E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lindje - Perëndim -Lindje”, një udhëtim përtej iluzionit!

Lindje-Perëndim-Lindje; një garë, një udhëtim real, një ëndërr për një jetë ndryshe apo një iluzion?! Po t’i shohësh këto dimensione në një shtrirje lineare, duket se ecet në një kahe dhe ikja nuk ka kthim, sepse në çdo cep të rruzullit janë si orientim pikat e horizontit dhe kudo jetojnë njerëz. Por, nëse bota shihet si një rruzull, fati si një lëmsh dhe ëndrrat si stacione që takohen sa herë që iluzioni, deziluzioni dhe realiteti krijojnë një trinom orientues, atëherë Lindje-Perëndim-Lindje zhvishet nga kuptimi i mirëfilltë dhe rindërtohet si një udhëtim sa jashtë vetes, aq edhe brenda vetes, për ata që lënë pas një sistem të prapambetur dhe përpiqen të përfshihen në një tjetër më të përparuar!
Në këtë kuptim, kahet e lëvizjes nuk janë thjesht pika orientim,i por se marrin vlerat e një hartë rruge! Kineasti Gjergj Xhuvani dhe mjeshtri punëplotë dhe i heshtur modestisht, sot një engjëll në udhëtim, Dhimitër Xhuvani, në filmin e tyre më të fundit me këtë titull: “Lindje-Perëndim-Lindje” kanë përdorur metaforën logjike dhe atë e kanë derdhur në materie pelikulare, duke qendërzuar një sërë udhëtimesh njëherësh. Gjithë këtë për t’i bërë autopsinë një sistemi në “perëndim”(rënie). Për të analizuar shtresëzimin civil dhe humanizmin e njeriut të këtij sistemi, sepse kështu anticipohet një horizont i së ardhmes së tyre, por dhe për t’i hequr realitetit pa kufij, atij jashtë nesh, “maskën” e hipokrizisë, me qëllimin human për të treguar se përtej përkufizimeve politike, pas etikës civile, tej rregullit profan dhe disiplinës ligjore shtrënguese; kudo njerëzit janë njësoj. Ata ndryshojnë në formë dhe në raport me prosperitetin, por se mbeten në themel po ato trajta të homosapjensit, me të mirat dhe të ligat, me dashuritë dhe urrejtjet, me instinktet dhe veset, me xhelozitë dhe sinqeritetin e tyre!

Autorët e filmit i vënë personazhet përballë pështjellimit sa instiktiv, aq edhe veprues: “A duhet bota të matet dhe gjykohet me moral, apo ajo duhet shikuar më në thellësi, do të duhet të rrugëtohet në thelbin e gjërave?! Brenda moralit, cilido qoftë ka mungesa, sepse ai është një marrëdhënie relative, është një kuintesencë shpesh klasore (në regjimet totalitare), por është edhe jogjithëpërfshirëse, sepse kushtëzohet kurdoherë edhe nga niveli kulturor. Në këtë kuptim, gjithnjë mund të kapësh njerëz në gabim, të frikësuar dhe të penguar. Udhëtimi brenda normave morale dhe arratisja prej tyre e ka bashkëshoqëruar njeriun, por enkas kur ndërrohen sistemet ky itinerar krijon valët e sfidave dhe të dilemave.
