Zv/kryeministri Ilir Meta: Jam i gatshëm të dorëzoj imunitetin- refuzova shantazhet mafioze të krimit të organizuar

Kryetari i LSI-së është shprehur i gatshëm të lerë imunitetin si dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme nisjen e hetimeve, pasi sipas tij, e vërteta e përgjimit, një neveri më vete kjo, është shumë më ndryshe se montazhi i Edi Ramës në emisionin e tij investigativ
Zv/kryeministri dhe njëherazi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta reagoi sot zyrtarisht, duke e cilësuar përgjimin e publikuar nga një emision investigativ, ku shfaqet dialogu mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti, si bllof politik të klikës së korrupsionit dhe krimit të organizuar. Numri 2 i qeverisë shqiptare tha se transkriptimi i bisedës me ish ministrin Dritan Prifti, është keqpërdorur si dhe i është nënshtruar montaturës në selinë e Partisë Socialiste. “Ky përgjim i pështirë si vetë organizatorët e tij është kryekëput një bllof i shëmtuar politik dhe moral i cili është bërë në kuadër të shantazheve të bëra ndaj personit tim nga krimi i organizuar për shkak të detyrave të mia”- u shpreh Ilir Meta në daljen e tij publike sot për mediat. Meta informoi se i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli se ai është i gatshëm të lërë imunitetin nëse prokuroria kërkon të hetojë për akuzat e ngritura ndaj tij. “Dua të bëj të ditur lidhur me letrën time zyrtare të dërguar kryetares së Kuvendit ku për të konkretizuar angazhimin tim si kryet i LSI-së dhe në dobi të transparencës të çdo akuze për lënie njëherë e përgjithmonë e imunitetit për të kontribuar për luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor”- vuri në dukje ministri Meta, duke shtuar se me anë të kësaj shkrese zyrtare kryetarja e Kuvendit nuk ka nevojë të mbledhë Kuvendin për t’i hequr imunitetin pasi ai e dorëzon atë vullnetarisht. Ndërkohë duke u shprehur i hapur për çdo hetim nga prokuroria dhe duke e cilësuar videon si një montim të pështirë politik dhe mafioz zëvendëkryeministri Meta ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se është organizatori i kësaj video. “I bëj thirrje prokurorisë të bëj hetime për të gjitha ato manipulime dhe montazhe që janë bërë jo thjesht për të denigruar personalitetin tim në mënyrë të pamoralshme dhe tinzare por që është një standard i pështirë që Rama kërkon të sjellë në luftën politike dhe kjo duhet të marrë fund njëherë e mirë”- deklaroi më tej zv/kryeministri Ilir Meta.
Z. Meta, a do të jepni dorëheqjen nga posti i Ministrit të Ekonomisë dhe a do të ngrini padi në lidhje me akuzat, qoftë edhe për televizionin që e publikoi apo dhe për vetë z. Prifti?
Besoj se veprimet e mia janë të kristalta. E para, që sot i është nisur Znj. Topalli deklarimi im zyrtar për lënien e imunitetit. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se në rast se Prokuroria dëshiron të hetojë për këto lloj akuzash, për akuza të tjera, nuk do të ketë nevojë Kryetarja e Kuvendit të mbledhë as Komision Rregulloresh dhe Imuniteti, dhe as Parlament për të kërkuar sqarime apo për t’i hequr imunitetin Ilir Metës. Unë e kam të hequr imunitetin sot e përgjithmonë, edhe për 30-40 vitet e ardhshme si parlamentar dhe gjithmonë kam kërkuar, unë dhe LSI-ja, që të gjithë deputetët, në radhë të parë ata të opozitës sepse ata nuk e kanë pasur vullnetin, të bashkohemi të ndryshojmë ligjin dhe të bëjmë edhe ndryshimin në Kushtetutë për çështjen e imunitetit, që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe përpara shoqërisë sonë.
Për dorëheqjen time, unë do ta jap dorëheqjen. E kam premtuar. Por në 28 qershor të 2013, sepse nuk mund të qëndroj në këto funksione përtej mandatit legjitim të kësaj legjislature. Kështu që të gjithë duhet të kenë durim deri në 28 qershor të vitit 2013.
Z. Meta, a ka pasur ndonjë reagim të Kryeministrit gjatë ditës së djeshme pas publikimit të kasetës e deri më sot? Ju e nisët konferencën duke thënë se Ministria e Ekonomisë ka nevojë për më shumë transparencë në të ardhmen. Çdo të thotë kjo?
Luftë me tolerencë zero ndaj korrupsionit, ndaj krimit dhe ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me shkeljen e ligjit. Edhe kjo kasetë, edhe ky përgjim i shëmtuar, është bërë në kushtet kur një çimkë ka menduar se në momentin që do të mund të lëvizë, për çfarë do lloj arsyesh, të bëjë një shantazh, natyrisht jo për të luftuar korrupsion, por për të mbrojtur korrupsionin dhe aferat e ndyra. Së dyti, të jeni të sigurt se kjo Ministri do të bëhet një shembull i transparencës, ashtu sikurse edhe unë jam sot para jush me fakte, me dokumente dhe me vullnet të kristaltë për të bashkëpunuar me organet e ligjit, sikurse e kam bërë gjithmonë, dhe në çdo kohë. Sulme politike, lojëra politike kundër meje, akuza, ka patur dhe do të ketë edhe në 30-40 vitet e ardhshme dhe kjo është normale. Por unë jam këtu për t’i qëndruar me transparencë dhe me integritet këtyre sulmeve, të cilat janë thjesht politike. Përsa i takon Kryeministrit, prej disa javësh unë e kam vënë në dijeni Kryeministrin lidhur me shantazhet që më janë bërë, përmes gjoja një përgjimi, për të bashkëpunuar me organizatorët e gjithë kësaj historie mafioze dhe banale.
