Tre të kapur për kontrabandë, hetim doganierëve
Policia arrestoi dy tregtarë dhe një shofer të cilët u kapën me mallra kontrabandë nga Rinasi
Dy doganierë e një përgjegjës turni dërgohen për ndjekje penale pas rastit. Akuzë për shpërdorim detyre
TIRANË- Tre punonjës të pikës doganore të Rinasit janë vënë nën akuzë për shpërdorim detyre, pas ndalimit nga policia të tre personave me mallra kontrabandë të kapur pranë Kasharit. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e kryeqytetit e cila nëpërmjet një deklarimi zyrtar pohoi se tre persona, dy prej të cilëve tregtarë ishin ndaluar në afërsi të mbikalimit të Kasharit me një sasi mallrash konfeksione të futura kontrabandë nëpërmjet aeroportit të Rinasit nga Turqia. Policia nuk ka bërë të ditur emrat e doganierëve të cilët sipas saj aktualisht po ndiqen në gjendje të lirë.
Operacioni i koduar "Blu xhins", i Antikrimit Ekonomik të Policisë së kryeqytetit ka ndaluar Sinan Dokun, 59 vjeç, banues në Tiranë, Dedë Gjonajn 52 vjeç, banues në Rrëshen dhe Albert Daçin, 35 vjeç, banues në kryeqytet, dje rreth orës 10:30 në vendin e quajtur Qafë Kashar, ndërsa secili prej tyre lëvizte me automjetin e tij personal. Po sipas burimeve zyrtare të policisë, 59- veçari Doku ka qenë më parë i proceduar penalisht për veprën penale të "tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë".
Ndërkaq, pas arrestimit të tyre dhe bllokimit të mallit kontrabandë, hetuesit e policisë kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit ndërsa në bashkëpunim me policinë e komisariatit të aeroportit kanë kryer veprime të tjera hetimore, duke sekuestruar kasetat me pamjet filmike të momentit kur kanë hyrë në kufi, tregtarët si dhe deklarimet që kanë bërë në doganë. Policia nuk ka mundur të kontaktojë me ta fillimisht pasi dy doganierët dhe një përgjegjës turni nuk janë gjetur nga policia. Ndërkaq, më parë oficerët blu, iu kishin bllokuar tregtarëve në cilësinë e provës materiale të gjitha mallrat kontrabandë që gjendeshin në makinë që kryesisht ishin rroba të ndryshme, si 500 palë pantallona xhins të llojeve të ndryshme, 500 copë bluza si dhe mallra të tjerë.
Sipas të dhënave nga Policia e kryeqytetit, vlera e mallit të sekuestruar kap vlerën e 15 milionë lekëve të vjetra si dhe ishte i destinuar për t'u hedhur në tregun industrial prnë Medresesë ku edhe kishin dyqanet tregtarët e ndaluar. Nga hetimet e policisë dyshohet se mallrat vinin në Aeroportin e Rinasit nga Stambolli. Sipas hetuesve, për aktivitetin e tre personave të arrestuar do të vazhdojnë për të zbuluar nëse kanë kaluar më parë nga Rinasi mallra të tjerë kontrabandë.
Policia ka bërë të ditur se pas kalimit të mallrave kontrabandë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë edhe dy doganierë të Doganës së Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza". Ndërkaq, burimet pohuan se bashkë me ta nën hetim është marrë edhe përgjegjësi i tyre i turnit. Sot pritet që dosja hetimore përkatëse e krijuar pas operacionit "Blu Xhins", t'i kalojë Prokurorisë së Tiranës me akuzën e "tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë"