E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porta e Kakavijes e pakalueshme per shqiptaret pa viza

Kakavijë Në dy ditë u kthyen 350 veta, kaluan vetëm 30

Pika e Kalimit Kufitar e Kakavijës, që në anën greke kontrollohet nga Drejtoria e Policisë së Rajonit të Epirit është shndërruar në simbolin e zhgënjimit të shqiptarëve që prisnin të lëviznin pa viza nga data 15 dhjetor 2010.

Dje, në ditën e dytë të hyrjes në fuqi të vendimit për lëvizjen e lirë brenda hapësirës Shengen, rreth 150 qytetarëve shqiptarë u është refuzuar hyrja për në Greqi nga pika kufitare e Kakavijës. Kësisoj entuziazmi është zbehur përballë ftohtësisë dhe qëndrimit aspak dashamirës të kontrollorëve grekë që refuzuan kalimin në Greqi të shumicës së personave që u paraqitën në sportele me pasaporta biometrike. Burime të besueshme të policisë shqiptare kufitare në Kakavijë bëjnë të ditur se rreth 350 qytetarëve shqiptarë që u është refuzuar hyrja në shteti grek, ndërkohë që brenda 48 orëve të fundit kanë përfituar nga lëvizja pa viza vetëm 30 persona. Ndërkaq, mësohet se për këtë arsye ka shkuar me urgjencë në Kakavijë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit që mbulon Kufirin, Pëllumb Nako, i cili ka nisur negociatat me palën greke për të sqaruar situatën. Pas takimit, zoti Nako nuk ka pranuar të komentojë takimin për mediat e pranishme në Kakavijë, por edhe drejtuesit dhe zëdhënësit e policisë së rendit dhe të kufirit kanë refuzuar të komentojnë dhe të japin informacion për situatën. Ndërkaq, edhe gjatë ditës së dytë, motivet e kthimit mbrapsht të udhëtarëve shqiptarë, kanë qenë të njëjta: mungesa e sigurimit shëndetësor për udhëtim, mungesa e dokumenteve të vlefshme zyrtare që vërtetojnë adresën dhe statusin e personit pritës në Greqi, si dhe mungesa e parave të mjaftueshme për të qëndruar në territorin grek. Sipas njërit prej personave të kthyer dje nga policia kufitare greke, qytetarëve shqiptarë u kërkoheshin dokumente të shumta në sportel, derisa mundësohej refuzimi i hyrjes së tyre. “Në fillim të kërkonin siguracionin. Nëse e kishe atë, të pyesnin ku do shkoje. Nëse përgjigjeshe saktë edhe për këtë të kërkonin adresën. Nëse e kishe edhe adresën e saktë të kërkonin një ftesë të vulosur nga policia greke. E nëse e kishe edhe këtë, të numëronin paratë që kishe me vete”, tregoi një i ri nga Fieri, i cili nuk mundi të shkonte dje për vizitë te vëllai i tij, emigrant me dokumente të rregullta në Athinë.

Burime të besueshme nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit thanë për “Shqip” se nga pala greke nuk ka asnjë argument ligjor për këtë frenim masiv të lëvizjes së lirë, por nga ana tjetër kufitarët e vendit fqinj nuk kanë pranuar të japin sqarime për homologët shqiptarë, të cilët qëndrojnë kokulur përpara bashkëqytetarëve, të cilët pak minuta pasi kalojnë sinorin, kthehen përsëri mbrapsht.

Dhjetëra qytetarë të tjerë të frikësuar nga qëndrimet e kontrollorëve grekë të kufirit nuk kanë preferuar të provojnë kalimin, por kanë qëndruar në pritje në territorin e doganës greke dhe shqiptare, me shpresë që situata të ndryshojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›