E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, LSI parajalmëron kontestimet

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar qeverinë se ka shkelur të gjitha afatet për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha se thirrjet e qeverisë që qytetarët të aplikojnë për letërnjoftime janë thjesht demagogji, pasi sipas tij nuk janë ngritur ende qendrat e aplikimit në të gjithë vendin. “Ritmi dhe sasia e kartave të shpërndara është shumë larg të gjithë planit të bërë publik nga vetë qeveria. Edhe plani i hartuar nga vetë qeveria ishte në limite kritike kohe dhe vonesat shumë të mëdha që po pranohen nga vetë qeveria e kanë kompromentuar dukshëm këtë proces”, - theksoi Vasili. Ai ka kërkuar nga qeveria që të marrë masa si dhe të shpërndajë pa pagesë letërnjoftimet për një sërë kategorish, siç janë pensionistët në fshat dhe qytet, studentët,të papunët personat me aftësi të kufizuar personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat e të tjerë. Vasili theksoi se standardet e zgjedhjeve janë shumë të rrezikuara dhe si të tilla zgjedhjet vetë në 28 qershor do të jenë të kontestuara. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, edhe deklarata e fundit e Oli Rehn demostron shumë qartë se vetëm realizimi i zgjedhjeve të lira,të ndershme dhe sipas standarteve do të jenë guri i provës për të ardhmen e Shqipërisë. “Pas realizimit me sukses të këtyre provave mund të flitet edhe për aplikimin e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian e të tjera çështje të mbetura pezull”, - përfundoi Vasili.

Ky lajm është publikuar: 05/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›