E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev: Irani gjithmonë e më afër prodhimit të armëve bërthamore

Deklarata Moska: Nuk u besojmë qëllimeve paqësore të Teheranit

Sipas deklaratave të fundit të Presidentit rus, Dimitri Medvedev, Irani është shumë pranë mundësisë për të pasur në zotërim mjetet e nevojshme për të krijuar armë bërthamore. “Irani po i afrohet përherë e më tepër pajisjes me materiale, që në parim mund të përdoren për krijimin e armëve bërthamore”, deklaroi Medvedev, sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve “Interfax”. Një deklaratë kjo e bërë gjatë një takimi të ndodhur dje në Moskë me ambasadorët rusë, që tregon edhe njëherë për ngrirjen e pozicionit të Moskës ndaj Iranit dhe programit të tij bërthamor. Gjithmonë sipas asaj që raporton agjencia “Interfax”, Medvedev shprehu shqetësimin për faktin se ekzistenca e një potenciali të tillë nuk përbën në vetvete një dhunim të Traktatit të mos shtimit të armëve bërthamore: “është njëri nga problemet”, tha ai, duke gjykuar se “pala iraniane nuk është sjellë në mënyrën më të mirë të mundshme”. Moska votoi në qershor së bashku me fuqitë e tjera të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në favor të një sërë sanksionesh financiare dhe ushtarake kundër Teheranit në përgjigje të refuzimit nga ana iraniane për të pezulluar aktivitetin e tij për pasurimin e uraniumit. Por, ndërkaq, Irani ka bërë me dije se është i gatshëm për të rifilluar nga shtatori bisedimet me 5+1 mbi programin bërthamor. Lajmin e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve ISNA. Sipas kreut negociator për çështjen bërthamore, Saeed Jalili, Teherani është i gatshëm të negociojë vetëm nëse pranohen kushtet e tij. Në fund, Presidenti rus, Dimitri Medvedev, ka bërë thirrje për një aleancë të re me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. “Vizita në Shtetet e Bashkuara tregoi se bashkëpunimi në fushën e teknologjisë mund të krijojë një axhendë pozitive në marrëdhëniet tona”, tha Medvedev në takimin me ambasadorët rusë në botë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›