E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/ministri i Jashtëm grek në Tiranë, takohet sot me Metën

TIRANE-Zv/ministri apo siç quhet ndryshe ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas pritet të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në vendin tonë në kuadër të turneut ballkanik. Ai vjen në Shqipëri pas vizitës që zhvilloi në Beograd, nga ku mori mbështetjen e Serbisë në kontestin për emrin e Maqedonisë. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç pas takimit me Droutsas deklaroi se “Serbia mbështet qëndrimin e Greqisë në kontestin për emrin e Maqedonisë, për të cilin konsideron se është i arsyeshëm, i baraspeshuar dhe racional”. Burime zyrtare pranë MPJ-së konfirmuan dje për GSH se çështja e emrit të Maqedonisë ka për të qenë një nga temat kryesore të bisedimeve që Droutsas do të zhvillojë me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar. Vizita e ministrit alternativ të Punëve të Jashtme të Greqisë në vendin tonë zhvillohet në një kohë kur Parlamenti ka shtyrë për një afat të pacaktuar ratifikimin e marrëveshjes me Athinën zyrtare për përcaktimin e kufirit detar, që tashmë është marrë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Droutsas mendohet të ushtrojë presionin e tij ndaj qeverisë Berisha për ratifikimin sa më shpejt të kësaj marrëveshjeje, të konsideruar nga Athina zyrtare si “arritje strategjike”, ndërsa sipas ekspertëve shqiptarë të fushës, si një “marrëveshje që cenon rëndë sovranitetin territorial të vendit me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon”.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›