E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi i bulevardit, 7 studiot që garojnë për projektin

07/03/2012   Nesër konkursi ndërkombëtar

Zgjerimi i bulevardit me 1.7 km, e masterplani për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km

Shtatë prej studiove arkitekturore ndër më të dëgjuarat në botë do të garojnë gjatë ditës së nesërme për projektin e zgjatimit të bulevardit e rehabilitimin e lumit të Tiranës. I konsideruar si një ndër projektet më strategjike, punimet për zgjatimin e bulevardit do të marrin jetë brenda një kohe të shkurtër, ndërsa studioja që do të kryejë këto punime do të konfirmohet gjatë konkursit ndërkombëtar, që do të zhvillohet mëngjesin e ditës së nesërme. Tashmë janë zbardhur edhe shtatë studiot arkitekturore që do të hapin siparin e garës për projektin fitues për zgjerimin e bulevardit në një gjatësi prej 1.7 km.

Studio “DAR Group Turkey & United Kingdom”, “West 8” - The Netherlands, Albert Speer & Partners - Germany, Cino Zucchi Architetti - Italy, Gerkan, Marg & Partners - Germany, Kees Christianse & Partners - The Netherlands, Grimshaë Architects - United Kingdom do të prezantojnë masterplanet për zgjatimin e bulevardit deri te lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj prej 132.8 ha. Po kështu këto studio do të sjellin dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth. Shtatë studiot arkitekturore do të paraqesin propozime për zhvillimin e zonës nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, përfshirë edhe zgjatimin e bulevardit si dhe për zhvillimin e kodrave të Paskuqanit. Konkursi do të jetë i hapur për të gjithë ata që janë të interesuar. Sa i takon zgjerimit të bulevardit, është menduar shtrirja e tij të arrijë deri te stacioni i Trenit dhe përgjatë lumit të Tiranës, në një gjatësi prej 1.8 kilometra. Kështu, zgjerimi do të shkojë drejt lumit të Tiranës në hapësirën mes urës së Brarit dhe urës së Kamzës dhe më tej zgjatimi nga lumi i Tiranës deri në rezervuarin e Paskuqanit, ku gjithçka do të zhvillohet në bashkëpunim me komunën përkatëse. Pas prezantimit nga studioja maketet do të ekspozohen në hollin e Pallatit të Koncerteve për t’u lënë kohë edhe qytetarëve që të konsultohen me propozimet e paraqitura. Shpallja e projektit fitues do të bëhet mëngjesin e datës 9 shkurt, projekt i cili do të shoqërohet më pas me zbatimin e menjëhershëm në terren.

Juria që do përzgjedhë projektin

Njëkohësisht janë detajuar edhe ekspertët që do të vlerësojnë projektet e paraqitura.

Kështu, projekti më i mirë do të përzgjidhet nga një juri me personalitet kombëtar dhe ndërkombëtar, e përbërë nga Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës; Daniel Libeskind - kryearkitekti i studios “Daniel Libeskind” në SHBA; prof. dr. Sarah Whiting, dekane e shkollës së arkitekturës në Universitetin “Rice”, SHBA; Giles Robin Dolphin, ish-kryeurbanist në Londër; Dr. Philipp Rode, drejtor ekzekutiv i Shkollës Ekonomike në Londër për qytetet dhe i Shoqërisë së Kërkimeve të Larta, ku aktualisht drejton forumin e drejtorëve në Qendrën Kërkimore të Shkollës Ekonomike në Londër; Ulrike Bega, këshilltare e kryetarit të Bashkisë; Flamur Kuçi, këshilltar i Kryeministrit; prof. dr. Apollon Bace, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës; prof. dr. Agron Lufi, pedagog i Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës.

7 studiot që do të garojnë për projektin e zgjerimit të bulevardit

AS & P – Albert Speer & Partners

Zyra “Albert Speer & Partner GmbH” me seli në Frankfurt-mbi-Majn (Gjermani) dhe Shangai (Kinë) ndërvepron me metoda rinovuese në arkitekturë, urbanistikë dhe transport prej mbi 40 vjetësh në planifikimin ndërkombëtar dhe ngritje përvoje.

Punimet kryesore: Masterplani “North Bund”, Shangai, Kinë; “Masterplani A 101”, pjesa perëndimore, Moskë, Rusi; Masterplani urbanistik i qendrës së Këln, Gjermani.

CinoZucci Architetti

Zyra “Studio CinoZucchiArchitetti” është një nga studiot fituese në arkitekturë dhe zyrë e planifikimit urban nga Milano, Itali. Studioja është duke kërkuar në vijim për zgjidhje hapësinore të jetës bashkëkohore në kontekstin e ndryshimit të shpejtë dhe të hollësishëm në sfondin evropian.

