E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret e shpeshta rrezikojnë pyjet e Sharrit

Sharr, 28 gusht -  Këto ditë përcëlluese vere, zjarret janë duke rrezikuar seriozisht pyjet e kësaj Komune, andaj autoritetet e këtushme, siç bëhet e ditur, janë vënë në gjendje mobile. “Duke qenë se gjatë dy javëve të fundit janë djegur sipërfaqe të mëdha shkurresh e kullosash në Bjeshkët e Sharrit, si në territorin e Gorës, ashtu edhe në atë të Opojës, Shërbimin e Zjarrfikësve është vënë në gjendje mobile, ka thënë, Tafil Krasniqi, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes e Shpëtimit, në një prononcim për media, të shtunën. Sipas tij, ditë më parë, zjarret kanë përpirë me dhjetëra hektarë, duke filluar nga fshati Restelicë, për të vazhduar në Baqkë, Zlipotokut, Rapq e Kërstec të Gorës, si dhe disa fshatra të Opojës. Ai, në vazhdim ka nënvizuar se marrë parasysh gjendjen aktuale, jo vetëm që ka vënë në gjendje gatishmërie punëtorët e këtij shërbimi, por ka kërkuar edhe ndihmën e subjekteve tjera që të jenë në gjendje mobile. “ Shërbimi i Zjarrfikësve, në koordinim me ata të Ekonomisë pyjore, të mbështetur edhe nga qytetarët, deri më tani kanë arritur që të pengojnë depërtimin e flakës brenda sipërfaqeve pyjore, por po qe se gjendja ashpërsohet na duhet ndihma edhe e subjekteve tjera”, ka thënë Krasniqi, si dhe ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve, ngase pasojat mund të jenë të pariparueshme.

Shqetësimin e tij e paraqiti edhe Fari Piraj, përgjegjës i ZHZ, i cili ka theksuar se këto zjarre, duket të shkaktuara nga persona të papërgjegjshëm, çdo ditë po vijnë duke u përhapur, e në veçanti në ato fshatra, të cilat janë shumë afër sipërfaqeve të mëdha të pyjeve, po edhe në terrenet përtej kufirit me Shqipërinë e Maqedoninë, gjë që e shton shkallën e rrezikshmërisë.

“Vetëm gjatë ditës së djeshme kemi qenë të detyruar të intervenojmë dy herë në fshatin Brezne, dhe po të mos ishte ky intervenim, zjarri ka mundur shumë lehtë të depërtonte deri në pyllin e këtij fshati, i cili është shumë afër tij”, ka thënë çerkin Krasniqi, përgjegjës i ndërrimit në SHZ.

Gjendjen si mjaft të rrezikshme e kanë vlerësuar edhe përgjegjësit e Ekonomisë Pyjore. Naim Ramadani, nga Zyra Rajonale, në Prizren, ka theksuar se “është kjo një dukuri mjaft brengosëse, e cila ditëve të fundit ka përfshirë sipërfaqe përmasash të mëdha, dhe mu për këtë kemi kërkuar nga Njësia jonë në Sharr që të jenë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar në lokalizimin e tyre, e tëra kjo me qëllim që të ruhen pyjet cilësore të kësaj ane, të cilat janë një pasuri e madhe kombëtare”, ka theksuar Ramadani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›