E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata nuk lejon biznesmenin nën hetim për tu kuruar në Turqi

Vendimi Ilir Sulo është i pandehur për “tenderin e uniformave në Ministrinë e Brendshme”. Gjykata e cilësoi të rrezikshëm

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Ilir Sulo, person nën hetim për “tenderin e uniformave në Ministrinë e Brendshme, që kërkonte të largohej jashtë vendit për kurim. Sulo është aktualisht në masën “arrest shtëpie” dhe i kërkoi gjykatës ta lejonte të shkonte për kurim në Turqi, pasi vuan në sëmundjet e “enëve të gjakut”. Kërkesa është regjistruar në gjykatë dhe nga verifikimi ka rezultuar se “ndaj shtetasit Ilir Sulo është filluar procedimi penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me akuzën se ka kryer veprën penale të ‘Korrupsionit aktiv të personave, që ushtrojnë funksione publike’, ndërsa gjykata ka caktuar më 21 dhjetor të vitit të kaluar masën e arrestit shtëpiak”. Sulo dhe mbrojtja e tij i drejtohen Gjykatës së Tiranës për lëshimin e autorizimit për dalje jashtë shtetit të tij, me qëllim kurimi, pasi vuan nga një sëmundje e enëve të gjakut, që shoqërohet me marrje mendsh, humbje të ekuilibrit dhe probleme të tjera sekondare dhe ky shtetas ka nevojë për të kryer një vizitë të specializuar mjekësore në një spital turk. “Sa më sipër kërkon dhënien e autorizimit nga gjykata për dalje jashtë shtetit, për pesë ditë, të këtij shtetasi. Si prova paraqet një rekomandim nga mjekja patologe, qendra shëndetësore nr. 1, Elbasan, si dhe një raport i përkthyer nga turqishtja, firmosur dhe vulosur”, thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas saj, prokurori u shpreh në seancë gjyqësore, që me këtë gjendje, që janë aktet nuk mund t’i marrë si prova të mirëqena. Gjykata vëren se këto prova nuk kanë efekt provueshmërie. Një nga këto prova është faks dhe e panoterizuar. “është regjistruar në procesverbalin gjyqësor që kur shtetasi Ilir Sulo u pyet nga gjykata, se nga çfarë sëmundje gjaku vuante, ai nuk dinte të përgjigjej”, shkruhet në vendim. Gjykata çmoi se nëse Ilir Sulo ka probleme shëndetësore, ai mund të kurohet edhe në Shqipëri, pasi ka plot laboratorë të specializuar për sëmundjet e gjakut. Në këto kushte gjykata e rrëzoi kërkesën e tij. “Në refuzimin e kësaj kërkese sigurimi gjykata mban parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, nevojat e sigurimit për këto lloj veprash penale, qëndrimin e organit të akuzës, gjithashtu gjykata mban parasysh rrezikshmërinë shoqërore të këtij shtetasi, ai vërtet është i padënuar më parë, por vepra e kryer prej tij ka sjellë pasoja të rënda. Në këto rrethana, kërkesa e këtij shtetasi për dhënie autorizimi për lejim dalje jashtë shtetit është e pashoqëruar në prova, prandaj ajo duhet të mos pranohet”, përfundon vendimi i gjykatës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›