E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Kryeziut, Familjarët letër Topit

Pesë muaj pas "rrëmbimit" familja e Ismet Kryeziut kërkon zbardhjen e çështjes. Bashkëshortja Anila Leli i lutet Presidentit të bëjë presion ndaj prokurorisë për hetimin e dosjes. 

TIRANE- Po na vret indiferentizmi i shtetit. Nuk dimë asgjë për fatin e të dashurit tonë. Ju lutem na ndihmoni". Me këto fjalë i janë drejtuar Presidentit Bamir Topi, bashkëshortja dhe vjehrri i Ismet Kryeziut, kosovarit të zhdukur prej më shumë se pesë muajsh. Anila Leli dhe babai i saj Çerçizi, i kanë kërkuar kreut të shtetit të ndërhyjë për zbardhjen e çështjes. Familjarët janë ankuar se nuk po bëhet asgjë nga autoritetet për të hedhur dritë se çfarë ka ndodhur me njeriun e tyre. Madje e kanë vënë në dijeni presidentin se, prokuroria po iu mban të fshehtë çdo detaj lidhur me hetimet. Sipas avokatit të familjes, Idajet Beqiri, kreu i shtetit i ka kërkuar kryeprokurores Ina Rama të trajtojë me përgjegjësi ngjarjen e zhdukjes së kosovarit Kryeziu, që njihet si mik i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur 14 vjet më parë. Kanë kaluar afro 150 ditë nga zhdukja e ish-furnitorit të UÇK-së, dhe ende nuk është mësuar asgjë për fatin e tij. Prokuroria e ka klasifikuar ngjarjen si rrëmbim, në një kohë kur nuk ka të dyshuar.
Ish-eksponenti i Frontit të Rezistencës për Kosovën dhe UÇK-në, rezulton i zhdukur prej afro pesë muajsh. Denoncimi për zhdukjen e mikut të biznesmenit të zhdukur shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha 14 vjet më parë, u bë nga bashkëshortja e tij, gazetarja Anila Leli. Ajo i tha policisë se Ismeti kishte dalë nga shtëpia për të takuar disa miq dhe nuk ishte kthyer më. Fillimisht u dyshua si një largim me dëshirë, por kur më vonë në shtëpinë e tij u gjetën tri pasaportat e tij, atëherë ngjarja u klasifikua nga policia dhe prokuroria si rrëmbim. Ish-furnitori i UÇK-së ka hyrë për herë të parë në Shqipëri në vitin 1991. Në vitin 2000 u arrestua si eksponent i Armatës Kombëtare Shqiptare, por rifitoi lirinë pak kohë më pas. Për aktivitetin e tij për bashkimin kombëtar, Kryeziu ka dhe dy dënime, 7 dhe 8 vjet të dhëna nga serbët.

(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›