Zotërim topi, por jo vetëm Si mund të ndalet Spanja?
10 ndeshje me eliminim direkt, ku nuk kanë pësuar gol. Mbrojtja lehtësohet nga zotërimi i topit, teksa ata që lodhen më shumë janë kundërshtarët.
Dhjetë ndeshje me eliminim të drejtpërdrejtë, asnjë gol i pësuar: Tripleta e Spanjës është fryt i një rendimenti shumë të lartë në mbrojtje në ndeshje të tilla, ku Kasiljas është bërë një mur i pathyeshëm.
Edhe një fëmijë i shkollës fillore e di se po nuk pësove gol, do të shkosh të paktën te penalltitë, ashtu siç i ndodhi Spanjës në vitin 2008 me Italinë dhe me Portugalinë në Euro 2012. Në Botërorin 2010, Spanja rrezikoi me Paraguain në çerekfinale dhe me Holandën në finale, por porta nuk u prek.
Besnikë ndaj thënies së vjetër, sipas së cilës mbrojtja më e mirë është sulmi, Furitë e Kuqe kanë zhvilluar një sistem loje që e minimizon presionin ndaj repartit të mbrojtjes, duke ruajtur në mënyrë të vazhdueshme iniciativën dhe duke e qetësuar lojën me qarkullimin e topit, kur është e nevojshme.
Me lojtarë të mëdhenj si Ksavi, Injesta dhe Fabregas (të cilëve u shtohen kampionë si Ksabi Alonso dhe Silva) kundërshtarët janë në një kurth nga ku nuk kanë shpëtim.
Të dhënat Që të jepet një ide e filozofisë, mjafton të përmendet një e dhënë: duke marrë në konsideratë 19 ndeshjet e luajtura në fazat finale të tre turneve madhorë, vetëm një herë Spanja e ka mbajtur topin më pak se kundërshtari: në finalen e Vjenës në Euro 2008, Gjermania e mbylli ndeshjen me 52% të zotërimit të topit, sepse Torres kishte shënuar golin e fitores në minutën e 3-të të pjesës së parë dhe gjermanët duhet të reagonin.
Në ndeshjet e tjera, spanjollët kanë qenë fitues, sipas stilit të Barçës, edhe pa shkuar në kuotën e frikshme të 70%, ku shkonin disa herë katalanasit e Guardiolës.
Guardiola dhe Del Boske Ky stil loje ka dalë në pah pas triumfit në 2008: gjatë drejtimit të përfaqësueses nga Luis Aragones spanjollët e donin lojën sulmuese, por në mënyrë të moderuar.
Por këtë stil loje e bënë një marke dhe e çuan në ekstremin e saj dy faktorë, që lidhen me dy mbiemra: Guardiola dhe Del Boske. Viti 2008 është ai në të cilin Pep mori drejtimin e Barcelonës dhe i jep jetë ciklit të tij të artë, duke u bazuar në një projekt taktik të qartë dhe që nuk kishte rivalë.
Duke parë edhe rezultatet e marra nga katalanasit si dhe për lojtarët e jashtëzakonshëm që Barça i jepte hua Spanjës, La Roja u përshtat shpejt me stilin “tiki-taka”.
Ardhja e një trajneri të ri, Del Boske, i cili kur drejtonte Realin e Madridit fuste në lojë së bashku lojtarë si Zidan, Figo, Raul e Morientes, bëri që qarku të mbyllej sepse trajneri i suksesshëm me mustaqe është shumë i dëgjueshëm në raport me lojtarët dhe i ndjeshëm ndaj idesë së një skuadre të bazuar te loja me pasime të shpejta dhe të sakta.
Lodhja Është e vështirë të imagjinosh një përfaqësuese që mund të arrijë të ketë një identitet të konsoliduar taktik, të dallueshëm dhe preciz si ai spanjoll.
Duhet shumë kohë për ta krijuar dhe aktorë që dinë ta luajnë mirë rolin e tyre dhe në vazhdimësi edhe në kampionat. Kur Prandeli (një tjetër tifoz i kësaj filozofie) punon me axurrët, përpiqet shumë që tua ngulitë këtë koncept.
Dhe kur përsërit fraza të tipit “kemi mbërritur në finale shumë të lodhur “, i bën njerëzit të reflektojnë për një pyetje paradoksale. Por si ka mundësi që spanjollët nuk janë të lodhur, kur kanë bërë një sezon masakrues?
Në krahasim me 11-shen italiane që zbriti në fushë në Kiev, spanjollët kishin një formacion me lojtarë që kanë luajtur shumë ndeshje, që janë përdorur deri në limitet e tyre nga klubet, duke parë edhe ecurinë e tyre në Kupat e Europës.
Por prapëseprapë të lodhur ishin italianët, pasi për tu përballur me atë zotërim të madh topi duhet të vraposh pas topit si i marrë. Kur ke fuqi e ndoshta mund të marrësh një barazim, ashtu si në ndeshjen e parë në grup. Por kur nuk të mbajnë më gjunjët, ske më shanse.
Të hapur dhe të mbyllur Por si duhet përballur ky fenomen nga kundërshtarët? Disa skuadra u përpoqën ta përballonin duke bërë lojë të hapur, kundër Spanjës ashtu si edhe kundër Barcelonës (me dallimet përkatëse), por kanë përfunduar si të shtypur nga një buldozer. Mbetet vetëm katenaçio?
Mbetet mbrojtja deri në ekstrem, e tipit Di Mateo në Ligën e Kampionëve, duke shpresuar që kundërshtarët të gabojnë dhe që një episod fatlum (ose penalltitë) të zgjidhin ndeshjen në favorin e kundërshtarit të Spanjës.
Në mungesë të një ideje më të mirë (ose të kurajës për ta provuar dhe futur në veprim), deri tani mbyllja në portë dhe lutjet ka qenë zgjidhja më e mirë.
Versioni më i fundit i Mourinjos Një hap përpara tentoi ta bënte Mourinjo, i cili u turpërua nga manita e famshme kur i doli përballë me armët e saj Barcelonës.
Më pas iu kthye lojës tepër të fortë në mbrojtje dhe të ashpër, duke ndërtuar dalëngadalë një skuadër të aftë që të përballet me mjeshtërit e mëdhenj katalanas. Fitorja e Realit të Madridit në Camp Nou në fund të kampionatit mund të jetë një model për tu studiuar.
Por Reali i Madridit nuk është një përfaqësuese, kështu që të krijohet ideja se para se Spanja të gjejë një kundërshtare të denjë, kanë për të kaluar shumë vite.
