E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhet mes debatesh anëtari i ri i KLD-së

Votimi u bë me 71 vota pro, ku siç thuhet, nuk dhanë votën e tyre deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Seanca e sotme u shoqërua me debate të ashpra midis mazhorancës dhe opozitës në Parlament, ku fillimisht ishte paralajmëruar që miratimi të bëhej me kuti pra me votë të fshehtë. Më pas, pas një incidenti me fletët e votimit, mazhoranca ka hedhur për miratim në mënyrë elektronike kandidaturat. Pas kësaj, opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Debati nisi, kur mazhoranca kërkoi që fletët e votimit të firmoseshin nga tre sekretarët e Kuvendit, në momentin që ato do të tërhiqeshin nga deputetët. Kjo shkaktoi probleme në sallë, aq sa deputetët socialistë u ngritën nga karriget e tyre duke u mbledhur pranë podiumit.

Topalli: Opozita dhunë ndaj parlamentarizmit

Pas mbylljes së seancës, kryetarja e Kuvendit, reagoi me anë të një deklarate për shtyp, duke dënuar dhunën sipas saj, të organizuar nga një grup deputetësh të opozitës. Kuvendi sqaron procedurën e ndjekur, ku siç thuhet, ajo ishte në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, me votim të fshehtë dhe me kuti për dy kandidaturat alternative të paraqitura sipas vullnetit konsensual të dy palëve.

“Procedura e votimit të fshehtë me kuti, parashikon se sekretariati i votimit, administron procesin me fuqi të plota. Ai administron fletët e votimit të cilat vulosen dhe firmosen nga të gjithë anëtarët përpara se t’i dorëzohen secilit deputet që kryen procedurat e votimit. Votimi kryhet individualisht në dhomën e fshehtë të ngritur për këtë qëllim. Kështu ka ndodhur votimi në 20 vjet parlamentarizëm kur çdo deputet voton brenda parlamentit, kështu ka ndodhur votimi në 20 vjet demokraci, kur çdo shqiptar voton në zgjedhje”, thuhet në reagim.

Më tej, Kuvendi i Shqipërisë thekson se për herë të parë grupi i opozitës dhunshëm kërkoi të ndryshoheshin këto procedura, “kërkoi që t’i rrëmbente kompetencën sekretariatit të votimit dhe procesi i votimit të administrohej sipas urdhrave që Gramoz Ruci i merrte me telefon. Në këtë akt dhune, Gramoz Ruci, pasi konsumoi kërcënimet për bllokim të votimit, rrëmbeu fletët e votimit për të mos lejuar votimin me fletë”.

Për ballë kësaj situate, Topalli ka hedhur për miratim në mënyrë elektronike. “Ky veprim i dhunshëm i drejtuar nga Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste z.Gramoz Ruçi është forma më e shëmtuar e praktikave recidiviste me të cilat Partia Socialiste, kërkoi prej më shumë se dy vjetësh të mbante Shqipërinë larg prej procesit të integrimit. Ky veprim u krye në kundërshtim flagrant me procedurat që përcakton rregullorja për votimin, me praktikën 20 vjeçare parlamentare për këtë çështje dhe në shkelje të vendimit përkatës të Komisionit të votimit”, thuhet më tej.

Zonja Topalli e konsideron dhunë të qëllimshme ndaj Parlamentit, parlamentarizmit dhe shtetit ligjor. “Për këtë arsye Kryetarja e Kuvendit shpreh mospajtimin e saj të hapur dhe publik me këtë shfaqje të shëmtuar dhe i bën thirrje Grupit Parlamentar të PS të analizojë me përgjegjësi veprimin dhe t’i kthehet parlamentit dhe shtetit ligjor”, përfundon reagimi.

Kush është anëtari i ri i KLD-së?

Anëtari i ri i KLD-së, Elvis Cefa, 39-vjeç, u zgjodh si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas dorëheqjes që dha nga ky post në fillim të muajit shkurt të këtij viti, Kreshnik Spahiu. Cefa , i cili deri dje mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është diplomuar në vitin 1996 në Fakulteti e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Në vitet 1996-2000 ka punuar inspektor në Kontrollin e Lartë të Shtetit, për të vijuar më pas me pozicionin e drejtorit të Departamentit Rajonal Tiranë të KLSH-së. Në vitet 2000-2004 ka qenë inspektor në Drejtorinë e Kontrollit Financiar, pranë Prefektit të Qarkut Tiranë. Nga maj 2004-janar 2005 mbante detyrën e juristit në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa në vitet 2005-2006, atë të juristit në Departamentin Juridik dhe Kontrollit të Cilësisë në KLSH, Tiranë.

Në vitet 2006-2009 ka punuar inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave. Në karrierën profesionale të Elvis Cefës përfshihen dhe një numër trajnimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e auditimit në sektorin publik, për praktikat antikorrupsion etj. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2012-04-12 14:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›