Zhvillimet që priten kur LMN-ja del nga furriku
Në jetën e politikanëve, të paktën të atyre që janë me profil të lartë, herët a vonë vjen një moment kur mbeten në hije, në heshtje. Edhe kur ajo heshtje është e pakuptueshme në momentet e para. U ka ndodhur personazheve që kanë pasur fatin të shkruajnë historinë. Për shembull Winston Churchill, i cili ishte i margjinalizuar në partinë konservatore angleze “Tory” në mesin e viteve tridhjetë: derisa rrota e fatit i zuri bishtin.Ndërkaq kemi mësuar se pjesa më e vështirë qëndron gjithmonë tek menazhimi i periudhës negative - aq sa mund të jetë e gjatë - pa rënë në depresion a në një psiko-dramë. Inteligjenca e politikanëve në krizë duket kur ata arrijnë ta përballojnë dhe mos të bëjnë gabime të pariparueshme, gjë e cila kërkon një luftë me vetveten, kërkon të kesh nerva të forta dhe largpamësi. Kësisoj, në rastin tonë është Ben Blushi, i cili u gjend përballë këtij shtegu nihilizues, ku trysnia e homologimit të mendimeve dhe qëndrimeve ishte shumë e madhe, prej atmosferës së ndezur artificialisht që ka politika e re e egoarkut. Për kronikë: pas humbjes politike të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, Ben Blushi edhe shumë figura të PS u vunë me shpatulla pas muri për të bërë një zgjidhje: o ramizimi i tyre, o refuzimi ndaj njësimit të “lirisë individuale”. Por si gjithmonë konformizmi është triumfues aty ku nuk ka analizë, ide të reja apo alternativa konstruktive; prandaj në përgjithësi, Edi Rama arriti ta mbajë partinë me akuza e sulme ndaj kundërshtarit politik, duke luajtur me emocionet dhe instinktet. Disa persona që kishin forcuar kockat përpara hyrjes së Ramës në politikë nuk e pranuan pa bërë zë një kërkesë rreshtimi pa kushte. Ne veçanti Blushi, me një protagonizëm më të lartë politikisht dhe intelektualisht sesa Rama, nuk mund të luante rolin e të padijshmit pas 28 qershorit. Edhe sot e kësaj dite nuk është analizuar performanca elektorale e PS në zgjedhje, veç nëse llogarisim si të tillë frymën jakobine “na vodhën votat, të hapen kutitë”. Dialektika brenda radhëve të PS ishte e vakët derisa cofi krejt në kongresin e partisë socialiste të 26 shtatorit, ku Edi Rama, edhe pasi i kishte humbur dukshëm zgjedhjet, u rizgjodh me metoda jo fort demokratike konfrontimi.Megjithatë Ben Blushi e menaxhoi pa komplekse të qortueshme radikalizimin e situatës politike në vend nga ana e Edi Ramës për të nxjerrë jashtë loje “mendimin ndryshe” brenda partisë. Ai u mor me librat duke ruajtur një profil intelektual ndaj qëndrimeve rrugaçe të disa eksponentëve brenda vathës socialiste. Kripa e identitetit të tij është “liria individuale”, në ndryshim prej atyre që lirinë individuale ua kanë deleguar veprimeve të pa menduara të lidershipit.Kuptohet vetiu se heshtja e tepruar në politikën shqiptare të një opozitari të pandreqshëm si Ben Blushi, si kundrejt së djathtës në qeveri, po ashtu kundër frymës radikalizuese të Ed Ramës për të bërë politikë të deformimin kancerogjen “Përtej të majtës dhe së djathtës” do të kishte një përfundim, dhe heshtja do të thyhet në javën e parë të marsit në parlamentin shqiptar, meqë bojkoti nuk solli asgjë, përpos instalimit të mandatit të dytë të Edi Ramës në krye të partisë më të madhe opozitare, PS.Mirëpo grupi i deputetëve që përfaqëson dhe mendon ndryshe nga Edi Rama është në ngjizje e sipër, me dhimbje të tmerrshme koke, përballë ofertave marramendëse, pasi në 46 ditë shumë balanca mund të ndryshojnë, shume presione do të cysin të futen në kazermën e PS, madje ka shumë gjasa të asistojmë në ultimatume staliniste për të mos lënë frontit e protestave.Edhe dje në rendin e ditës u shpall si politikë risjellja e kaosit për të sendërtuar vetveten, shpresën për të ndryshuar imazh duke marrë pushtetin në forma ekstra-parlamentare, në përpjekje për të sjellë një lider jashtë politikës si mesia që do të çlirojë mirësinë, etj.Gjykoj se arsyeja e vetme që Blushi ka pranuar deri më tani të heshtë është se PS-ja do të lodhej nga politika destruktive e Edi Ramës, por kjo është po aq e vërtetë sa edhe arsyetimi tjetër se Rama është i lodhur nga bastuni nën rrota që përfaqëson Blushi, apo dikush tjetër brenda PS-së. Prandaj, kur në një shtëpi ka dy të adhnuar, njëri duhet të jetë më i zgjuar e të abdikojë. Dhe divorci i Ben Blushit nga linja mazokiste e të bërit politikë me kutitë e hapura dhe të lagura është më pranë se kurrë. Në këtë këndvështrim, Blushit i ka ardhur momenti i sfidës me presionin e qëndrimeve, formave ultimatumeve e përjashtuese në PS, edhe pse kjo parakupton përjashtimin nga radhët e partisë – tashmë private - të Edi Ramës....