Zonja Ina Rama, si quhet prokurori që ka zëvendësuar Arjan Ndojën në Durrës?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje po e japim vetë që në fillim. Personi që ka zëvendësuar Arjan Ndojën, meqë ky dha dorëheqjen, nuk quhet asgjë, sepse nuk ekziston. Ina Rama nuk e ka zëvendësuar, edhe pse e ka pranuar dorëheqjen e Arjan Ndojës. Po pse nuk është çuar një njeri tjetër ta zëvendësojë Arjan Ndojën? Përgjigjia e kësaj pyetjeje e bën të rëndësishme çështjen. Disa thonë se Arjan Ndojën, Ina Rama nuk e ka vënë vetë, por ia ka rekomanduar një deputet i djathtë e një politikan i lartë, që s’është as i djathtë e as i majtë - pra që i bie të jetë as mish e as peshk, ku me këtë rast të bie ndërmend shprehja “peshku qelbet nga koka”. Pra, në këtë version, Ina Rama ndodhet në një situatë dramatike dhe siç thonë disa zëra, ajo s’mundet e s’ka fuqi ta heqë, sepse ata që ia kanë dhënë emrin, janë eprioristika e saj, e cila në të njëjtën kohë, përbën klanin ku llaçkavitet kryeprokurorja, në një ekzistencë mes krimit, ndihmës për kriminelët dhe ndihmës për njerëzit që duan të bëjnë karrierë politike me intriga e mosmirënjohje.
Nëqoftëse do të pranonim këtë version, do të besojmë zërat që Ina ka thënë - përafërsisht - “po shkoj si kovë pusi, për llogari të interesave të të tjerëve”. Mirëpo, asaj i duhet të firmosë për një njeri tjetër në vend të Arjan Ndojës, e të nxjerrë përgjegjësitë për funksionimin privat të prokurorisë së Durrësit, sipas interesave të një grupi që e kanë marrë peng Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërsa po të pranonim versionin e dytë, që Ina Rama e ka pranuar me dëshirë pozitën e saj për t’u përdorur nga të tjerët, atëhere do të thoshim se ajo do të jetë mbrojtëse deri në fund e Arjan Ndojës dhe s’do të kemi kurrë të firmosur një zëvendësues.
Mirëpo, për hir të së vërtetës duhet thënë se Arjan Ndoja, nga përfitimet që ka nga posti, nuk ka ndonjë korrektesë në shpërndarje, dhe për më tepër akoma, ai po punon për një kompensim financiar që mund t’i jetë kërkuar dikur. Gjithsesi, Arjan Ndoja vazhdon të jetë njeriu që drejton prokurorinë e Durrësit. Policia dhe gjithkush tjetër i kompetencës ligjore mund të ekzekutojë funksionet e veta në luftën kundër krimit, por mbetet fakti se firma e prokurorisë së Durrësit nuk merret me kritere ligjore a thjesht sipas Kodit të Procedurës Penale a Civile, por merret sipas kodit të procedurës së “bamirësive”.
Ndërkaq, pozita e kryeprokurores rëndohet nga ora në orë, sepse asaj po i duhet të përballojë të gjithë atë fluks kundërvëniesh nga qyteti i vet, Durrësi, pasi në prokurori nuk po dorëzohen më padi, por institucioni i akuzës është bërë si zyrë exchange-i. Në këto kushte, kryeprokurorja nuk ka si të mos ndjehet, jo e përdorur, por e keqtrajtuar, nga logjika e vetë ngjarjeve, fakteve; pra, kemi të bëjmë me një krizë të krizës, sepse rrezik për të keqen gjithnjë është koha, e cila e shpartallon dhe e flak këdo që i rëndon asaj në havalenë e korrupsionit, papërgjegjshmërisë e të hesapeve të bëra jashtë ligjit dhe misionit. Publiku e denoncon dhe e dënon rëndë moszëvendësimin e Ndojës, dhe tërë amullinë e shpartallimin që po i bëhet këtij institucioni. Atëherë pyetja mbetet: cili do ta zëvendësojë Arjan Ndojën? A do zëvendësojë Arjan Ndoja Arjan Ndojën? Apo do jetë një emër tjetër që do të jetë sozi e këtij mekanizmi e këtij kuadri moral?
Gjithsesi, s’kemi zëvendësues, s’kemi trajtim të çështjes, s’kemi përgjegjshmëri, s’kemi Prokurori në Durrës.
Shumë shpejt s’do të kemi edhe kryeprokurore.