E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekrutët merrnin 15% të parave që shkëmbenin

15/04/2010 Shpërndarësit e 73 mijë eurove

TIRANE- Shpërndarësit e 73 mijë euro false që u arrestuan pak ditë më parë në Tiranë, kanë funksionuar si një grup i strukturuar kriminal, ku dy krerët e grupit Avni Hajrullahu dhe Kemal Rexhepi, kishin arritur që të rekrutonin rreth 12 personave, të cilët shkëmbenin në zona të ndryshme të Tiranës eurot false. Secili nga personat “i punësuar” në këtë detyrë merrte 15 për qind të shumës së parave që arrinte të shkëmbente me eurot false. Kjo gjë është bërë me dije nga njëri prej personave të arrestuar, i cili i ka treguar organit të akuzës të gjithë skemën e këtij krimi financiar. Ndërkohë që ditën e djeshme gjykata ka vendosur masën “arrest në burg” për shtetasin Hazir Maçi, i cili u arrestua dy dytë më parë nga forcat e policisë së Tiranës. Burime pranë Prokurorisë thanë se ndalimi i tij është kryer përballë Hotel Tiranës, ku Maçi kishte dalë për të shkëmbyer eurot false. Prokuroria sqaroi se Maçi është personi që kryente rolin e ndërlidhësit midis dy drejtuesve të këtij grupi, kosovarit Hajrullahu dhe maqedonasit Rexhepi. Sapo eurot false dorëzoheshin tek Maçi, ai i transportonte ato drejt një lokali që ndodhet në stadiumin “Qemal Stafa”, i cili nga verifikimet rezulton në pronësi të të pandehurit Petrit Marku. Lidhur me këtë çështje 11 persona janë në burg, dy me detyrim paraqitje dhe një në arrest shtëpie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›