Zhigalov takon Ramën: Politika shqiptare të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka pritur pasditen e sotme të dërguarin special të Kryetarit në Detyrë të OSBE-së, Konstantin Zhigalov. Në këtë takim i Dërguari Special i Kryetarit në Detyrë të OSBE-së shoqërohej nga Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bosch. Në takim u fol kryesisht për krizën politike, të krijuar pas zgjedhjeve 28 qershorit. Nga ana e OSBE u përshëndet hapi i bërë nga Partia Socialiste për të hyrë në parlament, si edhe për propozimin për zgjidhjen e krizës me anë të iniciativave ligjore. Gjithashtu, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PS, iu kërkua politikës shqiptare që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë për këtë problem kaq të rëndësishëm. Kryetari Edi Rama, theksoi se nuk po kërkohet ndryshimi i rezultatit zgjedhor, por PS kërkon që hetimit të zgjedhjeve t’i shkohet deri në fund, sepse ky proces do t’i shërbejë standardit të zgjedhjeve të ardhshme.