Punimet kryesore: Masterplani i Kornaredos, Lugano, Zvicër, zona formale industriale Junghans, Giudecca, Venecia, Itali, porti i vjetër EpanoSkala në Mytilene – Lesbo, rikualifikimi Alfa Romeo – NuvoPortello – Milano, KeskiPasila në Helsinki.

Dar Al-Handasah (Shair and Partners)

Zyra :Dar Al-Handasah” (Shair & Partners) ka qenë një nga studiot e para për planifikimin, hartimin dhe zbatimin e projekteve të zhvillimit në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi që në fillim vitin 1956. Sot ajo ka konsulencë me 43 zyra në 30 vende të njohura për identifikimin e problemit, skica të gatshme, cilësi për shpërndarjen në kohë dhe ekspertizë multidisiplinore. Punimet kryesore: Oqyana (Segmenti botëror Australi-Azi), Dubai, UAE; Masterplani Bonny në Nigeri; aeroporti “Sharm el-Shejk” në Egjipt;

GMP - Gerkan Marg & Partners

Zyra “Gerkan, Marg & Partners” u themelua në vitin 1965 me praktika arkitekturore, që sot përfshin mbi 500 punonjës në 10 qendra në Gjermani dhe mbarë botën. Studioja GMP është një nga vlerat e rralla në pozicionin e kërkuesit, që merr përgjegjësi për projektin nga ideja e planifikimit dhe realizimi i saj përmes arredimit. GMP ka demonstruar kompetenca urbanistike me propozimet e tyre vizionare për "Shtutgart 21" Deutsche Bahn, Hafen City Hamburg, si dhe masterplanin urban të Bukureshtit, Romani, dhe shumë projekte urbane në Kinë, si plani në Lingang, qytet i ri me 800 000 banorë.

Punime kryesore aeroporti Berlin–Tegel; qendër ekspozite “EXPO 2000”; rindërtimi i stadiumit olimpik në Berlin; stacioni kryesor i trenit në Berlin, Lingang, qytet i ri me 800 000 banorë; Ekspozitë dhe qendra të organizimit të kongreseve në Nanning & Shenzhen, Kinë; Muzeu Kombëtar në Bixhing.

Arkitektët Grimshaw

Zyra: Firma u hap në vitin 1980 nga Nicholas Grimshaw, e cila ishte një nga pionieret e arkitekturës me teknologji të lartë. Praktika u shndërrua në partneritetin e vitit 2007 dhe operon në mbarë botën me zyrat e saj në Nju-Jork, Londër, Melburn dhe Sidnei, duke punësuar një personel prej mbi 250 punonjës. Portofoli ndërkombëtar Grimshaw mbulon gjithë sektorët kryesorë dhe u nderua me mbi 150 çmime ndërkombëtare për planifikim

Punimet kryesore: Terminali ndërkombëtar “Uoterlu’, Londër; stacioni i Pedingtonit: faza e parë e rikualifikimit, Londër, MB; aeroporti “Stansted - Generation 2”, masterplani, Londër, MB; Projekti “Eden”, “Cornuoll’, MB; aeroporti “Heathrow Pier 4A”, Terminali A2 Concourse B; Londër, MB.

KCAP Arkitektë & Urbanistë

Zyra: KCAP Urbanistë dhe arkitektë është një studio holandeze me seli në Roterdam (Holandë), Zyrih (Zvicër) dhe Shangai (Kinë) për arkitekturën, krijimin e hapësirave urbane dhe urbanistikën, e themeluar nga KeesChristiaanse në vitin 1989. Gjatë 20 vjetve të fundit KCAP vetpërcaktohet si një nga praktikat kryesore ndërkombëtare në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës.

Punimet kryesore: “Hafencity” në Hamburg (Gjermani); Masterplani strategjik “Perm 2020” (RS); vizioni për aeroportin “Schiphol” të Amsterdamit; Vizioni Strategjik në Bruksel 2040; Parku olimpik jugor, Bixhing, Kinë, 2009; kuadri i trashëgimisë së masterplanit, Londër, Angli.

Studio “West 8”

Zyra: “West 8” është një nga zyrat e themeluara në vitin 1987, që ka fituar çmimin ndërkombëtar të planit urbanistik dhe arkitekturës urbane. Në këta 20 vjetët e fundit “West 8” është vetpërcaktuar si një nga aplikuesit kryesorë me një ekip ndërkombëtar prej 70 arkitektë, urbanistë, arkitektë dhe inxhinierë si dhe inxhinier multidimensional. Zyra kryesore “West 8” e ka selinë në portin e Roterdamit dhe ka tri filiale në Belgjikë, Nju-Jork dhe Toronto. Punimet kryesore: Schouwburgplein në Roterdam (Holandë), Borneo Sporenburg në Amsterdam (Holandë), Chiswick Park në Londër (MB); Guvernatorët e Islandit në Nju-Jork, SHBA; projekti për Skelën në Toronto, (Kaliforni); Playa de Palma në Majorka (Spanjë) parku “Linkoln” në Majami (SHBA).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›