E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Durrës-Kukës” gati në qershor



Në qershor të këtij viti Shqipëria dhe Kosova do të jenë më pranë në kohë. Do të mjaftojnë vetë 2 orë për të lidhur dy shtetet me të njëjtën gjuhë. Ecuria e punimeve të rrugës Durrës-Kukës premton që realizimi i këtij projekti të përfundojë brenda afateve të përcaktuara nga qeveria shqiptare. Këtë fakt e ka pohuar dje edhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i cili i shoqëruar edhe nga ministrat e Kosovës, Fatmir Limaj, ministri i Transporteve; Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave; Lutfi Zhargu, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, ka inspektuar punimet e rrugës Durrës-Kukës. Një ditë pasi ministrat e Kosovës u takuan me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, ku u premtua se do të bëhej një studim mbi zgjerimin e mundshëm të portit të Shëngjinit, në mënyrë që ai të plotësojë me kapacitetet e tij nevojat e shtetit të Kosovës, ku rruga e re Durrës-Kukës pas përfundimit do të shkurtojë ndjeshëm distancën e Kosovës me detin Adriatik, ata kanë parë dje nga afër ecurinë e punimeve. Inspektimi në tunelin Thirrë-Kalimash u ka shërbyer ministrave të Kosovës të vërejnë nga afër progresin e bërë në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, ku ministri Olldashi i ka garantuar se kjo rrugë do mbarojë në afat. "Rruga po progreson në termat kohorë të përcaktuar dhe kështu do të vazhdojë deri në muajin qershor. Kjo rrugë është një korridor shumë i rëndësishëm, si për Kosovën dhe Shqipërinë, ashtu dhe për rajonin", - tha ministri Olldashi, pas inspektimit të punimeve në tunelin Thirrë-Kalimash, i cili është 5.5 km të gjatë. Ministrat e Kosovës nga ana e tyre kanë vlerësuar rëndësinë e kësaj rruge. Por homologu i Olldashit, ministri i Kosovës, Limaj, e konsideroi rrugën Durrës-Kukës-Morinë një rrugë të zhvillimit ekonomik mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, duke e konsideruar atë ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. "Kjo rrugë është një arterie e rëndësishme që lidh Shqipërinë me Kosovën, që do të ndryshojë zhvillimin ekonomik mes dy vendeve dhe ajo do të kthehet në një rrugë të rëndësishme rajonale”, - u shpreh Limaj. Duke vlerësuar, ai gjithashtu kujtoi rëndësinë për kushtet lehtësuese që kjo rrugë krijon për daljet në det. "Ajo është dhe një portë detare", - tha ministri Limaj, duke vlerësuar faktin se Shqipëria i ofron Kosovës portin e Shëngjinit.

Punimet në tunelin e Kalimashit po ecin normalisht. Deri tani është realizuar mbi 80 % e volumit të punimeve, që vijojnë në të gjithë gjatësinë e rrugës prej 61 km, në të 29 urat, prej të cilave në 16 ura kanë përfunduar. Segmenti Rrëshen-Kalimash është pjesë e autostradës Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, e cila lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, pasi lidh tregjet e Evropës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet portit të Adriatikut në Durrës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›