E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KQZ-ja do të përzgjedhë kontabilistët

02/03/2009  Kontrolli i fondeve të partive

Kontrolli i financimeve të partive gjatë fushatave zgjedhore do të kryhet nga ekspertët kontabël të licencuar, të cilët do të përzgjidhen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por zbardhja e financimeve do të kryhet në përfundim të zgjedhjeve, por jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar. Në nenin 91 të Kodit Zgjedhor thuhet se KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar për të bërë auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit i paraqitet në KQZ-së brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Në Kod gjithashtu saktësohet se subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokument apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore sipas këtij Kodi. Gjithashtu Kodi Zgjedhor i jep të drejtë KQZ-së të bëjë verifikimet e nevojshme në të cilat përfshihen pyetja e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojë mbi të dhënat e paraqitura në raport. Në Kod përcaktohet kontrolli i të gjitha donacioneve apo sponsorizimeve të partive kur shuma është 1 milion lekë e lart, sikundër ndalohet financimi nga subjekte që kanë përfituar fonde përmes tenderëve shtetërorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›