Çështje të përkthimit letrar
Qenësorja: vetëdijësimi për përkthime letrare cilësore
Për letërsinë tonë, përkthimi i veprave të letërsive të tjera në shqip është një akt shumëfish i rëndësishëm, sa është e rëndësishme zgjedhja e veprave poetikisht të pasura që duhet të përkthehen dhe vetë përkthimi cilësor që duhet t’u bëhet
Organizimi i veprimtarive shpirtërore artistike brenda një kulture në përgjithësi dhe i veprimtarisë letrare në veçanti është një punë sa e rëndësishme po aq dhe e ndërliqshme. Kjo ndërliqësi shprehet veçmas në ato kultura që u cilësuan me tundime të ndryshme në rrjedhën e zhvillimit e të mbijetesës, siç ndodhi me kulturën tonë, sidomos gjatë kohës së komunizmit, periudhë kur ajo pësoi në mënyra e në rrafshe të ndryshme. Brenda veprimtarive kulturore e shpirtërore përkthimi letrar ka qenë, është e do të jetë një formë e rëndësishme e përligjjes së shkallës së zhvillimit të një letërsie e të pasurimit të saj. Përfaqësuesit e atyre letërsive që e kuptuan mirëfilli rëndësinë e përkthimit cilësor letrar dhe i kushtuan atij kujdes të vijueshëm, letërsitë e tyre veçohen me vlera të mëdha letrare artistike. Deshëm të pranojmë ose jo, arti i fjalës e brenda tij dhe përkthimi letrar, është akt – veprimtari, që përligj rrafshin artistik të letërsisë së një populli, po është diçka më shumë. Odhise Paskali ka thënë me të drejtë: “çdo konsolidim kombëtar i popujve pason një lëvizje shpirtërore dhe çdo lëvizje shpirtërore që ka lënë gjurmë në historinë e qytetërimit është zhvilluar përkrah me një periudhë artistike të ndritur”. çështja e përkthimeve letrare dhe rëndësia e tyre shtrihet në dy rrafshe të qenësishme: a) përkthimi i veprave letrare nga gjuhët e tjera në gjuhën tonë shqipe dhe b) përkthimi i veprave të letërsisë sonë në gjuhët e tjera, sidomos në gjuhët e mëdha. Për letërsinë tonë përkthimi i veprave të letërsive të tjera në shqip është një akt shumëfish i rëndësishëm, sa është e rëndësishme zgjedhja e veprave poetikisht të pasura që duhet të përkthehen dhe vetë përkthimi cilësor që duhet t’u bëhet. Them kështu për arsye se me aktin e përkthimit dhe të botimit të përkthimit të një vepre letrare në një gjuhë, ajo vepër bëhet pjesë e pandashme e letërsisë në të cilën përkthehet, pa marrë parasysh periudhën dhe gjuhën në të cilën u shkrua. Veprat letrare të përkthyera komunikojnë në gjuhën përkatëse nëpërmjet shtjellimit të gjuhës poetike; përbërës që kushtëzon pandërmjetësisht vlerën e veprës dhe ndikimin estetik tek lexuesi, tek marrësi. Së këndejmi, institucionet shqiptare të kulturës, të arsimit e të shkencës, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, që merren mirëfilli me çështjet e letërsisë, si dhe shoqatat e ndryshme, ku veprojnë shkrimtarët, duhet t’i kushtojnë vëmendjen e tyre përkthimit letrar. Kjo vlen sidomos kur kemi parasysh gjendjen e palakueshme të pikërishme të përkthimeve tona letrare. Nuk të duhet të gjurmosh e të shfletosh shumë për t’u bindur sidomos për cilësinë e dobët të shumë përkthimeve letrare që bëhen tek ne. Disa prej tyre më së paku mund të cilësohen letrare. Ato janë ose përkthime fjalë për fjalë ose të krimbura me fjalë të huaja. Ka raste kur edhe shkrimtarët që kanë fituar shpërblimin “Nobel” të përkthehen nga autorë që asnjëherë nuk janë marrë me përkthime dhe nuk i njohin as çështjet themelore të veçantisë së shtjellimit të tekstit gjuhësor poetik. Disa botuesve, mjerisht, u intereson vetëm përkthimi i veprave letrare, që mund t’u sjellin leverdi ekonomike, pa e