E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket italiani me makinën e marrë me qira

Një i moshuar italian është zhdukur
në mes të Tiranës bashkë
me makinën e marrë me qira. Denoncimi
është bërë nga kompania që
kishte lëshuar makinën, por policia nuk
po gjen jo vetëm makinën, por edhe italianin.
Luigi Di Martino mendohet se kishte
ardhur në Shqipëri për turizëm, por ai ka
humbur kontaktet me firmën qiradhënëse,
e cila në këto kushte ka denoncuar
në polici. Sipas të dhënave të para hetimore,
mësohet se 63-vjeçari italian është
paraqitur më datë 28 të muajit të kaluar
te kompania "Euro Car Albania" për të
marrë një makinë me qira. Ai ka pyetur për
çmimet dhe ka vendosur të marrë një
makinë "Fiat Panda", me targë TR 5942 P.
Ai ka lidhur kontratën e qirasë me kompaninë
dhe ka marrë makinën për disa
ditë. Aty ka lënë një kopje të pasaportës
dhe numrin e telefonit, me të cilin mund
të kontaktohej. Por ditët kanë kaluar dhe
më datë 3 të këtij muaji, pra tri ditë më
parë, duhet të dorëzonte makinën. Ai nuk
është paraqitur në kompani dhe në këto
kushte, një ditë më vonë, përfaqësuesit e
saj kanë denoncuar në polici. Sipas të
dhënave hetimore, kompania kërkon që
ai të kthejë makinën dhe 585 euro, pjesë
e këstit të qirasë. Policia ka nisur kërkimet
për italianin, por deri dje nuk ka mundur
ta gjejë. Veç makinës së marrë me qira,
problemi duket se do marrë përmasa më
të mëdha, nëse nuk gjendet italiani 63-
vjeçar. Në këto kushte, policia ka kërkuar
informacion për të në të gjitha pikat e kalimit
kufitar, por deri tani nuk ka asnjë të
dhënë. Emri i tij u është dhënë të gjitha
shërbimeve të policisë dhe vazhdojnë hetimet
për gjetjen dhe marrjen në pyetje të
tij në lidhje me këtë rast. Mendohet se ai
mund të ketë udhëtuar në qytete të Shqipërisë
dhe që mund të kthehet sërish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›