E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimi i turizmit në Fier, në rritje interesi i biznesit vendas

Përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës në zonat turistike të Fierit ka shtuar interesin e biznesit vendas për investime, kryesisht në hoteleri. Bregdeti i Fierit, me një shtrirje rreth 73 km, ka plazhe të shumta me rërë e njohur për vlerat e saj kurative, si në Seman, Hidrovor, Pish-Poro, Darzezë, etj, që frekuentohen më së shumti nga pushues të rretheve Berat, Kuçovë, Lushnje e Mallakastër. Por jo vetëm kaq. Zona kënetore, të pasura me florë dhe faunë, me peisazhe interesante natyrore, në të cilat nëse do të investohej do të tërhiqnin mjaft turistë. Edhe grykëderdhjet e lumenjve Vjosa, Shkumbin dhe Seman, ofrojnë potenciale për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe gjahut, ndërkohë që qarku i Fierit zotëron dhe një sërë vendesh me trashëgimi historike, që përfshijnë gjurmë te qytetërimit të lashtë, një varg manastirësh të mesjetës dhe muze historikë si ai arkeologjik në Apolloni. Sipas kryetarit të Dhomës të Tregtisë në Fier, Shezai Çobaj "plazhet e qarkut të Fierit janë përfishirë në projektet e  qeverisë shqiptare për zhvillimin e turizmit, por shton ai “perspektiva e ngritjes së fshatrave turistikë do ta shndërronte këtë zonë në perlë të turizmit shqiptar”. Ndërsa konfirmon interesin e biznesit fierak në këtë drejtim, z. Çobaj nënvizon se për këtë qëllim kemi zhvilluar disa konsultime me përfaqësues të qeverisë qëndrore. 

”Bregdeti i Adriatikut duhet të mbushet me ndërtime, sipas një plan-studimi urban, ku sipërfaqet e ndërtimeve të mos jenë më pak se 10 ha dhe projektet të jenë bashkëkohore”, shpjegon ai. Z. Çobaj liston disa nga faktorët që do të ndikojnë në zhvillimin dhe shtimin e investimeve në turizmin fierak siç janë përmirësimi i infrastrukturës rrugore, asfaltimi i segmentit  rrugor Dërmënas -Plazhi Darëzezës dhe Seman –Plazh,  furnizimi me energji elektrike 24 orë, përmirësimi i furnizimit  me ujë të pijshëm si dhe punësimi nga komunat i individëve që trajtohen me asistencë sociale për  mirëmbajtjen e plazheve. Këta faktorë favorizues të përfshirë në strategjinë e zhvillimit të turizmit janë një garanci për interesat dhe investimet e biznesit në bregdet”, tha z.Cobaj. Në total biznesi fierak sic informon kryetari i Dhomës të Tregtisë në Fier, Shezai Çobaj, zë vendin e dytë në shkallë vëndi, me rreth  9,55 % të  qarkullimit vjetor. Por përkundër kësaj, shton ai, investimet në fushën e turizmit deri pak kohë më parë nuk kanë qënë në përpjestim të drejtë me resurset dhe vlerat e kësaj zone. Për z. Çobaj duhet punuar për ta kthyer turizmin fierak nga një turizëm ditor, në një turizëm bashkëkohor me të gjitha kushtet e hotelerisë. “Momentalisht pushuesit që frekuentojnë plazhet e Semanit  Darëzesës, Pish-Poros, Libofshës apo vizitojnë Apolloninë  Bylisisin  dhe Ardenicën, akomodohen në hotelet e Vlorës e Tranës për shkak të mungesës së një rrjeri hotelerire lokal”, përfundon ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›