Zyrtarizohet FRD-ja, Oketa: Jemi parti e qendrës së djathtë

Partia e re "Fryma e Re Demokratike" është zyrtarizuar sot si forca më e re politike në Shqipëri. Prezantimi i nismës më të re politike është bërë nga kryetari i grupit nismëtar të kësaj partie Gazmend Oketa në selinë e saj.
Në deklaratën e parë zyrtare, Oketa theksoi se “Fryma e re Demokratike” do të jetë një parti e qëndrës së djathtë, mishëruese e idealeve liberale.
"Jam këtu të bëj deklaratën e parë zyrtare këtu të grupit nismëtar të partisë Fryma e Re Demokratike (FRD). Siç jemi bërë me vetëdije, është ngritur grupi nismëtar, ky grup ka për qëllim të bëjë përgatitjet e nevojshme me zyrtarizimin e partisë fryma e re demokratike”, theksoi në fillim të fjalës së tij Oketa.
Sipas tij synimi i FRD-së, do të jetë funksionimi i demokracisë në vend ndërsa si prioritet do të jetë rinia. Ai shtoi se partia do të përfaqësojë konkretisht shtresën e mesme të shqiptarëve.
Oketa gjithashtu theksoi se progami do t`i ndënshtrohet një debati të lirë dhe do të miratohet në Kuvendin e partisë. “Fryma e re Demokratike vjen si përgjigje e nevojës që paraqet sot shoqëria për moralizimin e politikës. Është një parti e hapur kombëtare e cila do të shtrihet me strukturat e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe të vendosë dialog me diasporën” shtoi Oketa.
Ai shprehu shqetësimin e thellë për krizën e rëndë ekonomike që po përfshin gradualisht vendin tonë, duke kritikuar euforinë e qeverisë për rritje ekonomike.
“Fryma e re Demokratike merr përsipër të përfaqësojë interesat e shtresës së mesme të shoqërisë shqiptare, pasi kjo shtresë nuk është e përfaqësuar realisht. PD dhe PS janë themeluar para krijimit të kësaj shtrese, dhe ato nuk i kanë paraprirë këtij zhvillimi. FRD vjen si shprehje e vetëdijes historike që ka shtresa e mesme për të luajtur rolin që i takon në shoqërinë shqiptare”, tha Oketa.
Ai nënvizoi se integrimi në Bashkimin Europian do të jetë në themel të aspiratës së kësaj partie, me frymëzim atlantik. Oketa bëri me dije se edhe zgjedhja e kryetarit të partisë do të bëhet me standardin më demokratik, një anëtar një votë, ndërsa nënvizoi se ai do të ketë vetëm një mandat pa të drejtë rizgjedhjeje.