Zv.kryeministri Meta takon kongresmenët amerikanë
Në kuadër të vizitës së tij në Uashington DC, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z.Ilir Meta, zhvilloi disa takime të rëndësishme në Kongresin amerikan, ku u prit nga kongresmeni Eliot L.Engel, drejtues i grupimit pro-shqiptar në Kongresin amerikan dhe njëkohësisht kryetar i Nënkomitetit për Hemisferën Perëndimore në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, si dhe nga kongresmeni William D.Delahunt, kryetar i Nënkomitetit për Europën. Meta e njohu kongresmenin Eliot Engel me zhvillimet më të fundit në rajon, situatën rreth procesit të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës nga shtete të tjera, si dhe me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të përshpejtimit të procesit të integrimit në BE. Nga ana e tij, kongresmeni Engel vlerësoi punën e qeverisë shqiptare dhe reformat e suksesshme të saj, të cilat kanë ndikuar prekshëm në procesin e sigurt të integrimit europian. Gjithashtu z.Meta dhe z.Engel biseduan për hapat që duhen ndërmarrë për të rritur numrin e shteteve që do ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës në të ardhmen. Gjatë takimit me kongresmenin Delahunt, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z.Ilir Meta, bëri një pasqyrë të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, reformave të qeverisë shqiptare, si dhe të çështjes së liberalizimit të vizave. Gjithashtu z.Meta e njohu kongresmenin Delahunt me rolin e Shqipërisë në OSBE, si dhe me projektin e vendit tonë për të siguruar kryesimin e kësaj organizate në vitin 2014.
#