lodhur kryet për një përkthim të mirë. Kjo dukuri ngjet edhe në kulturat e tjera, po në botën tonë është shumë e pranishme, ndonjëherë deri në keqardhje. është e njohur se përkthyesit letrarë të mirëfilltë në të shumtën e rasteve janë, ose krijues letrarë, ose intelektualë që kanë shije e dije të ngritur për artin e fjalës, dhe, përkthimet e tyre i bëjnë me përkushtim e dije. Si të tillë ata radhiten vetvetiu në rendin e krijuesve letrarë. Për ta përligjur këtë që thashë, po përmend vetëm një emër: Gjon Shllakun, për të mos i përmendur të tjerët për shkak të vendit. Përkthimet e tij, fjala vjen, të “Iliadës” së Homerit dhe të “Gjeorgjikave” të Virgjilit, pa pikën e mëdyshjes e renditin atë në radhën e krijuesve tanë letrarë të mëdhenj. Ndodh kështu për arsye se përkthimet e tij në qenësi janë rikrijime, për të mos thënë krijime në gjuhën tonë: autorët e veprave të përmendur i lexojmë nëpërmjet strukturës tekstore poetike të përftuar nga ai. Pra, përkthimet e përkthyesit janë fryt i pasurisë së tij shpirtërore dhe i dijes së tij pikërisht në fushën e artit letrar. Në këtë rrjedhë, natyrisht, nuk hyjnë ata autorë që vetëm përkthejnë ose, për të qenë më i saktë, e përkthejnë vetëm kuptimin e fjalës (shpesh edhe keq), pa u marrë me formën, me shtjellimin e strukturës poetike të teksteve të përkthyera. Një vepër letrare nuk përkthehet për të kuptuar objektin e trajtuar nga autori, ngjarjen, po për shkak të shtjellimit gjuhësor shprehës, përkatësisht të shumësive kuptimore që teksti poetik është në gjendje t’i ofrojë lexuesit. Një vepër letrare e përkthyer dobët, është më mirë të mos botohet. Përkthimi i veprave të letërsisë sonë në gjuhë të tjera është, po ashtu, një ndërmarrje me rëndësi të shumëfishtë për ne e për njohjen e letërsisë sonë në përmasa më të gjera. Në të vërtetë, përkthimi i veprave të letërsisë sonë mundëson peshimin dhe vlerësimin e saj në një rrafsh tjetër, ku vlerat shfaqen në dritë e hapësirë më të madhe: ajo afrohet dhe ballafaqohet me vlerat e letërsive të tjera dhe në këtë mënyrë edhe vlerësimi i saj hyn në një rrjedhë tjetër se sa kur ne e vlerësojnë me kriteret vetëm brenda letërsisë kombëtare. Në dritën e ballafaqimit e të krahasimit të tillë letërsia jonë e dëshmon vlerën e saj të mirëfilltë. Paraqitja e një letërsie në kulturat e popujve të tjerë është e ndërlidhur edhe me kulturën, me subjektin, përkatësisht me gjuhën tjetër: duhen gjetur institucionet dhe njerëzit në kulturat e tjera, nëpërmjet të cilëve mund të përmbushet kjo ndërmarrje. Të bëhem më i qartë: institucionet tona mund të bëjnë zgjedhje të qëlluara e cilësore të librave letrarë, që do të mund të botoheshin në gjuhë të tjera, po duhet gjetur përkthyesi i mirë dhe botuesi i rëndësishëm; dy dukuri të pandara nga njëra- tjetra. Në Kosovë, në vitet ‘70 veproi Shoqata e Përkthyesve Letrarë, e cila e arsyetoi themelimin: zgjodhi veprat cilësore dhe i gjeti dhe përkthyesit cilësorë. Për këtë dëshmojnë disa vepra letrare të autorëve shqiptarë të Kosovës të përkthyera në anglisht. Nga kjo që thashë del se në botën tonë është i domosdoshëm një organizim i mirëfilltë i shkrimtarëve dhe i përkthyesve letrarë, një vetëdijesim i mirëfilltë për rëndësinë e përkthimeve letrare, që mund të përmbushet në rrafshin e duhur vetëm në bashkëpunim midis institucioneve, botuesve, shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë. Sa më shumë që të vonohemi në përmbushjen e kësaj detyre, pësimet do të jenë më të mëdha.
Anton Nikë Berisha(Prishtinë, janar 2010)
#