor Zyra Civile Ndërkombëtare, e mandatuar në Kosovë për të garantuar zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit.
Bazuar në këtë matricë 18-faqëshe të monitorimit të Pakos së Ahtisaarit, të titulluar “Zbatimi i propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit - gjendja e zbatimit”, deri më 14 qershorin e sivjetmë, janë 7 kërkesa, për të cilat institucionet nuk kanë bërë gjë deri tash për t’i përmbushur dhe 46 sosh i kanë përmbushur pjesshëm.
Ndërkaq, janë 58 të tjera që janë të përmbushura plotësisht. Kalkuluar në përqindje, i bie që vetëm 51.78 e standardeve të zbatimit të Pakos së Ahtisaarit të jetë implementuar pikë për pikë, por shumica nga to kanë të bëjnë me hartim ligjesh.
Disa nga këto kërkesa, e që në analizë prezantohen si standarde, është dashur që të bashkimplementohen nga institucione vendëse e ndërkombëtare, kurse të tjera veç e veç. Kësisoj, Prishtina zyrtare ka përmbushur 50 kërkesa, 44 sosh i ka përmbushur vetëm pjesërisht, kurse 4 të tjera as që ka nisur t’i përmbushë.
Më aktive në përmbushje të tyre janë treguar institucionet ndërkombëtare me mision në Kosovë. Ato kanë implementuar gjithsej 33 standarde, 14 pjesërisht dhe 3 fare s’i kanë implementuar.
 (Tekstin e plotë mund ta lexoni në gazetën e sotme Koha Ditore)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›