E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çifti me 5 stinë

Autori i Lajmit: Gerilina Kodheli
“Viti ka 4 stinë, ndërsa ne kemi 5, edhe vajzën tonë, Stinën”. Kështu shprehet çifti i aktorëve Genc Fuga dhe Eni Jani. Të qeshur dhe shumë simpatikë, ndërsa rendin pas vajzës së vogël dhe të dashur, Stinës, Eni dhe Genci tregojnë angazhimet më të fundit dhe projektet e mëdha që kanë për karrierën. Gjithçka e nisin nga “Kopshti i vishnjave”, shfaqje ku Eni është protagoniste, duke vazhduar me shfaqjen “Të gjithë me huqe” në të cilën është pjesëmarrës Genci dhe më tej me serialin televiziv, sa tërheqës aq edhe intrigues, “Tingulli i heshtjes”, ku marrin pjesë të dy. Dashuria është sa e ngrohtë aq edhe e freskët për ta, të cilët pohojnë se “dashurohemi si ditën e parë”.....
Genci: Pas një periudhe disi të vështirë për shkak të lindjes së vajzës, erdhi një periudhë edhe pak sa më e vështirë për ne. Eni në janar filloi punën me “Kopshtin e Vishnjave”, njëkohësisht u ballafaquam edhe me një situatë…. Është e vërtetë që ne kemi fëmijën, ne kemi punët tona të përditshme, unë në Akademi dhe Eni tek një televizion dhe njëkohësisht përpiqemi që të kemi përsëri kohë brenda ditës që Eni të realizonte atë rol që realizoi pranë Teatrit të Metropolit. Ndërsa unë do të angazhohesha pranë Teatrit Kombëtar, pas një propozimi të regjisorit të nderuar Gëzim Kame, me një kast të mrekullueshëm që ka në shfaqjen e tij, të rrit shumë përgjegjësi. Këtë do të thosha për sa i përket kohëve të fundit si çift. Këtë periudhë, vajza në datën 4, ditën e hyrjes në NATO, mbushi 15 muaj, kështu që ka qenë periudhë gjithnjë e ngarkuar, por patjetër që sa më e ngarkuar të jetë dita aq më të lumtur jemi në një lloj sensi. Në sensin që patjetër gjejmë energji që të përballojmë gjithçka.

Eni, jeni të dy artistë, edhe ti edhe Genci, ndërkohë që keni edhe një familje, një fëmijë. Sa e pengon arti familjen dhe njëkohësisht sa e pengon familja karrierën tuaj?
Eni: Të merresh me art të zihet patjetër një pjesë e mirë e ditës, sepse të kërkon përkushtim që të bësh vërtet një gjë të mirë dhe të arrish atë që do. Në fund të fundit e bën me dëshirë, nuk të detyron njeri. Mendoj se nëse do të kisha një partner tjetër që nuk do të ishte në këtë fushë do ta kisha pasur edhe më të vështirë. Fakti që ne jemi të dy brenda kësaj fushe dhe e kuptojmë shumë mirë sakrificën që do arti dhe përkushtimin që do arti, kjo ma ka bërë shumë më të thjeshtë. Lodhja ka qenë, vështirësitë kanë qenë, por duke pasur një lloj mbështetjeje, duke pasur Gencin si mbështetje e kam pasur të thjeshtë që ta përballoj.

Çfarë sakrifikoni nga familja për karrierën?
Eni: Faktikisht, ajo që unë kam sakrifikuar ka qenë koha që unë duhet t i përkushtohesha Stinës, vajzës sime. Të them të drejtën, unë kam qëndruar më shumë se ç duhet larg saj, sepse një pjesë të ditës unë jam në punë, në televizion dhe një pjesë të mirë të ditës unë isha në prova. Në punë paradite dhe në prova pasdite, kështu vajzën në mëngjes e lija në gjumë dhe kur kthehesha në darkë e gjeja në gjumë. Në drekë mund të arrija ta shikoja 1 ose 2 orë. Për mua kjo ka qenë një sakrificë e dhimbshme, por më duhej që ta bëja. I kërkoj shumë falje Stinës, megjithëse e di që ajo nuk më kupton. I kërkoj falje Stinës dhe i faleminderit Gencit që më ka duruar dhe më ka mbështetur për punën.

