E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bëjeni planin

Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë planin për veriun sa më parë që është e mundur. Për këtë çështje duhet të ketë dy palë negociata – me Serbinë dhe me serbët e veriut. Jo gjithkush atje është kriminel. Kritikat ndaj EULEX’it janë të padrejta. Korrupsioni është problem i madh në Kosovë, por shpresoj se do të vijë dita kur peshqit e mëdhenj do të burgosen. Samuel Zbogar, Shef i Zyrës së BE’së në Kosovë, flet për Express.

Express: Z. Zbogar situata në veri është e rëndë. Serbët po e refuzojnë Pakon e Ahtisaarit. Kohët e fundit kemi pasur ide të ndryshme rreth veriut të Kosovës. Sipas jush, kush e ka fajin për këtë gjendje dhe a ka mundur bashkësia ndërkombëtare gjithë këto vite të parandalojë këtë situatë?

Zbogar: Unë provoj të shikoj drejt të ardhmes dhe se si situata mund të bëhet më mirë. Unë mendoj se askush nuk është i lumtur me situatën e cila ekziston. Shoh në Prishtinë shumë frustrim për shkak të situatës dhe shoh se edhe njerëzit që jetojnë në veri janë të frustruar dhe të palumtur me situatën se si është. Askush nuk ka dëshirë të jetojë në frikë konstante apo pasiguri se çka do të sjellë dita tjetër. Kur kam vizituar veriun, kam folur me njerëz dhe me shoqërinë civile atje, dhe mund ta ndjesh ndjenjën e parehatisë që ekziston atje. Çdokush do të dëshironte një jetë normale, një punë, familje dhe jo të merren me gjithë këto çështje politike. Dhe natyrisht që edhe në Prishtinë shoh që njerëzit nuk janë të lumtur me situatën se si është në veri. Dhe unë mendoj se kjo është pika nga ku duhet të nisemi, ku shohim se askush nuk është i lumtur me situatën se si është. Dhe është obligim i të gjithëve, pikësëpari i institucioneve të Kosovës që të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Dhe për këtë nevojitet punë e madhe, nuk është diçka që mund të zgjidhet lehtë. Ne i kemi bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përgatisë një agjendë për veriun. Ne vetë jemi duke menduar se si të ndihmojmë në krijimin e besimit sepse nga aty duhet të nisemi, që tani nuk ka.

Express: Por, si të fitohet ky besim?

Zbogar: Hap pas hapi, duke zgjatur dorën, ne duke bërë projekte të ndryshme, duke siguruar njerëzit atje se jemi këtu për t’u ndihmuar, që t’ua bëjmë jetën më të mirë. Mendoj se rimëkëmbja ekonomike e tërë rajonit që t’i ofrohet prosperitet do të ishte shumë ndihmuese dhe njerëzit do të kishin diçka pozitive për të menduar, pasi që do të kishin punë dhe një jetë. Unë këtë javë kam takuar një grup studentësh nga veriu në Prishtinë dhe kemi pasur një diskutim shumë të mirë me ta. Në fund të fundit, e gjithë që ata duan është një jetë normale, çdokush e do këtë. Pra, hap pas hapi, kosovarët duhet me një mënyrë t’u zgjasin dorën. Natyrisht që këtu është edhe çështja e sundimit të ligjit, që duhet të zbatohet në veri si çdo kund tjetër në Kosovë. Por, në të njëjtën kohë mendoj se duhet të zgjatet dora dhe të sigurojmë njerëzit në veri. Ata jetojnë në veri dhe ne dëshirojmë që ata të jetojnë në veri.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›