Njerëzit e shoqërisë komuniste kishin kohë që jetonin të dyzuar, sepse dëshira për të qenë të lirë dhe për të kërcyer ‘përtej gardhit’ të sistemit ishte gatuar gradualisht si vendimmarrëse. Grupi i çiklistëve shqiptar që nisen për një tur çiklistikë në Francë në vitin 1990 (pikërisht në ato ditë fillim-korriku kur njerëzit shpërthyen dyert e selive të ambasadave në Tiranë), lëviz përmes episodeve, kuadrove dhe situatave edhe në pistën e ‘moralit lindje-perëndim’. “Të mbyllur, por jo të vdekur” ishte kumti zyrtar i asaj kohe në Lindje. “Pa paguar çdo cantim”, nuk ke nga vete, qe kumti i Perëndimit të ëndërruar. Ja përse në një moment kulmor gjithçka mblidhet si rreth një boshti dhe shkruan brenda vetëdijes së njeriut të zakonshëm, që do të ketë një fëmijë e për të cilin ikja në Perëndim është mundësia për të gjetur një medikament fertiliteti, që dëshiron të ketë një televizor me ngjyra, sepse deri në atë moment e ka parë botën bardhë e zi, që kërkon liri seksuale (Perëndimi e provoi revolucionin seksual në vitet ‘60-të të shekullit të kaluar), që duhet të sjellë një palë të brendshme joshëse për bashkëshorten që ajo të çlirohet nga ato veshje, që duken sikur janë në armiqësi me instinktin seksual! “Njeri, ik nga vetja, braktise gjendjen ku ndodhesh”. Në këtë kuptim njeriu në natyrën e tij është emigrant. Jeta është e shkurtër, kur matet me metrin e dëshirave! Jeta është e zbrazët, kur i kontrollohet thellësia e saj me lartësinë e ëndrrave! Jeta është e pamjaftueshme, kur ne asnjëherë nuk mbërrijmë të bëhemi ata që duam dhe mbetemi vetëm si ata që dëshirojnë të bëhen! Ky është emigrimi i vërtetë i njerëzve në nevojë, por edhe i njerëzve eksploratorë, i egoistëve dhe atyre që tërë jetën kanë shërbyer pa dinjitet. Të gjithë duan të emigrojnë nga vetja për një tjetër njeri, tjetër identitet, tjetër profil dhe personalitet. 
Pikërisht ky udhëtim është rruga drejt lirisë reale, drejt një lloj energjie që të bën të kuptosh se sa i ndrydhur ke qenë dhe përse ky lloj rrugëtimi është sa i brendshëm, aq edhe i jashtëm, është lehtësues, por dhe ngashëryes! Kjo është vetëdije që të largon nga standardi kolektivist dhe nga mesatarizimi, ku identifikohesh në mënyrë sasiore dhe këtë e quan cilësim identifikues. E para ndodh në Lindje, e dyta është realiteti konsumator në Perëndim! Këtyre njerëzve ju shfaqet pikërisht ky postulat që qëndron përtej së mirës dhe së keqes; “Falsiteti i botës në të cilën besojmë se jetojmë”. E parë me sy, e prekur me dorë, kjo duket për ta gjëja me e sigurt. “Të mos besosh në parimet e rrema”, ky është një nga tjetër rrethet e lëvizjes ekzistenciale. Në Lindje kishte mjaftuar një jetë për ta kuptuar një zhgënjim të tillë; në Perëndim mjaftuan pak ditë për të shijuar të njëjtën gjë, vetëm se në mënyrë më të sofistikuar, kjo falë lirisë për të kuptuar se gjërat ndryshojnë sa hap e mbyll sytë, mjafton që të paguash paratë e hotelit edhe me flori, të korruptosh rojen në kufi me dollar në dorë, të shpërblesh trafikimin ilegal me një varëse floriri; dhe të gjitha këto ‘haraçe’ për t’u rikthyer në shtëpi, paçka se ajo bie në Lindje! Lëvizja Lindje-Perëndim kishte qenë një makth, një jetë për të dalë nga inkubacioni! Itinerari Perëndim-Lindje, një aventurë për t’u rikthyer tek streha e ngrohtë familjare; aq sa vetvetiu të vjen në mendje kumti i hidhur i udhëheqësit të fundit komunist se, “Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim”. 