Çift në jetë dhe çift në skenë, si e ndani ju jetën nga skena?
Eni: Ne nuk është se kemi ndonjë ndarje të marrëdhënies në çift dhe marrëdhënies në skenë, sepse ne jemi shumë të lirshëm në komunikim me njëri-tjetrin. Nëse do të shikonit, edhe në shtëpi për të argëtuar vajzën tonë, ne bëjmë lojë në shtëpi. Ne edhe me njëri-tjetrin bëjmë lojë dhe kur jemi në shtëpi ne jemi si në skenë. Nuk na bën shumë përshtypje, sepse ne njëlloj jemi si në jetë, si në skenë. Marrëdhënien e kemi të atillë.

Genci: Në mënyrë profesionale do të thosha sa të lirshëm jemi në jetë aq të lirshëm jemi edhe në skenë, kuptohet në lidhje me rolet...

Eni: Ne bëjmë kukulla, bëjmë personazhe që do të argëtonin Stinën.

Eni, jeni protagoniste në shfaqjen “Kopshti i vishnjave”, një vepër madhështore e Çehovit. Cili është roli juaj në këtë shfaqje dhe çfarë karakteri ka ai?
Personazhi i Ljubova Andrejevnës është një ndër personazhet më komplekse, më të vështira. Duke qenë se Çehovi merret me zbërthimin e ndjenjës njerëzore, të gjendjeve shpirtërore të njerëzve, dhe personazhet detyrimisht i ka të vështirë, dhe personazhi i Ljubës është shumë i vështirë. Me ndryshime të gjendjes shpirtërore të menjëhershme, kjo kërkonte shumë punë edhe shumë mund nga ana ime. Unë kur më është propozuar ky rol kam qenë pak e “trembur”. Kur kam punuar më parë Çehovin kam qenë në Teatrin Kombëtar dhe atje unë isha si më e vogla, si më e reja dhe isha si të thuash e mbështetur dhe e rrethuar nga profesionistë të Teatrit Kombëtar. Ishte Yllka, ishte Berti, ishte Fatos Sela, ndihesha në njëfarë mënyre e mbrojtur, kisha njëfarë mbështetjeje. Ndërsa këtu ne ishim të gjithë të rinj, ishim të gjithë njëlloj edhe roli kryesor i veprës m u besua mua dhe e kisha me frikë, por që doja ta kisha edhe si sfidë me veten time, që dua ta realizoj këtë rol edhe më tepër duke qenë se ishim të rinj edhe me moshë ne nuk përshtateshim me personazhet. Personazhi që unë luaja ishte 50 vjeç dhe duke marrë parasysh gjithë këto vështirësi unë e kisha pak me frikë. Doja ta bëja këtë sfidë me veten dhe mendoj se e kam realizuar. Doli një punë e mirë dhe ia vlejti barra qiranë. Falënderoj jashtëzakonisht Kiço London që ma besoi këtë rol.

