E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhigalov-Berishës: Vlerësoj arritjet në reforma dhe zhvillimin e madh të vendit

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha takoi të Dërguarin Special në Detyrë të OSBE-së, Konstantin Zhigalov. Në këtë takim i Dërguari Special i Kryetarit në Detyrë të OSBE-së shoqërohej nga Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bosch. Kryeministri Berisha i shprehu mirëseardhjen zotit Konstantin Zhigalov dhe anëtarëve të delegacionit dhe falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen që OSBE i ka dhënë Shqipërisë nëpër vite, veçanërisht në proceset e demokratizimit dhe të reformave zgjedhore, procese të cilat kanë qenë një ndihmë e rëndësishme në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe në BE. Më pas, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare të fokusuara në plotësimin e kritereve dhe standardeve të kërkuara për realizimin e projekteve më madhore për shqiptarët, integrimin në BE dhe liberalizmin e vizave. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e arritjeve të standardeve më të larta në procesin zgjedhor, të cilat u konkretizuan në zgjedhjet e qershorit 2009, zgjedhje të certifikuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Zhigalov i shprehu vlerësimet kreut të ekzekutivit shqiptar, për arritjet në reformat dhe në zhvillimin e madh të vendit në të gjitha fushat, si dhe e përgëzoi atë për arritjen e qëllimit madhor për Shqipërinë, anëtarësimin në NATO duke uruar sukses edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›