Ajo mbetej të kish qenë humbëtira e njerëzve pa horizont, pa dimensione, pa busull, njerëz që nuk paskëshin qenë lindorë, por nuk mund të bëheshin edhe perëndimorë! Mallkim i hidhur ky! Filmi i Xhuvanëve e gris këtë farsë dhe në një anatomi antropologjike brenda çdo individualiteti dhe në grupin në tërësi, shpalos një njeri ndryshe nga përcaktimi i politikës zyrtare. Filmi realizon mrekullisht një kriptoudhëtim në shpirtrat e njerëzve të zakonshëm të cilët kanë vetëm një mision: demaskimin e “parimeve të rreme në thelbin e gjërave”! Kjo është energjia që e mban garën e fatit gjithnjë kreshendo, edhe kur pedalojnë, edhe kur ecin, edhe kur flenë, edhe kur mendojnë, edhe kur flasin, edhe kur dashurojnë, edhe kur duhet të gënjejnë, ata duket sikur thonë; “të dalim nga parimet e rreme”! Fillimisht fshehtas në Lindje, ku të tjera gjëra mendonin, të tjera gjëra thoshin, të tjera gjëra bënin! Më tej, ekipi i çiklistëve e bënë të njëjtën gjë në Perëndim, por tashmë hapur. Ky është i vetmi ndryshim! Kjo bën që në këtë rrugëtim ata nuk ndahen, nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ka mes tyre një humanizëm naiv dhe një mirëkuptim të adhurueshëm. Nuk janë heronj, janë njerëz që nuk kanë frikë nga jeta.
 Si të zakonshëm, ata nuk idealizojnë botën, por dëshirat dhe ndjenjat e tyre me qëllimin e drejtpërdrejtë për t’i bërë ato pjesë të prekshme të jetës së tyre. Pikërisht këtu qëndron motivi i fortë dhe energjia e pashtershme e kthimit nga Perëndimi në Lindje, nga jashtë-brenda, nga identiteti fluid në identitetin real. Ata nuk shndërrohen në asnjë rrethanë apo situatë në qenie njerëzore të demoralizuara. Këtë kryemision e mban sa dramatikisht, aq edhe në një paqe civile përballë sfidave dhe përgjegjësive, drejtuesi i grupit, interpretuar mjeshtërisht nga Ndriçim Xhepa dhe sjellja e tij, sajë kujdesit regjizurial, e gjejmë të injektuar sikur lëviz në enë komunikuese tek i gjithë grupi i protagonistëve. 

Dinamika filmike e të vepruarit është ndërtuar aq natyrshëm, saqë pa e kuptuar si spektatorë hyn edhe ti në atë udhëtim. Kthimi mbi biçikletë dhe hyrja në “borderin pa kufi” të vendit (duket sikur në mënyrë ironike ish-Lindja po ja kalonte Perëndimit për lëvizjen pa pengesa kufitare, në fakt ishim në kohën e vakuumit, një vend pa shtet, një popull nën idealizëm anarkik), rezultoi as si garë e fatit, as si garë sportive. Ajo u soll për ta dhe për mijëra të tjerë shqiptarë qysh aso kohe e deri në ditët tona, si rrugëtimi iluzion-deziluzion! “Krijesat njerëzore të trishtuara thellë tradhtojnë vetveten kur janë të lumtura”. Duket sikur ky lloj kujdesi dhe akomodimi nuk është për ta as në Lindje, as në Perëndim! Mbi ta ka një autoritet. Ai mund të jetë ideologjik (të ktheheni me trofe), ai mund të jetë financiar (pa paguar çdo cantim në ‘botën e lirë’ edhe kur je i braktisur nga shteti yt nuk bën dot as edhe një hap), mund të jetë represiv diktatorial (dera e lemes-ose burgu në komunizëm), mund të jetë edhe me uniformë ushtarake. Në Lindje vijohej të qëllohej me armë ndaj armikut imagjinar, por askush nuk trembej më, ndërsa në Perëndim nuk qëllohej me armë, por uniforma ushtarake të frikësonte edhe kur vishej nga një grua! Udhëtimi nuk ndalet, bota lëviz dhe ndryshon, pavarësisht nga pozicioni gjeografik. Ndodh kështu, sepse kudo njerëzit janë preh dhe subjekt i dëshirave dhe interesave! “O sancta simplicitas”! 

