Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka pritur sot në një takim të veçantë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, James Jeffrey. Zëvendëskryeministri Namik Dokle i k
Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka pritur sot në një takim të veçantë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, James Jeffrey.
Zëvendëskryeministri Namik Dokle i ka shprehur ambasadorit Jeffrey falënderimet e Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për thellimin e reformave në Shqipëri dhe nxitjen për anëtarësimin në strukturat Euro-Atlantike.
Në mënyrë të veçantë, Zëvëndëskryeministri Namik Dokle i ka shprehur ambasadorit Jeffrey angazhimin e Qeverisë Shqiptare për fazën e re të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe masat legjislative dhe organizative që po merren në këtë drejtim. Qeveria dhe strukturat e specializuara janë të vendosura të godasin pa asnjë kompromis trafikantët dhe lidhjet e tyre, duke u dhënë, sipas ligjit, ndëshkimin maksimal trafikanteve, por dhe sekuestrimin e pasurive të tyre.
"Përveç reformave në drejtësi, ekonomi dhe financë, në problemet e sigurisë etj., dy prioritetet e Qeverisë për vitin 2004, janë edhe kthimi e kompensimi i pronave, si dhe trajtimi ligjor i ish- të burgosurve politikë të regjimit komunist",- tha zëvendëskryeministri Dokle në këtë takim.
Zoti Jeffrey, nga ana e tij, duke vlerësuar masat që po merr Qeveria Shqiptare në këtë fazë të re të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikantëve, ka shprehur besimin se stabiliteti i vendit do të mundësojë thellimin e reformave integruese të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.