• Zv/kryeministri premton investime më të mëdha për zonën e Devollit Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka marrë pjesë në 62-vjetorin e krijimit të Batalionit Partizan "Fuat Babani"
• Zv/kryeministri premton investime më të mëdha për zonën e Devollit
Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka marrë pjesë në 62-vjetorin e krijimit të Batalionit Partizan "Fuat Babani", në krahinën e Devollit. Në këtë përkujtimore ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisjes vendore, veteranë e familjarë të dëshmorëve si dhe deputeti i i zones, z. Maqo Lakrori.
"Unë kam patur fatin të jem disa vjet me radhë në këtë festë të bukur të devollinjve", u shpreh në fillim të fjalës së tij zëvendëskryeministri Namik Dokle, duke theksuar se Devolli e nderon historinë dhe përkulet me respekt përpara dëshmorëve.
Më tej, zëvendëskryeministri vuri në dukje se, "disa shkrues të historisë duan ta deformojnë atë, por ata do të mbeten gjithmonë anonimë, pasi në histori do të mbeten ata që e kanë shkruar atë me gjak, me sakrificat dhe rininë e tyre, sic janë bijte e Devollit, me në krye Fuat Babanin".
Duke u ndalur në kontributin e qeverisjes socialiste për zhvillimin e kësaj zone, zëvendëskryeministri Dokle tha se, pavarësisht investimeve të bëra deri tani për rrugët, shkollat, qendrat shëndetësore, etj, nuk kemi bërë aq sa duhet për Devollin.
Z. Dokle siguroi se Qeveria shqiptare do të vazhdojë investimet për këtë zonë, ashtu si edhe për gjithë Shqipërinë. Në aspektin e zhvillimin kulturor të kësaj zone, zëvendëskryeministri premtoi seshpejti "përurimin e Muzeut për birin e shquar të Devollit, Dritëro Agolli".
Deputeti i Devollit, Maqo Lakrori,.duke folur për investimet e fundit të bëra në këtë rreth, përmendi përfundimin e nënstacionit elektrik të Zëmblakut, përurimin së shpejti të shkollës së re të Braçanjit, të Hoçishtit, etj. Ai u shpreh se Qeveria parashikon të bëjë investime të tjera për rrethin e Devollit.
Ceremonia e 62 vjetorit të krijimit të Batalionit Partizan të Devollit u zhvillua në Dëmbtavë të Poloskës. Rreth 1600 devollinj u rreshtuan në radhët partizane, nga të cilët, 208 ranë dëshmorë. Për numrin e dëshmorëve Devolli radhitet ndër rrethet e parë të vendit.