Zgjatimi i bulevardit të Tiranës, sot pritet projekti fitues

Dy studiot fituese
Sot do të shpallet projekti fitues për zgjatimin e bulevardit të Tiranës.
Janë dy projekte, të cilat janë prezantuar para dy ditësh për publikun, nga studiot finaliste “Grimshaw” dhe “DAR Group”.
Këto studio, prej dy ditësh kanë paraqitur argumentet mbrojtëse për master planin e tyre.
Bulevardi i ri i Tiranës përfshin një zgjatim drejt Paskuqanit 1.7 km, ndërsa rehabilitimi i lumit të Tiranës mendohet në një sipërfaqe prej 6.7 km.
Dy studiot, ajo turko-britanikja “DAR Group” dhe britanikja “Grimshaw”, kanë risjellë edhe një herë projektet e tyre duke marrë në konsideratë edhe konsultën e fundit.
Studio Dar ka ulur koston me 56%, pra rreth 20 milionë euro duke vlerësuar si kosto të fundit 20-25 milionë euro. Kjo studio ka ngushtuar me 100 m gjerësinë e bulevardit nga 170 që parashikohej në prezantimin e parë. Gjithashtu studioja propozon që bulevardi të jetë vetëm pedonal dhe ndërtesat të mos jenë më shumë se 10 katëshe.
Ndërsa, studio “Grimshaw” parashikon që bulevardi të ketë 3 sheshe, si sheshi i pallatit të drejtësisë, sheshi komercial ku do jenë qendrat tregtare dhe sheshin e kulturës. Në këtë master plan gjerësia e bulevardit është parashikuar 60 m. /E.L/