E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri rrezikoi urën 150-vjeçare të Bunës

SHKODER - Një zjarr i ndezur nga disa fëmijë endacakë ka rrezikuar dje përfshirjen në flakë të urës 150-vjeçare të Bunës. 

Situata është konsideruar serioze, kur fare pranë flakëve janë zbuluar edhe 10 granata ofensive, të cilat mund të shpërthenin nga zjarri, ndërsa qarkullimi i automjeteve në urë u ndërpre për rreth 30 minuta. Mësohet se rreth orës 14:30 të ditës së djeshme disa fëmijë u kanë vënë flakën një grumbulli plehrash, që ndodheshin pranë një prej këmbëve të urës. Materialet prej druri të favorizuara edhe nga temperaturat e larta, kanë bërë që flakët të përhapen më shpejtësi, duke iu afruar dërrasave në dyshemenë e urës. Pas lajmërimit nga kalimtarë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit, të cilët për pak minuta kanë izoluar dhe shuar plotësisht zjarrin. Gjatë kontrollit të vendit ku ra zjarri janë gjetur edhe 10 granata ofensive, të cilat u sekuestruan nga policia. Pas fikjes së zjarrit në urë ka vijuar normalisht qarkullimi në të dy drejtimet.               r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›