Genci, po ju si e shikoni këtë shfaqje dhe rolin e Enit aty?
Genci: Do të thosha diçka për “Kopshtin e vishnjave”, kam qenë pjesë e diskutimeve në shtëpi, sepse Eni provonte dhe diskutonte edhe në shtëpi. Bëhet fjalë për veprën e fundit të Çehovit, dhe kjo mbahet si një ndër pjesët më të vështira të tij. Bëhet fjalë për periudhën, sigurisht përpara revolucionit rus, por njëkohësisht edhe aristokracia ruse kishte kaluar edhe më përpara një tërmet të vogël që ishte, ndalimi me ligj i feudalizmit që ishte në 1870 dhe 1880. Pikërisht Çehovi e vendos këtë situatë mbas një aristokracie shumë të zhvilluar për kohën, por aristokraci që tashmë nuk ka të drejtë ta thërresë veten e vet me këtë emër. Dhe në fakt në thelb të kësaj pjese qëndron çorganizimi shoqëror mbas këtij hapi shoqëror që ishin largimi i feudalizmit dhe konsolidimi i borgjezisë së re dhe strukturave të reja shoqërore. Këtu gjejnë pasqyrë të gjithë personazhet e ndryshëm. Ndërkohë që Eni punonte kemi qenë tejet të vëmendshëm qoftë edhe për Rusinë, për karakteret ruse, për atë çka presupozonin ose për atë çfarë mund të kishte mbetur sot. Dhe kjo, pa dyshim, me anë të punës së regjisorit edhe të Enit, kuptohet, u arrit ky rol.

Punoni bashkë për rolet apo shfaqjet e gjithsecilit?
Eni: Në periudhën që ishte “Kopshti i vishnjave”, unë vija nga provat dhe isha në përpëlitje për të gjetur rrugën e duhur për ta mbështetur personazhin. Dhe gjithë kohën mbaroja punë me Kiçon, së kërkuari dhe së punuari dhe vazhdoja me Gencin në shtëpi. Gjithmonë edhe Gencit i shprehja që kam këtë pakënaqësi, më mundon kjo, më mundon ajo, Kiçoja është në këtë mendim, ndërsa unë mendoj se është kështu. Pra gjithmonë edhe në shtëpi nuk është se kam pushuar, madje ka pasur raste që Genci më kapte duke folur me vete në shtëpi, sepse provoja monologët dhe tentoja ta zbërtheja në një mënyrë tjetër dhe Genci qeshte dhe thoshte: “Më iku gruaja, më doli nga garancia” (qesh).
Genci: Ka qëlluar në shumë raste që kur lante pjatat apo bënte punët e rutinës të shtëpisë, pa pritur dhe pa kujtuar, dëgjoheshin pjesë “ah..”, “po jo pra jo ashtu është e gabuar”... domethënë pjesë nga monologu i personazhit. Ishte diçka sa komike, por edhe e vështirë. Gjithmonë i jepja një koment apo diçka për ta orientuar.

Është profesor i rreptë Genci?
Eni: Genci? Jo. Nuk është i rreptë, përkundrazi. Unë Gencin e kam pasur pedagog edhe në Akademi të Arteve kur isha vetëm studente, pa qenë burrë dhe grua edhe Genci bënte përjashtim nga profesorët e tjerë, mbante një marrëdhënie shumë miqësore dhe të afërt me studentët. Madje, në fillim kur e thërrisnim profesor na thoshte: “Më thërrisni vetëm Genci, jo profesor”. Këtu më ka bërë përshtypje Genci, që në momentin e parë kur ka thënë më thërrisni Genci. Ishte shumë i komunikueshëm, shumë i afrueshëm, tolerant. Kishte bonsensin për të ndihmuar gjithmonë. Kështu që nuk besoj të ketë ndryshuar nga ajo kohë kur unë kam qenë studente, madje mendoj se do të jetë bërë akoma edhe më tolerant. Nuk besoj se Genci mendon se duhet të jetë i rreptë për të fituar respektin e studentëve.

