E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Kosovë, mbyllet procesi i votimit

Në Kosovë është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në orën 19:00. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri në orën 15:30 kanë votuar rreth 32.86 për qind e elektoratit në nivel kombëtar. Këtë shifër e bëri publike kryeshefi i KQZ-së, Xhemajl Peçani. Vlerësimet për ecurinë e procesit zgjedhor në 36 komuna të Kosovës kanë qenë në një masë të madhe pozitive. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, deklaroi në mesditë se shumica absolute e qendrave të votimit ishin hapur që në orën 7:00. "Në disa qendra votimi, kryesisht në veri të Kosovës, kjo nuk ka qenë e mundur", tha Lushta.
Procesi në përgjithësi ka ecur korrekt dhe pa incidente serioze. Megjithatë partitë kanë denoncuar disa raste problematike. Gjatë ditës, LDK raportoi disa shkelje teknike. Në shkollën "Migjeni", në një nga qendrat kryesore në qytetin e Mitrovicës është kërcënuar nga disa persona nje aktivist i LDK-së. Edhe koalicioni i OJQ-ve kosovare "Demokracia në Veprim" raportoi disa parregullsi, por jo aq të medha sa për të ndikuar në procesin zgjedhor. Në orët e paradites votuan thuajse të gjithë liderët partiakë dhe kandidatët për poste qeverisëse në pushtetin vendor që do të dalë nga këto zgjedhje. Në deklaratat e tyre me këtë rast ata bën thirrje për dalje masive të qytetarëve në votim, duke i quajtur historike edhe për arsye se janë zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Më shumë se 1,5 milionë banorë të Kosovës kanë qenë të regjistruar si votues në listat përkatëse. Gjatë procesit të votimit ishin të hapura 2.200 qendra votimi, ndërsa mbi 100 vëzhgues ndërkombëtarë dhe mbi 20 mijë vëzhgues vendorë kanë vëzhguar këtë proces.
Në garë për kryetarë komunash ishin 205 kandidatë, kurse për këshilltarë komunash 6.582 pretendentë, nga 76 subjekte, 22 prej të cilëve janë të komunitetit serb.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›