E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen sherret e vjetra në Këshillin Bashkiak të Patosit

19/03/2010 Çështja e kryetarit në diskutim, dështon mbledhja

FIER- Ka dështuar sërish mbledhja e Këshillit të Bashkisë Patos. Bllokimi i sallës së mbledhjeve nga punonjësit e ndërmarrjeve vartëse të bashkisë, (Ndërmarrja komunale dhe ajo e gjelbërimit) ndarja e këshilltarëve në dy grupe dhe prezenca e shtuar e Policisë Bashkiake, paralajmëruan qysh në fillim një situatë të tensionuar dhe konfliktuale. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Leonard Behaj, me një përfaqësi të këshilltarëve të djathtë negocioi për më shumë se një orë me kryetarin e bashkisë për boshatisjen e sallës së mbledhjeve, ç’tensionimin e situatës dhe zhvillimin e mbledhjes sipas rendit të ditës. “Gjithçka ishte e kotë. Negociatat tona dështuan. Kryetari i bashkisë, Meli, vuri si kusht që mbledhja të drejtohej nga ish-kryetari, i shkarkuar me vota Maksim Goga. Ai nuk mund të shkëputet nga lidhjet e errëta, nga interesat dhe aferat korruptive që e kanë lidhur me ish-kryetarin e Këshillit Bashkiak”,- tha kreu aktual, Leonard Beja. Në të tilla kushte 17 këshilltarë, përfaqësues të PD, LSI,PDI, PR, PA, u mblodhën në zyrën e sekretarit të këshillit, pa prezencën e drejtuesve të ekzekutivit dhe miratuan fondet e përkrahjes sociale dhe pagesën e paaftësisë. “Në agjendën e Këshillit Bashkiak ishte miratimi i paketës fiskale, plan buxheti i vitit 2010 dhe struktura organike. Qysh pa filluar mbledhja ne u përballëm me situatën e tre muajve më pare, presionin dhe bllokimin e sallës, nga punonjësit e komunales dhe ndërmarrjes së pastrimit. Dikush i ka keqinformuar se do të shkurtojmë numrin e punonjësve dhe ata na paragjykojnë. Prapa veprimeve të tyre për të na bërë presion dhe bllokuar sallën qëndrojnë skenaristët e vërtetë të kësaj situate tragjikomike. Në të tilla kushte ne miratuam vetëm fondet e shtresave në nevojë dhe do të ndjekim të gjitha rrugët institucionale duke denoncuar veprimet e papërgjegjshme dhe primitive të këtij kryebashkiaku mostër, si iniciatori që bllokon sallën e bashkisë. Sipas Behaj, kryesia e re e Këshillit Bashkiak të Patosit është njohur nga institucioni i prefektit, nga gjykata, dhe të gjitha institucionet. “I vetmi që nuk e njeh kryesinë e re të Këshillit Bashkiak është kryetari i bashkisë, Bardhi Meli, i cili ka interesa me ish-kryetarin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›