Plani i veprimit, Bregu: Është bërë progres në pikat kyçe

Ministrja e integrimit Majlinda Bregu ka raportuar sot në komisionin e integrimit në lidhje me planin e veprimit. Në fjalën e saj Bregu ka theksuar se është bërë progres në pikat kyçe si për reformën zgjedhore dhe për Gjykatën Administrative.
“Pas Gjykatës Administrative duhet të kalojë edhe ligji për shërbimin civil i cili kërkon 3/5 në Parlament. Ftoj opozitën që ta votoj këtë ligj në mënyrë që kjo të jetë një tjetër provë e kaluar” theksoi Bregu.
Ajo ka theksuar se mazhoranca është e gatshme të votojë alternativën e opozitës për heqjen e imunitetit brenda këtij sesioni. “Për të plotësuar prioritetin 8-të të Komisionit Europian duhet të votohet ligji për imunitetin. Lufta ndaj korrupsionit ka nevojë që të votohet ligji për kufizimin e imunitetit” ka theksuar më tej Bregu.
Ajo ka theksuar më tej se lista e prioriteteve nuk mbyllet brenda vitit, por për vitin 2012 është e nevijshme vullneti politik. “Duhet të përmbushim masat deri në shtator që në tetor të marrim statusin e BE” ka theksuar Bregu.
Ndërsa deputetët e opozitës në komisionin kanë theksuar se Ministria nuk raporton në BE të dhëna të sakta për trafikun e lëndëve narkotike. Sipas opozitës ky prioritet nuk është i plotësuar deri kur krimi të jetë i lidhur me policinë ndërsa shtoi se do të thirret për raportin edhe ministri i brendshëm Bujar Nishani.