E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet shqiptare, Edmond Temelko dhe maqedonasit e Shqipërisë

Nga Valon KURTISHI
Më 28 qershor 2009, në Republikën e Shqipërisë u mbajtën zgjedhjet e shtata me radhë parlamentare që nga rënia e sistemit monist më 1991. Këto zgjedhje vinin në një moment vendimtar dhe kritik për shtetin tonë amë, shkaku i të qenit tashmë anëtar i NATO-s, por edhe nga një arsye akoma më e rëndësishme për momentin, integrimi i plotë, pa pengesa dhe sa më i shpejtë në BE. Pikërisht për këto arsye (edhe shumë të tjera), klasa politike shqiptare e avancoi, përmirësoi dhe menaxhoi në disa faza gjithë atë që quhet infrastrukturë zgjedhore dhe proces zgjedhor. Si zhvillim i parë pozitiv ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor, ku nga ai i përzier/mikst mazhoritar (100 vende) dhe proporcional (40 vende) u kalua në sistem proporcional rajonal. Kjo u arrit me konsenzusin e plotë mes palëve, si të pozitës ashtu edhe të opozitës. Më vonë, me amendimin konsenzual të kushtetutës, lëshimin e kartave moderne të identitetit në bashkëpunim me kompani europiane të specializuara për këto punë, përmirësimit të regjistrit zgjedhor, kompjuterizimin e gjendjes civile, si dhe pajisjen me kamera të qendrave të votimit, u arritën standarde të larta zgjedhore. Deri më sot që shkruajmë këto radhë, nuk ka asnjë incident të vetëm më serioz që të mund të hidhen re të zeza mbi këtë proces jetik për të ardhmen europiane të shtetit tonë amë.Edhe fushata parazgjedhore rrodhi në përgjithësi e qetë dhe pa incidente për tu shënuar. Dy vrasje që ndodhën në prag të zgjedhjeve, ishin sipas të gjitha të dhënave të policisë së shtetit pa prapavijë politike (përjashtim i vetëm i drejtpërdrejtë mund të jetë vrasja e komisionerit të PD-së në Qerret të Durrësit). Edhe raportet preliminare të OSBE/ ODIHR dhe disa organizatave tjera evropiane janë në frymë pozitive dhe shumë inkurajuese për të ardhmen e vendit. Deklaratat e z. Ren, zonjës Gallak, z. Pak, z. Dejvis, si dhe burokratëve të tjerë europianë u përshkuan të gjitha nga një frymë pozitive për zgjedhjet dhe admirimi për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Pra, shikuar në përgjithësi, procesi zgjedhor në Shqipëri rrodhi i qetë dhe shumë më transparent dhe demokratik se proceset e ngjashme të mëparshme në IRJM.
Megjithatë, përfaqësuesve të nacional-shovinizmit të egër sllav në këtë vend nuk u pëlqeu kjo.  Duke filluar para afërsisht një muaji e duke vazhduar deri në ditën e tretë pas zgjedhjeve, ata i lëshuan sirenat e alarmit për gjoja standardet e zgjedhjeve në Shqipëri dhe çështjen  e maqedonasve atje. Është interesante të analizohet mënyra si mediat sllavishtfolëse në Maqedoni i komentuan dhe vazhdojnë ti përcjellin tek teleshikuesit e vetë, lajmet nga Republika e Shqipërisë. Që në fillim të themi se këtyre analistëve dhe kësaj rryme të mendimit politik e opinion bërjes as që i interesojnë standardet zgjedhore në Shqipëri. Ata edhe me tutje veprojnë sipas maksimës së njohur sa më keq në Shqipëri aq më mirë për ne. Që gjatë fushatës elektorale peshën kryesore në raportimet e tyre nga Tirana e qytetet tjera shqiptare e zënë përfaqësuesit e të a.q pakicë maqedonase në Shqipëri. Prej tyre më i ekspozuari dhe më i përkëdheluri njëkohësisht është Edmond Temelko, kryetari i Komunës së Liqenasit, afër Pogradecit. Që të mos ngatërrojmë çështjen e komunave të shpjegojmë që në fillim se Komuna në sistemin administrativ të Shqipërisë dhe komuna në IRJM kanë dallim të madh. Në IRJM komuna nënkupton faktikisht Bashkitë e Shqipërisë, kurse fshatrat e vegjël në IRJM në Shqipëri kanë statusin e Komunës. Pra,  komuna në organizimin administrativ territorial të Shqipërisë paraqet një bashkim  fshatrash të vegjël e me shumë pak banorë. Kështu lloj komune me shumë pak banorë është edhe Liqenasi që në mediat sllavishfolëse të Shkupit quhet Pustec. Kryetar i këtij Pusteci (që në përkthim të lirë shqip i bie të jetë shkret, shkretinë) është Edmond Temelko. Ky është një shqiptar etnik i fesë ortodokse  nga këto fshatrat e vegjël afër kufirit shqiptaro-maqedonas (në fakt shqiptaro-shqiptar). Këto fshatra (2 ose 3 të tilla), në të kaluarën kanë qenë nën ndikimin