“Toc-toc” apo “Të gjithë me huqe”, është një komedi tërheqëse që nga titulli. Na tregoni pak për këtë vepër dhe rolin tuaj atje...
Genci: Jo vetëm nga titulli, por mendoj se është më tepër tërheqëse nga regjisori. Mendoj se është një ndër regjisorët jashtëzakonisht të aftë në skenën shqiptare është Gëzim Kame. Është një regjisor që gjithmonë ka ditur t i flasë publikut shqiptar në një mënyrë tejet origjinale. Ishte një propozim i beftë i regjisorit, por që “edhe pa e lexuar pjesën, sigurisht që unë do të pranoja”, sepse bëhet fjalë edhe për mikun tim, aktorin shumë të talentuar të humorit, Roland Trebicka. Unë kam disa pjesë me Rolandin, bëhet fjalë për ish-pedagogun tim, por jo direkt, Viktor Hysi, bëhet fjalë për Olta Dakon, me të cilën ka qenë një dashuri reciproke për ta pasur njëri-tjetrin partner në komedi, bëhet fjalë për Rajmonda Bulkun, që është një aktore më se e konfirmuar e Teatrit dhe mbi të gjitha ishte një produksion i Teatrit Kombëtar. Do përpiqesha që të mos e refuzoja më atë skenë. Kështu që patjetër do të ishte një karakter që unë do ta pranoja me dëshirë.

Cila është tema që trajtohet në këtë komedi?
Genci: Pjesa ka të bëjë me sëmundjet e vogla, me tiket e vogla mendore, me fiksimet e ndryshme njerëzore, por që këto fiksime ne na ndajnë nga realiteti, nga bota. Ne na bëjnë tepër të paragjykuar, nëse i kemi këto fiksime ne na bëjnë tepër të paragjykuar nga bota, nga realiteti dhe në fakt është pikërisht ky komunitet nga i cili ti gjen shërim. Është pikërisht ky komunitet. Rasti është klasik, janë disa njerëz me “tike” nervore që bëhen të gjithë bashkë dhe me shumë elegancë. Autori është kontemporan, francez, pjesa para dy vjetësh është luajtur me shumë sukses në skenat franceze, pariziene. Është ky komunitet, në fund të fundit, që shëron qoftë edhe për një çast këto “sëmundje” mendore.

Ku e gjen mbështetjen kjo komedi në realitetin shqiptar?
Genci: Pse vihet kjo pjesë këtu, në këtë vend? Spektatori. Po flas me fjalët e regjisorit. Kemi një numër të madh mungese jete në komunitet dhe mund të ishte momenti i duhur për të dhënë një lloj zgjidhjeje, se vetëm jeta brenda komunitetit dhe mirëkuptimi i të gjithë aspekteve të komunitetit është zgjidhja për atë shoqëri që ne duam të aderojmë. Ky do të ishte ilaçi i vetëm, vetëm jeta në komunitet.

Cili është karakteri i personazhit që ju do të luani?
Genci: Është një person që dashurohet me simetrinë dhe kjo dashuri për simetrinë i ka sjellë të gjitha pasojat e tij. Karakteri im quhet Bob. Jemi në një proces dhe përpos punës së madhe, unë e kam diçka më të thjeshtë punën në krahasim me Enin, sepse nuk mund të kem monologë të shumtë, por gjithsesi edhe unë në shtëpi provoj ato që kam për të provuar. Përpos punës së madhe dua të falënderoj edhe një herë pjesëmarrësit në këtë projekt, sepse edhe kënaqësia është shumë e madhe. Kjo të bën që punën ta konsiderosh kënaqësi dhe kjo e bën jashtëzakonisht shumë qëndrimin tënd ndaj punës.

