E Shtunë, 31 Tetor 2026

fushata politike

06/05/2009  

Turi i PR-së

Mediu: Në katër vjet mbajtëm premtimet e bëra

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar gjatë një takimi elektoral me qytetarë të Shijakut se mazhoranca e djathtë tregoi se di t’i mbajë premtimet e dhëna. “U bashkuam me njëri-tjetrin me bindjen se Shqipëria dhe gjithë shqiptarët meritojnë shumë, se fëmijët, prindërit, familjet tona meritojnë jetë të mirë me një të ardhme të sigurt. U bashkuam me përkushtim për të gjithë, me përkushtim dhe dashuri për Shqipërinë që duam të gjithë”, - ka thënë Mediu. Numri një i PR-së ka analizuar sukseset e arritura nga koalicioni i djathtë gjatë kësaj legjislature, strukturë e të cilit është dhe forca politike që drejton, duke thënë me bindje se pas anëtarësimit në NATO ky koalicion me një mandat të dytë të shqiptarëve në zgjedhjet e qershorit do të vazhdojë punën e tij me të tjera reforma të suksesshme. Ai vuri theksin në vijimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në investime të tjera në infrastrukturë dhe me finalizimin e të gjitha këtyre me anëtarësimin në BE. Mediu ka vënë theksin në faktin se PR-ja që në fillimet e saj u ka dhënë zë kërkesave të ish-pronarëve. Ai u shpreh se për republikanët çështja e pronës ka qenë dhe mbetet guri themeltar i ndërtimi dhe zhvillimi i një ekonomie të qëndrueshme.

Demokratët dhe socialistët përplasen për kartat e identitetit

PD: PS-ja ka shpresa se do të blejnë votën e qytetarëve me 200 lekë

Partia Demokratike ka denoncuar qëndrimin e fundit të kundërshtares së saj kryesore politike në lidhje me aplikimin për kartat e reja të identitetit. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka reaguar ndaj thirrjes që socialisti Sajmir Tahiri u bëri qytetarëve për pajisjen me kartat e identitetit. Për përcjellësen e mendimit zyrtar të PD-së tashmë PS-ja po përpiqet të blejë oitat e qytetarëve, si shansin e vetëm për të pasur rezultat në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershori. “Tregtarët e votave, humbësit e mëdhenj kanë varur shpresat se do të blejnë votën e qytetarëve shqiptarë me 200 lekë, dhe kjo me sa duket është e vetmja shpresë që i ka mbetur Edi Ramës në këtë prag fushate kapitulluese”, - ka deklaruar Mëhilli. Ajo iu kundërpërgjigj në këtë mënyrë deklaratës së bërë pak minuta më parë nga zyrtari socialist. Tahiri u bëri thirrje të gjithë atyre që nuk kanë pasaportë të aplikojnë për kartat e identitetit, duke bërë sakrificën e pagesës prej 200 lekësh të reja. Por ai premtoi se PS-ja, kur të vijë në pushtet dhe Edi Rama do të jetë kryeministër i vendit, qytetarëve do t’u kthehen paratë e kartës. Pikërisht ky qëndrim nxiti reagimin e Partisë Demokratike. Zëdhënësja Mëhilli u shpreh se përmes këtyre premtimeve kryetari i PS-së po tregon qartazi se mund të gënjejë qytetarët. “Me këto Edi Rama dëshmon se pas dështimit të të gjitha alternativave beson se mund të gënjejë shqiptarët me mashtrime të tilla. Do ta pyesim zotin Rama se çfarë do të bënte ai nëse qeveria do t’u thoshte qytetarëve: ‘Merrni pjesë në votime, se do të keni një rrogë shtesë?’”, - deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Berisha përurime investimesh dhe mesazhe politike

“Vendi përballet me dy alternativa: reformat dhe nihilizmi”

Kreu i qeverisë ka premtuar se në mandatin e dytë qeverisës mazhoranca e djathtë do t’i japë goditjen përfundimtare varfërisë dhe mjerimit në Shqipëri. Duke folur nga Spilleja, Berisha siguroi se në 4 vjetët e ardhshëm në fokus të vëmendjes sërish do të jetë jeta dhe problemet e qytetarëve, që lidhen me punësimin dhe luftën kundër varfërisë. “Katër vjetët e mandatit të dytë sërish do të jenë vitet e problemeve tuaja. Në këta 4 vjet ne angazhohemi që të sjellim ujin e pijshëm brenda shtëpisë së çdo shqiptari, angazhohemi që me sistemin e kanalizimeve të realizojmë pastrimin e plotë e përfundimtar të ujërave tona. Në këta 4 vjet ne zotohemi ta shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në rajon e më gjerë”, - ka thënë Kryeministri Berisha. Ai premtoi se në 4 vjetët e ardhshëm do të rindërtohen apo ndërtohen nga e para çdo shkollë të vjetër në Shqipëri. Berisha tha gjithashtu se gjatë mandatit të dytë qeverisës do të vazhdohet me shpejtësi në rritjen e pagave dhe të pensioneve. Ai ka sulmuar opozitën për qëndrimet e mbajtura gjatë viteve të fundit. “Sot në Shqipëri sërish përballen dy alternativa: ajo e reformave dhe rezultateve të pamohueshme të tyre dhe tjetra alternativa e nihilizmit, e mohimit të çdo gjëje. Mos harroni se në kohën kur ne rritnim pensionet, kundërshtarët tanë mohonin se pensionet po rriten. Në kohën kur ne rritnin pagat e mësuesve, kundërshtarët tanë mohonin se po rriten pagat e mësuesve. Në kohën kur ne shkonin drejt NATO-s, kundërshtarët tanë organizonin mitingje proteste për të bllokuar procesin”, - ka thënë Berisha. Kryeministri gjatë vizitës së tij në Spille përuroi fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës Spitallë–Porto-Romano, me gjatësi 2.5 kilometra dhe gjerësi 16 metra, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 220 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›