Zjarr te Currilat digjen pishat
Një zjarr i madh ka djegur disa hektarë me shkurre dhe pisha të vogla në kodrën e Currilave në qytetin e Durrësit. Zjarri ka rënë në pjesën jugore të kodrës në afërsi të ish-repartit ushtarak dhe shumë shpejt ka djegur një siperfaqe të madhe të pyllëzuar në këtë zonë.
Forcat e njësisë zjarrëfikse, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje me ndihmën edhe të reshjeve të shiut kanë mundur të shuajnë flakët, të cilat rrezikonin të përhapeshin në një sipërfaqe akoma edhe më të madhe deri edhe tek godinat e ish-repartit ushtarak. Nuk dihet ende shkaku i rënies së këtij zjarri ndërkohë që policia e Durrësit ka nisur hetimet nëse kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme, apo aksidentale.
Kjo është një zonë e cila përfshihet vazhdimisht nga rastet e zjarrit që sipas zjarrëfikësve ose janë aksidentale ose të qëllimshme nga banorë të zonës.