E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvlerësohet sërish leku, euro në kuotën 134.3 lekë

Euro është forcuar sërish në tregun e këmbimit, duke kapur kuotën e 134.3 lekëve. Forcimi me rreth 2 pikë vetëm gjatë ditëve të fundit është me pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit, pasi pritet rritje e cmimeve. 

TIRANE- Monedha kombëtare ka pësuar një tjetër zzhvlerësim të ndjeshëm në tregun tonë të këmbimit kundrejt euros. Në agjencitë valutore monedha e eurozonës blihet me 133.7 lekë dhe shitet me 134.3 lekë. Ndërsa dollari këmbehet me 91.1 lekë në blerje dhe me 91.7 lekë në shitje. Gjatë ditëve të fundit, euro ka fituar rreth 2 pikë. Kambistët shpjegojnë se forcimi i monedhës së përbashkët europiane është pasojë e mungesës së saj në treg. Sipas tyre, kohët e fundit ekuilibrat e tregut të këmbimit janë prishur, pasi kërkesa për euro është më e madhe se oferta dhe kjo ka shkaktuar rënien e vlerës së lekut dhe mbicmimin e monedhës europiane.
Zhvlerësimi i lekut është me pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit, pasi pritet shtrenjtim i mallrave të importit dhe rrjedhimisht të cmimeve në treg.
Nga ana tjetër , të gjithë ata që kanë marrë kredi në euro do të paguajnë më shumë, pasi nomrave të interesit u shtohet edhe kostoja e transaksionit.
Për të stabilizuar situatën, Banka e Shqipërisë u ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë, që të kreditojnë në lekë dhe jo në valutë.
Por institucioni mbikqyrës bankar nuk ka ndërhyrë deri tani tek norma bazë e interesit të lekut, duke e lënë të pandryshueshme në 5.75% koston e monedhës kombëtare. Pak ditë më parë, kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi se Shqipëria duhet të përballet për të zëvendësuar lekun me euron. Por një pjesë e ekspertëve janë skeptikë pasi sipas tyre ekonomia jonë ende nuk i ka plotësuar kushtet.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›