Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Integrimit, Ermelinda Meksi ka zhvilluar sot mbledhjen me Grupin Ndërministror të Punës për Hartimin e Studimit "Për parashikimin e efekteve ekonomike dhe
Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Integrimit, Ermelinda Meksi ka zhvilluar sot mbledhjen me Grupin Ndërministror të Punës për Hartimin e Studimit "Për parashikimin e efekteve ekonomike dhe fiskale që do të rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe për përcaktimin e produkteve sensitive vendase". Gjatë këtij takimi, znj. Meksi u ka kërkuar përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe INSTAT-it, intensifikimin e punës për përgatitjen e raundit të IV teknik të negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim, i cili përqendrohet në levizjen e lirë të mallrave bujqësore dhe të peshkimit.
"Kemi mbërritur tashmë në një fazë të punës, e cila kërkon më shumë thellësi dhe në të njëjtën kohë transparencë më të madhe nga ana jonë" - është shprehur në këtë mbledhje znj. Meksi, duke shprehur vlerësim për mobilizimin maksimal të Grupit Ndërministror dhe ekspertëve të Ministrisë së Integrimit për implementimin e objektivave të paracaktuara në këtë periudhë vere.
Me propozim të znj. Meksi, përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit kanë shprehur gatishmërinë për bërjen publike me anë të faqeve zyrtare të internetit të institucioneve përkatëse të listës paraprake të produkteve sensitive vendase, për të cilën pritet të negociohet ne mes të shtatorit. "Publikimi i kësaj liste paraprake do të na ndihmojë të këshillohemi me të gjitha aktorët e përfshirë në këtë proces, vecanërisht grupet e biznesit, konsumatorët dhe shoqërinë civile. "-ka shtuar znj. Meksi.
Zv/kryeministrja dhe Ministre e Integrimit, znj. Meksi ka kërkuar po sot nëpërmjet përfaqësuesit të Shqipërisë në Bruksel, z. Artur Kuko përshpejtimin e vënien në dispozicion sa më shpejt të axhendës paraprake mbi raundin e katërt teknik të negociatave.