Genci, di që jeni duke punuar njëkohësisht për një tjetër projekt. Bëhet fjalë për një film. Na tregoni diçka për këtë...
Genci: Njëkohësisht mua më vjen keq që pas një periudhe disi të paqartë qoftë në rangun e medias apo në rangun e akt kulturës në përgjithësi, më në fund producentë të ndryshëm, të kthejnë edhe një herë sytë tek argëtimi kualitativ, me kualitet i këtij publiku. Do të duheshin jashtëzakonisht shumë lëvizje brenda për brenda “Vizion Plusit”, lëvizje të ndryshme, hapa të ndryshëm menaxherialë e të tjera që unë të bija në kontakt dhe së bashku me Enin, edhe ajo është pjesë e projektit, të mund të ndihmonim krijimin e një seriali shumë interesant, jashtëzakonisht të ndjekur, intrigues. Regjisori është grek, producenti është gjithashtu grek. Marrin pjesë aktorë tepër të njohur, do të ketë surpriza me aktorët e tjerë. Por ne të dy kam idenë që do të jemi në një pozicion tepër komod, Eni si aktore dhe një ndër aktoret kryesore të këtij seriali, ndërsa unë përpos rolit kam marrë përsipër edhe detyra të tjera brenda për brenda produksionit, si e si që kjo punë të ecë sa më mirë dhe t i paraqitemi spektatorit sa më mirë. Si krijues apo realizues unë jap ndihmë dhe pres ndihmë nga të tjerët. Unë e kam për detyrë që të ndihmoj njerëz.

Cili është titulli i këtij seriali, subjekti?
Genci: Titulli... “Tingulli i heshtjes”, është regjisori i huaj, producenti i huaj, kameramani, incizimi, fonia... vetëm trupa e aktorëve do të jetë shqiptare. “Tingulli i heshtjes” mbase do të ishte më mirë që regjisori dhe producenti të nxirrnin më të vërteta përreth kësaj, por si subjekt është i testuar edhe në vendet e tjera të Ballkanit dhe ka rezultuar me shumë sukses. Po në këtë zhanër, po në zhanrin e serialit televiziv. Situatë aktive brenda përbrenda shtëpisë mbas një periudhe minimalisht 2 vjet tërheqje totale dhe ju betohem jo për fajin tonë. Gjatë këtij dyvjetëshi më ka bërë që të mendoj vetë si person, mbase edhe si qytetar, mbase edhe për shumë ”mbase” të tjera, jo më shteti, por politika shqiptare për obligimin që ka ndaj shtetasve të tij për nivelin e argëtimit të tij. Argëtimi mund të jetë mënyra më e mirë për të zgjidhur hallet pa fund që ka ky vend.

Genci, njiheni më së shumti si një aktor komedish. Është zgjedhja juaj apo aty e gjeni veten?
Genci: Si person më pëlqen humori. Më pëlqen ta konsumoj humorin, edhe të marr humor edhe të bëj humor. Duke e vlerësuar humorin si shkalla më e lartë e civilizimit dhe shkalla më e lartë e emancipimit të një kombi dhe të një personi. Dhe këtë e kam theksuar në çdo lloj interviste. Nuk është e thjeshtë të bësh humor. Ne si vend i vogël i marrim gjërat jashtëzakonisht seriozisht, jemi gjithmonë të ngrysur, jemi gjithmonë kush je ti e kush jam unë , ndërsa në një vend tjetër nuk ka vend për këto lloj diskutimesh. Është një realitet disi sipërfaqësor që mua më tingëllon në moment tepër komik. Por do të thosha që si aktor unë kam provuar role edhe dramatike, madje edhe për rolet dramatike jam nominuar për çmime të ndryshme. Prirja ime është drejt humorit, sepse është ajo që është brenda meje, por që jam edhe serioz, madje duke bërë shaka shumicën e kohës, tremben ndonjëherë kur bëhem serioz, sepse bëhem shumë serioz.