e shkollave bullgare dhe kishës ortodokse bullgare, ekzarkatit bullgar. Si pasojë e këtyre influencave afatgjata kulturore, banorët e tyre e përdorin si gjuhë të dytë komunikimi përveç shqipes amtare, edhe nja variant të përçudnuar të sllavishtes jugore, diçka mes bullgarishtes perëndimore - maqedonishtes dhe serbishtes jugore. Në një variant mysliman të tij, ky fenomen ndodh edhe me banorët e disa pak fshatrave në Kukës dhe në zonën e Gorës së Prizrenit, ku në të kaluarën e okupimit bizantin dhe otoman gjithashtu ka pasur asimilime të shqiptarëve në sllavë. Duke keqpërdorur këtë situatë, mediat e Shkupit gjithë kohës përpiqen të risin numrat e këtij gjoja minoriteti në Shqipëri. Z. Edmond Temelko, në të gjitha paraqitjet e tij, pa iu dridhur fare qerpiku deklaron në televizionet sllavisht folëse të Shkupit që zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të tregojnë se sa maqedonas autoktonë në të vërtetë jetojnë në Shqipëri!. Sipas tij, Partia e tij maqedonase do të fitojë disa mandate deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë, jo vetëm në Pogradec apo Korçë, por edhe në shumë qytete  tjera të vendit. Po tani që zgjedhjet e lira e të drejta të standardeve të pranueshme ndërkombëtare mbaruan me sukses dhe ai nuk fitoi asnjë mandat deputeti të vetëm? Çdo të themi tani? Por me një arrogancë tipike fshatareske sllavomadhe, personi i njëjtë tani deklaroi se citojmë nuk ka lidhje që nuk fituam asnjë deputet, ne do të jemi në pushtetin ekzekutiv pasi jemi pjesë e Aleancës së ndryshimit të kryeministrit Berisha. D.m.th, pa marrë parasysh se përçapjet e tij për dhjetëra mijëra maqedonas në Shqipëri dolën flluska sapuni, ai pretendon në pushtet politik atje. Tani, ne skuptojmë dot se ku u zhdukën maqedonasit e Shqipërisë? Ku janë maqedonasit që sipas Temelkos do zbulohen nga këto zgjedhje në shumë qytete të Shqipërisë, ku sipas organizatave që i financon spiunazhi i Shkupit dhe lobi maqedonas në botë i Teodor Petrovit, nuk u pranuakan nga shteti shovinist shqiptar?. Mos i eliminoi kush fizikisht ditën e fundit para zgjedhjeve?
Mos patën presione alla greko bizantine ose sllavo sërbe për tu ndryshuar kombësinë? Ku shkuan maqedonasit që sipas Temelkos dhe bandës tjetër që ata përfaqësojnë qenkan në numër të madh jo vetëm në Korçë e Pogradec, por edhe në Tiranë, Berat, Dibër, Kukës, Durrës, Lezhë, madje edhe në Shkodër e Tropojë?! Qindra mijëra maqedonas të shtypur nga pushteti i malokëve shqiptarë jetuakan në Shqipëri dhe ne shqiptarët e thjeshtë nuk e paskemi ditur këtë?! Qindra mijëra bashkëqytetarëve tanë iu mohuaka shpallja hapur e përkatësisë kombëtare dhe ne qytetarët e këtij vendi, nuk qenkemi në dijeni të këtij fakti?! Ne nuk e paskemi ditur se çdo i treti shtetas shqiptar nuk qenka fare shqiptar me përkatësi etnike por paska frikë nga shteti shqiptar të dalë hapur e të flasë për këtë?! Nga shumë të mira që patën këto zgjedhje duke filluar që me eliminimin apo siç e quajti dikush me sarkazëm dhënien shpirt apo heroizimin e disa figurave të tepërta në politikën shqiptare, më e mira si që duket është eliminimi i pretendimeve absurde greke dhe maqedonase për numrat e minoriteteve respektivë në Shqipëri. Deputeti i vetëm që e ka fituar Vangjel Dule duke blerë më paratë e ambasadës greke romët dhe shpirtshiturit e tjerë të Shqipërisë në të katër anët e vendit tregon realisht shifrat e popullsisë që e mban veten për greke në Shqipëri. Gjykuar sipas rezultatit elektoral të PBDNJ, të a.q grekë të Shqipërisë, nuk e kalojnë shifrën 0,5 e numrit të përgjithshëm të popullsisë në vend. Mandati i Spiro Kserës së Pd-së dhe Vangjel Tavos të Ps është fituar me votat e shqiptarëve të qarkut të Gjirokastrës. Fanatikët dhe militantët e të dy partive të mëdha etnike shqiptare kanë votuar me direktiva të shefave të tyre për Spiro Kserën dhe Vangjel Tavon. Në këtë mënyrë dy persona të vetëshpallur si grekë kanë fituar me vota shqiptarësh mandate deputeti në Kuvendin Popullor shqiptar. Maqedonasit nga ana tjetër ranë akoma më poshtë me këto rezultate zgjedhore. Asgjë nga disa deputetë maqedonas në Kuvendin e Shqipërisë që i paralajmëroi Edmond Temelko. Asgjë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›