Zhvendosja e zyrës së QKR-së, kryebashkiaku i Kavajës letër Berishës

Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Berisha i kërkon këtij të fundit të ndërhyjë në mnëyrë që zyra lokale e QKR-së rë vendoset në një ambient të përshtatshëm në qëndër të qytetit të Kavajës.
“Me shpresën se vazhdoni të jeni i informuar rreth problematikës që shqetëson qytetarët e zonës Tuaj zgjedhore, dua t`Ju sjell në vëmendje një fakt tronditës për qytetin dhe qytetarët e Kavajës. Prej disa ditësh, zyrat lokale të Qendrës Kombëtare të Rregjistrimit të Biznesit janë shpërngulur nga Kavaja në një vendndodhje të re, plot tre kilometra larg qytetit. Një vendim ky absurd dhe i pajustifikueshëm, që pikësëpari shkon kundër interesave të qytetarëve dhe biznesit në Kavajë dhe për më tepër bie në kundërshti me vetë frymën dhe prioritetet që Ju si Kryeministër keni përcjellë përgjatë këtyre viteve” thekson Rroshi.
Ndërsa e ka cilësuar urdhrin për zhvendosjen e zyrës lokale të QKR-së si pa të drejtë, Rroshi thekson se kjo zhvendosje ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë tek këta qytetarë dhe tek këto biznese, të cilat tashmë detyrohen të zhvendosen plot tre kilometra jashtë qytetit për të përfituar disa shërbime.
“Teksa Ju flisni për epokën dixhitale dhe krijimin e sistemit One-Stop-Shop që do të lehtësonte burokracinë me të cilën është përballur deri më sot sipërmarrja vendase, pikërisht në qytetin që për 21 vjet me rradhë Ju ka zgjedhur si përfaqësuesin e tij në Parlament, Qeveria Juaj përmes një vendimi absurd sapo ka komplikuar edhe më tej raportin e vështirë mes përfaqësuesve të biznesit dhe përfaqësuesve të shtetit. Sipërmarrja në Kavajë vuan jo vetëm arrogancën e pushtetit, korrupsionin e rrënjosur në çdo shërbim publik, procedurat e ngadalta dhe të tejzgjatura të rregjistrimit dhe të taksimit, por tashmë vuan edhe largësinë fizike me zyrën e QKR-së” thekson më tej Rroshi.
Kryebashkiaku i Kavajës thekson më tej se nëse nuk do të merren masa që kjo zyrë të vendoset në një ambjent të përshtatshmë atëherë kjo do të ishte një precedent tejet të rrezikshëm, që do thellonte hendekun e krijuar mes tij dhe Kavajës. “Precedent i cili jam i sigurtë do ju dënojë edhe më rreptë në zgjedhjet e ardhshme. Me shpresën se Ju do të ndërmerrni të gjitha veprimet e duhura për të zgjidhur problemin për të cilin Ju shkruaj brenda 7 ditëve të ardhshme, Ju siguroj se pas datës 15 Mars qytetarët dhe përfaqësuesit e sipërmarrjes në Kavajë do të dinë të reagojnë ndryshe” përfundon letra e Rroshit.