Film dhe teatër. Jeni një aktor i të dyja këtyre gjinive. Po ju vetë ku ndiheni më komod dhe çfarë ndjesish keni në secilën?
Genci: Nuk është se kanë ndonjë diferencë për energjinë e harxhuar përpara kamerës apo spektatorit. Puna është e njëjtë, angazhimi është i njëjtë. Ajo çka i dallon është se duartrokitjet në teatër ti i merr të menjëhershme, ndërsa në film do të duhet kohë që t i marrësh. Në këtë situatë filmat nuk është se kanë qenë pafund, por sigurisht që duhet theksuar që filmi është edhe si të shikon regjisori në një psikofizikë të caktuar. Kështu që eksperiencat e deritanishme në film kanë qenë role të karakterit. Do të njëjtin angazhim. Urimet në shfaqje i merr menjëherë, ndërsa urimet e filmit i merr pas dy vjetësh. Por brenda Gencit të dyja qëndrojnë njëlloj. Për sa i përket ndjesive, në rast se në teatër ti e shikon publikun apo e ndien praninë e tij, përpara kamerës ti nëpërmjet atij gypit të zi të saj duhet të ndjesh teleshikuesit dhe telespektatorët. Kështu që është thjesht çështje fokusi.

Eni, jeni në një situatë jo shumë të këndshme me Gencin, ndoshta jeni grindur apo keni pasur probleme, ndërkohë që jeni të dy bashkë në skenë ku duhet të interpretoni çiftin e lumtur. Si e superoni këtë situatë?
Eni: nuk para ndodh që grindemi, por edhe atëherë që grindemi na zgjat vetëm dy minuta, jo më shumë. Kjo sepse ose do të gërricem unë, ose Genci. Të dy jemi natyra që nuk e mbajmë dot inatin, kështu që sa të dalim nga shtëpia e sa të shkojmë në teatër për të bërë prova, jemi pajtuar 20 herë.
Komedi apo dramë, film apo teatër. Ju Eni ku e gjeni veten më shumë apo si i ndien ndryshimet?
Eni: Edhe kanë, edhe nuk kanë ndryshime. Filmi ka diçka më komode, sepse ti ke mundësi ta rikuperosh veten. Kurse në teatër je direkt ballë për ballë me spektatorin dhe do të vazhdosh. Emocioni në teatër është shumë më i fortë, shumë më i ndjeshëm, shumë më i bukur, shumë më i prekshëm. Në film kamera e shpreh qartë emocionin, apo sytë e tu, ndërsa në teatër duhet të sforcohesh, të japësh më të mirën që ai emocion të përcillet tek publiku. Filmi të mbulon të rregullon, ndërsa në teatër je i zhveshur. Ndërsa për komedinë, nuk është se kam bërë një eksperiment apo të provoj të luaj në një komedi të mirëfilltë.

Genci: Eni do të testohet së shpejti në një rol komik shumë interesant. Bëhet fjalë për projektet e ardhshme që janë në diskutim me miq, shokë e regjisorë të ndryshëm. Projekti i radhës është që Eni të provojë komedi. Ne jemi ende në procesin e punës për të dhuruar magji në skenë.

Cila ka qenë dita më e lumtur për ju?
Eni: Ditët më të lumtura kanë qenë kur ka lindur vajza dhe kur jam martuar.

Genci: Pa dyshim, dy lindjet e vajzave të mia, së madhes dhe Stinës, ditë vërtet të lumtura, do të thosha edhe për martesën tonë, por do të kopjoja Enin, nëse e them.

Eni: Martesën, sepse faktikisht dasmën e kemi bërë ashtu siç kemi dashur, tri ditë, kemi veshur çfarë kemi dashur dhe gjithçka na shkoi për mrekulli, kemi shkuar ku kemi dashur. Çdo gjë na shkoi perfekte, e kemi shijuar deri në maksimum.

Dashuria juaj....
Eni: Genci më kishte katër vjet studente dhe nuk më ngacmoi ndonjëherë, pasi mbarova shkollën filloi të më fliste. Më thoshte më pas, “ku të të shihja unë, ti rrije me tuta dhe punoje gjatë gjithë kohës” (qesh).

Genci: Është një parim mbase filozofik, dashurinë duhet ta ushqesh që të jetë gjithmonë e madhe. Dhe mbase kam gjetur personin e duhur që këtë ndjesi të fortë e ka më të madhe se sa unë.
Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›