Në kasetën e transmetuar mbrëmë përmendet një shifër 700. Çfarë është kjo?
Unë nuk e di se çfarë është ajo 700 sepse unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për interpretimin që i bëhet buzëve të mia dhe as për përkthimin nga shqipja në shqip, dhe për gjithçka që pretendohet nga organizatorët, nga retusherët e kësaj kasete të pështirë. Unë kam kërkuar, kërkova prapë dhe do të kërkojë gjithmonë që të hetohet nga prokuroria. Por, sot në mëngjes kam marr një mesazh nga personi, të cilit i përmendet emri edhe në këtë bisedë e që ka qenë këshilltar i kompanisë në fjalë, ku ai thotë: “Ju kam thënë që dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga zvarritja dhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës është 700 mijë euro”.
Një ditë më parë nga zyrat e LSI-së është thënë se është montazh. Ju thoni që është një përgjim i shëmtuar. Cila është e vërteta?
Janë të gjitha bashkë, sepse absolutisht që prej disa javësh është punuar, dhe jam i bindur që kjo do të konfirmohet dhe nga ekspertët në të ardhmen, mbi një përgjim të shëmtuar. Ajo është provuar. Shikojeni vetë. Shikoni ato hapje e buzëve. Ato përkthimet që bëhen nga shqipja në shqip, aty nuk ka asnjë gjë. Dhe tjetra, pretenduesit e këtij përgjimi që më implikon mua, e kanë ata për detyrë që ta çojnë në Prokurori dhe unë që nga ky moment jam i gatshëm të bashkëpunoj me Prokurorinë dhe me çdo organ të zbatimit të ligjit.
Z. Meta, duke qenë se na sqaruar për shifrën 700, a mund të na thoni dhe për shifrën 7 për qind, e cila përmendet në kasetë?
Këtë sqarim duhet ta japë Prokuroria. Nuk kam asnjë sqarim për asnjë lloj interpretimi që i bëhet buzëve të mia apo buzëve të çimkës. Çdo element i këtij përgjimi të shkojë në dispozicion të Prokurorisë dhe unë jam shumë i hapur për të qenë shumë transparent, sikurse jam me ju sot këtu, me Prokurorinë dhe me çdo organ të zbatimit të ligjit. Ndërsa për këto akuza se pse kam kërkuar si Kryetar i LSI për të ndihmuar për tu punësuar njerëz apo elementë të caktuar nga LSI-ja, unë jam kryetar i LSI-së dhe është detyra ime që të ndihmoj sa më shumë aktivistë, simpatizantë që të punësohen dhe këtu nuk ka asnjë gjë të paligjshme dhe asnjë gjë të pandershme. Unë që kur jam angazhuar në politikë, që ditën e parë, jam përpjekur të bëj mirë. Jam përpjekur të ndihmoj jo vetëm simpatizantët e mi, të PS-së dikur, të LSI-së sot, por çdo qytetar dhe çdo njeri, i cili mendon se ka një të drejtë dhe e drejta e tij nuk shkel ligjet dhe nuk shkel rregullat në këtë vend. Dhe do të vazhdoj të bëj mirë gjithë jetën.
Z. Meta, kush mendoni se fshihet pas këtij përgjimi?
Ju e dini më mirë se unë. Mos më pyesni për gjëra që i dini më mirë se unë.
Z. Meta, a do të ngrini padi ndaj z. Prifti?
Nuk kam asnjë sekondë për të humbur me çimka.
Z. Meta, lënia vullnetare e imunitetit nuk njihet ligjërisht. Çfarë do të bëni?
Më duket se jam i qartë. Nuk ka vlerë ligjore jo për fajin tim, po se nuk do opozita që të lërë imunitetet dhe se luftën kundër korrupsionit e ka thjesht një blof politik. Por, kjo letër zyrtare drejtues Kryetares së Kuvendit do të thotë se Kryetarja e Kuvendit nuk ka nevojë të mbledhë as Komision Rregulloreje dhe Imuniteti, në rast se ka ndonjë akuzë apo ndonjë kërkesë në drejtimin tim nga ana e Prokurorisë apo organ tjetër i zbatimit të ligjit dhe që unë jam shumë i hapur për të bashkëpunuar pa mbajtur asnjë lloj barriere me asnjë institucion të zbatimit të ligjit në këtë vend. Më duket se deklarimet e mia ishin shumë të qarta. Ishin shumë të hapura. Ishin shumë transparente dhe kështu do të jenë gjithmonë.
Z. Meta, a mbani mend të keni përmendur shifrën 7 për qind në bisedën e bërë?
Të jeni të sigurt ju se gjithçka do të zbardhet nga Prokuroria. Në mos sot, do të zbardhet nesër, kështu që mos kini asnjë shqetësim. Dhe cilido që mund të ketë marrë ndonjë garanci për tu mbrojtur për veprime të paligjshme apo kriminale të jetë i sigurt që nuk do të ketë asnjë lloj garancie dhe asnjë lloj mbrojtje në këtë vend. Interpretimin e buzëve të mia ta bëj kush të dojë. Përkthimin tim nga shqipja në shqip ta bëj kush të dojë. Unë jam i kristaltë dhe absolutisht që nuk mund të shqetësohem nga asnjë çimkë dhe aq më tepër nga një ekip çimkash që është marrë me këtë montazh të fëlliqur.