Zvarritja e procedurave, tri kërkesat e reja të ushtarakëve për pensionet
Zvarritja e procedurave për pensionet e ish-ushtarakëve që kanë punuar në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes është shndërruar në një shqetësim të madh për këta përfitues, për të cilin nuk po gjejnë dot një zgjidhje. Për këtë arsye, presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçi, i ka dërguar së fundi një letër ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, duke i kërkuar ndërhyrje për zgjidhjen e situatës, në të kundërt, ushtarakët paralajmërojnë rinisjen e protestave. “Zoti ministër! Në emër të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, ju drejtohemi me shqetësim të madh dhe pakënaqësi për shkak të zvarritjes së zbatimit të ligjeve të miratuara për pensionet. Dëshiroj të kujtoj se nga miratimi i ligjit nr. 9210 datë 23.03.2004 ‘Për statusin e ushtarakut të FA në RSH”, ligjit për pensionin suplementar nr. 9418 datë 20.05.2005 i ndryshuar, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 9, datë 26.02.2007 dhe nr. 33 datë 24.06.2010 e deri te ligji nr. 10142, datë 15.05.2009 i ndryshuar me aktin normativ kanë kaluar disa vjet, duke përbërë një kalvar të tërë në pritje për të marrë atë çka ushtarakëve u takon”, - shkruhet në letrën me të cilën Pogaçi i është drejtuar zyrtarisht ministrit Imami. Arsyeja kryesore pse ish-ushtarakët fajësojnë kreun e Mbrojtjes për zvarritjen e procesit ka të bëjë me një urdhër që ministri Imami ka nxjerrë për këtë procedurë, duke kërkuar disa dokumente të tjera shtesë. “Qeveria ku ju bëni pjesë ka miratuar edhe VKM-të përkatëse dhe udhëzimin nr. 4, datë 04.02.2011 për zbatimin e ligjit në fjalë. Udhëzimi juaj i muajit shkurt 2011, jo vetëm nuk ka përshpejtuar zbatimin e ligjit, siç pretendohet në të, po ka shtuar sorollatjet e ushtarakëve për të gjetur dokumente të tjera veç atyre që përcakton udhëzimi i Sigurimeve Shoqërore”, - argumenton kreu i ushtarakëve në rezervë, Mehdi Pogaçi. Më tej, sipas tij, këto dokumente, nga praktika e deri tanishme, nuk kanë për t’u gjetur kurrë, sepse repartet dhe njësitë përkatëse nuk ekzistojnë më, si dhe arkivat dhe komandat ekzistuese nuk i disponojnë ato të plota. Për më tepër, Mehdi Pogaçi i bën të ditur ministrit Imami se nga takimet që kanë pasur me personat përgjegjës të Drejtorisë së Përkujdesjes në Ministrinë e Mbrojtjes, rezulton se edhe me dosjet që nuk kërkohen dokumente shtesë po punohet fare ngadalë, për të mos thënë aspak. Sipas kësaj ecurie, kreu i ushtarakëve në rezervë shprehet se do të nevojiten mbi 20 vjet për zbatimin praktik të këtij ligji. “Ndërkaq, siç jemi informuar nga Drejtoria e Suplementit në ISSH, institucionet e tjera, si në Ministrinë e Brendshme, SHIK etj. ecuria në zbatimin e këtij ligji është në përfundim”, - thuhet në letër. Për të gjitha këto arsye, Këshilli Drejtues i Shoqatës, i mbledhur ditët e fundit, ia ka përcjellë edhe njëherë këtë shqetësim ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, duke vendosur t’i drejtohet atij zyrtarisht edhe me këtë letër, në të cilën ata kanë parashtruar tri kërkesa kryesore. Më konkretisht, ish-ushtarakët kërkojnë: Së pari, angazhimin maksimal të ministrit të Mbrojtjes për shpejtimin e procesit të punës për zbatimin e ligjit nr. 10142, datë15.05.2009, i ndryshuar dhe të aktit normativ. Së dyti, për të shmangur sorollatjet e lodhshme dhe jo frytdhënëse, sipas tyre, ushtarakët kërkojnë që dokumentet shtesë që u kërkohen përfituesve nga ky ligj të nxirren nga dosjet e pensioneve në ISSH dhe nga dosjet e kuadrit që janë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe komandat e forcave përkatëse në bashkëpunim të tyre me njëra-tjetrën. Kërkesa e tretë e ushtarakëve ka të bëjë me zgjerimin e grupit të punës që merret me përpunimin e dosjeve të ushtarakëve, për zbatimin e ligjit, duke marrë specialistë nga repartet ushtarake të Tiranës si dhe ushtarakë në lirim, në rezervë dhe në pension apo veteranë, të cilët kanë qenë specialistë në këtë fushë. Në fund, Mehdi Pogaçi i bën me dije ministrit Imami se Këshilli i Përgjithshëm i Shoqatës ka vendosur, në rast të mosmarrjes së masave efikase për zbatimin e ligjeve, se do të ftojë të gjithë ushtarakët të fillojnë protestat para Ministrisë së Mbrojtjes e më gjerë.
Këto dokumente, nga praktika e deri tanishme, nuk kanë për t’u gjetur kurrë, sepse repartet dhe njësitë përkatëse nuk ekzistojnë më, si dhe arkivat dhe komandat ekzistuese nuk i disponojnë ato të plota.
Tri kërkesat e ushtarakëve për ministrin Imami
1. Angazhimin tuaj maksimal për shpejtimin e procesit të punës, për zbatimin e ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar dhe të aktit normativ.
2. Për të shmangur sorollatjet e lodhshme dhe jo frytdhënëse, dokumentet shtesë që u kërkohen përfituesve nga ky ligj, të nxirren nga dosjet e pensioneve në ISSH dhe nga dosjet e kuadrit që janë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe komandat e forcave përkatëse në bashkëpunim të tyre me njëra-tjetrën.
3. Të zgjerohet grupi i punës i përpunimit të dosjeve të ushtarakëve, për zbatimin e ligjit, duke marrë specialistë nga repartet ushtarake të Tiranës si dhe ushtarakë në lirim, në rezervë dhe në pension apo veteranë, të cilët kanë qenë specialistë në këtë fushë.
Dokumentet që kërkohen
Instituti i Sigurimeve Shoqërore vazhdimisht ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet për të përshpejtuar plotësimin e dokumentacionit për ish-ushtarakët, me qëllim llogaritjen sa më parë të përfitimeve. Aktualisht, ISSh-ja është në pritje të dy dokumenteve nga ministritë dhe institucionet përkatëse, për të bërë rillogaritjen e pensioneve, që janë paga referuese dhe vjetërsia në punë. Përpos nisjes së procesit për ushtarakët, që do të përfitojnë për herë të parë pensione të parakohshme, burime nga ISSh-ja bëjnë të ditur se tashmë ky institucion është gati të llogarisë dhe ndajë pensionet edhe për ushtarakët e tjerë që trajtohen me këtë lloj përfitimi, por pritet vetëm konfirmimi i të dhënave nga institucionet përkatëse. Në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve, ISSh-ja ka parashikuar të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Këta janë për pension të parakohshëm për lehtësi shërbimi. Faza e dytë janë personat të pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme.