Zgjedhjet, PD-ja negociata me PDI-në, PLL-në dhe PBDK-në
Aleatët, PD-së: Të garantohen kryetarët
Si do të ndahet torta e PD-së me aleatët
PD-ja nis negociatat për zgjerimin e koalicionit në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare të 28 qershorit. Të qenit në pushtet dhe mundësia për një tjetër mandat qeverisës detyron demokratët të japin nga torta e tyre e pushtetit. Lidershipi i PD-së ditët e fundit ka hyrë në bisedime me partitë që janë aktualisht jashtë koalicionit qeverisës. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se përveç tërheqjes së legalistëve dhe ballistëve, aleatë tradicionale të saj, po tentohet edhe drejt përfshirjes së PDI-së në aleancën e djathtë. Kjo parti mbron interesat e popullsisë çamëve. Burimet sqarojnë se lideri demokrat, Sali Berisha, është takuar me kreun e kësaj partie, z. Tahir Muhedini, ditët e fundit, edhe pse kjo parti njëherësh po zhvillon bisedime edhe me “Polin e Lirisë”, aleancë kjo e sapodalë në skenën politike. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së për negociatat me aleatët, z. Astrit Patozi, ka bërë takime me kryelegalistin, Eqrem Spahia, dhe kryetarin e PBKD-së, Artur Roshi. Ajo që partitë e vogla duan nga PD-ja është garantimi i kryetarëve të tyre në Kuvendin e ri të pas 28 qershorit. Nga palët bëhet e ditur se PD-ja ka siguruar mbështetje për legalistët me dy vende në Kuvend, me ballistët një vend, ndonëse ata këmbëngulin edhe për një tjetër, ndërkohë që PDI-ja e Muhedinit është në proces negociatash me demokratët. Kohët e fundit kjo parti ka pasur presione nga baza e saj për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga PD-ja. Kundrejt kësaj, shumica e partive të vogla parlamentare kanë deklaruar tashmë koalicionet, përkrah të cilave do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kështu, Partia Republikane, Liberal Demokrate dhe Partia Agrare kanë zgjedhur koalicionin e Partisë Demokratike. PBDNJ-ja mbetet ende e pavendosur për mënyrën e përfaqësimit të saj në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që reformatorët e Genc Pollos janë në proces shkrijeje me demokratët e Berishës. Paralel me aleancën e djathtë, është krijuar dhe “Poli i Lirisë” në të cilin marrin pjesë ish-të larguarit nga PD-ja. Gjatë një interviste publike, nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me këtë lëvizje të re politike, gjithnjë në funksion të një mandati të ri qeverisës të së djathtës. Duket se dy janë arsyet kryesore, të cilat partitë e vogla parlamentare kanë zgjedhur t’u bashkohen koalicioneve të dy partive të mëdha, PS e PD. Avantazhi kryesor i tyre për futjen në këto koalicione është i lidhur ngushtësisht me ndërthurjen në Kodin Zgjedhor të dy formulave për shpërndarjen e mandateve, formula D’Hondt dhe formula Saint Laguw. Partitë në fjalë avantazhohen nga ky fakt, pasi ato do të kenë mundësi që të përfitojnë mandate deputeti, edhe pse mund të kenë më pak vota se partitë kryesore të koalicioneve të tjera, që garojnë përballë koalicionit të PD-së dhe koalicionit të PS-së. Avantazhi tjetër kryesor lidhet edhe me hapësirat qeverisëse që ato mund të përfitojnë në rast të fitores së koalicioneve në të cilat ato bëjnë pjesë. Koalicioni i përbërë konceptohet si fundi i pazareve paraelektorale, duke i nënshtruar rezultatin vullnetit të elektoratit. Në thelb, partitë konkurrojnë me siglat, listat dhe programet e tyre e në fund të votimit marrin aq mandate sa u takojnë. Kjo lejon koalicione të cilat bëjnë që votuesi të zgjedhë alternativën e 28 qershorit: mes të djathtës dhe të majtës.