E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet ish-deputeti i Durrësit Flori Bajramaj

17/09/2009  Akuza për shpërdorim detyre në 2002-2005, arratiset kryetari i komunës Hysen Gashi

DURRES- Është arrestuar nga efektivat e Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiarë ish-deputeti i Durrësit Flori Bajramaj. Deputeti është prangosur në banesën e tij, ndërkohë që burime të sigurta policore thonë se është shpallur në kërkim edhe kryetari i komunës së Rrashbullit Hysen Gashi. Nën akuzën e shpërdorimit të detyrës është vënë në pranga edhe shtetasi Pasho Beqiri, i cili ka qenë kryetar i këshillit teknik dhe relatues i KRRT-së në komunën e Rrashbullit. Flori Bajramaj në zgjedhjet e vitit 2005 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në zonën e Plazhit, Arapaj, Shkallnurit, Shkëmbit të Kavajës dhe Shënvlashit, zonë e cila është nën juridiksionin e komunës ku ai ka ushtruar detyrën e juristit.

Arrestimi

Në orët e mbrëmjes të së mërkurës efektivat e sektorit operacional të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Durrësit kanë arrestuar ish-deputetin Flori Bajramaj dhe shtetasin Pasho Beqiri. Operacioni i koduar “Shkëmbi i Kavajës” ka nisur në orët e mesditës sapo gjykata e rrethit gjyqësor në Durrës ka nxjerrë vendim e arrestit. Policia ka mundur të ekzekutojë vetëm vendimin numër 548 dhe vendimin numër 549, ndërsa burime të sigurta thonë se një tjetër vendim i ngjashëm është marrë edhe për kryetarin e komunës së Rrashbullit Hysen Gashi. Ky i fundit duket se ka mundur të shpëtojë së paku nga operacioni i orëve të mbrëmjes pasi në kohën që mjeti i tij është ndaluar nga policia, Gashi nuk ka qenë në autoveturë. Gjykata ka vendosur për të dy si masë sigurie “arrest në burg” nën akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me disa leje ndërtimi dhe leje sheshi ndërtimi në vitet 2002-2005 në vendin e quajtur Shkëmbi i Kavajës. Sipas pohimeve zyrtare policore që mbështeten në deklarimet e gjykatës, mësohet se lejet e dhëna në favor të personave të tjerë në zonën bregdetare tek Shkëmbi i Kavajës kanë qenë prona publike, kurse përfituesit nuk kanë pasur vërtetim të pronësisë. Prokuroria ka më shumë se 3 vjet që ka nisur të shqyrtojë dosjet lidhur me ndërtimet tek Shkëmbi i Kavajës. Në vitin 2005 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar në komunën Rrashbull kontroll lidhur me procedurat e ndjekura për ligjin e urbanistikës dhe është përqendruar kryesisht tek lejet që janë dhënë për ndërtimet e pallateve, hoteleve, restoranteve dhe moteleve tek Shkëmbi i Kavajës. Janë më shumë se 1100 ndërtime, të cilat janë bërë objekt i raportit përfundimtar të KLSH, i cili i ka përcjellë dosjet në Prokurorinë e Durrësit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›