E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilancet: Ndjekje penale për dhjetë shoqëri biznesi

26/04/2009  Iu shmangën shlyerjes së taksave dhe tatimeve, u pushohet aktiviteti

DURRES- Dhjetë shoqëri me aktivitet të ndryshëm në qarkun e Durrësit janë bërë objekt hetimi nga oficerë të Policisë Gjyqësore. Sektori i Luftës kundër Krimit Ekonomik e Financiarë ka plotësuar të gjithë dosjen ndaj të akuzuarve për veprën penale të mospagimit të taksave dhe tatimeve. Subjektet “Plava”, “Almond”, “Punëtori”, “E D I Konstuksion”. “Adnain”, “Adria Trans”, Euro Al”, “Enver Ball ash p k”, “Euro Beton” dhe shoqëria “Gjema” janë penalizuar nga Drejtoria e Tatimeve dhe taksave për shmangie të detyrimeve tatimore. Denoncimi është bërë disa kohë më parë, por dje është deklaruar procedimi penal ndaj të dhjetë administratorëve. Bëhet fjalë për shoqëri tregtare me statusin e bizneseve juridike që operojnë në qytetin e Durrësit dhe me aktivitet që shtrihet edhe jashtë këtij qyteti përmes filialeve të hapura në vende të ndryshme.

Procedimi

Procedimi penal për të 10 administratorët, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik as nga Drejtoria e Tatimeve dhe as nga policia e Durrësit, ka nisur vetëm një ditë më parë. Që në muajin mars, saktësisht më 13 mars 2009 strukturat e luftës kundër krimit ekonomik e financiarë kishin nisur të zbatonin vendimin për të goditur veprimtaritë e paligjshme. Shoqëritë tregtare, gjithnjë sipas tatimeve e taksave në Durrës, janë vënë disa herë në epiqendër të qortimit për mospërgjigje në këtë drejtim deri sa ka ardhur edhe çasti i padisë penale. Këto shoqëri do të duhet të pushojnë aktivitetin deri sa ata të arkëtojnë një për një detyrimit e taksës dhe tatimeve. Sipas informacione që vijnë nga Drejtoria e Tatimeve dhe Taksave, institucioni ky që ka bërë padinë penale, këto shoqëri dhe administratorët e tyre ishin bërë disa herë problem për parregullsi në këtë drejtim. Fillimisht mësohet se secila prej tyre është gjobitur nga tatimet e Durrësit dhe në kohën që është vërejtur mosreagim ndaj gjobës tatimet kanë plotësuar dosjen e kallëzimit penal. Procedimi i administratorëve të këtyre subjekteve filloi në kuadër të masave që janë marrë për goditjen e veprimtarisë kriminale për krimet në fushën e kontrabandës dhe tatim taksave. Shoqëritë e mësipërme kanë aktivitete të ndryshme shërbimi e linja prodhimi si: prodhim betoni, transport mallrash, firma ndërtuese, konfeksionesh etj.

Mospagimi i taksave dhe tatimeve rrezikon vënien përballë falimentit të gjitha shoqëritë, të cilat pritet të përballen me gjykatën. Një muaj më parë kreu i Tatimeve pati bllokuar plot 62 dosje të disa subjekteve, të cilat kishin mbyllur aktivitetin duke shpallur falimentimin çka rezultoi fiktive dhe u burgosën disa zyrtarë vendorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›