Ky lloj deheroizimi në këtë film duke fiksuar të thjeshtën, njerëzore, e sjell veprën në fjalë mjaft të besueshme. Ikja nga burgjet e sistemeve, nga klishetë e heronjve, nga deklamimet moralizuese, nga triumfet lavdëruese, e ndihmojnë jo vetëm filmin, por çdo art tjetër të humanizohet. Ndryshe nga dy filmat e tjerë të Gjergj Xhuvanit, “Parullat dhe “I dashur Armik”, “Lindje-Perëndim-Lindje” mjeshtërisht ka vënë në qendër kryeinstitucionin njeri! Ai tregon me mjete filmike bindëse se në çfarë falsifikimi dhe thjeshtësie të rrallë jeton qenia njerëzore. Kur njeriu arrin të kuptojë këtë mrekulli të thjeshtë të përditshme, ai habitet në formën e një filozofie naive. Personazhet duket sikur herë hapur, herë në brendësinë e tyre, vetëkontrollohen dhe vetëprovohen në provimin e thjeshtë me temën jetësore; “Sa të qartë, sa të lirë, të lehtë dhe të kuptueshëm e kemi bërë gjithçka që na rrethon”. Sa të zotë kemi qenë për t’i dhënë ndjenjave tona një leje kalimi për gjithçka që duket e përciptë, por është jetësore... Bota e thjeshtëzuar mund të duket artificiale, naive, timide, dhe baritore (filmi i ruan mrekullisht këto tone ndjenjësore), por kudo dhe në çdo kohë në Lindje apo në Perëndim, apo “rrugës së pa identifikuar”, ajo ndreqet me poezinë prozaike të jetës! Thjesht, sepse qenia njerëzore do jetën, të ruajë atë që ka dhe ta ripërtërijë si më të prospertë. Vetëm kur e sheh botën dhe “i sillesh asaj përqark”m e kupton se “hipokrizia është e botës”. “Artificialiteti është në moralin e shtirur” (ndryshon vetëm kozmetika e komunikimit), në Perëndim ta thonë me një ftohtësi cinike, në Ballkan me një harbutëri të mendjemadhësisë provinciale. Bota mund ta shtjerë njeriun në gabim me apo pa dëshirën e tij. I gjithë ky kurth është thjesht mekanizmi se si e sheh njeriun, si e gjykon njeriun, si e vlerëson njeriun, si njeri apo si objekt të hipokrizisë morale!

“Çdo shpirt, thellë ka nevojë për një maskë, madje përreth çdo shpirti të thellë rritet vazhdimisht një maskë në sajë të interpretimit të shtrembër, dhe pra të përciptë të çdo fjale, të çdo hapi, të çdo shenjë që ai jep”. (Friedrich Nietzsche, “Përtej së mirës dhe së keqes”, faqe 43). Edhe ky kumt vjen natyrshëm në filmin “Lindje Perëndim-Lindje”. I parë në këtë shteg filozofik, për dikë tjetër mund të quhet; “Perëndim-Lindje-Perëndim” ose “Jug-Veri-Jug”, etj. Në këtë këndgjykim, tema nuk jep një peizazh të targetuar provincial dhe nuk fotografon thjesht një segment kohor të certifikuar që risillet për nostalgji. Fabula filmike, filozofikisht mund të shpjerë përmes një vertikaleje virtuale deri në mitologji dhe mund të të ngjisë lart në ditët tona dhe në ato që priten të vijnë. Qenia e gjallë do jetën dhe thelbin e saj e kërkon duke njohur botën. Ky binom mund të jetë Lindje-Perëndim, por mund të jetë edhe Perëndim-Lindje. Njeriu kthehet atje nga është nisur pasi shuan kureshtjen për ta njohur ose parë botën. Të paktën që nga kryheroi i udhëtimit që lëvizi në itinerarin; “ikje-luftë-eksplorim-kthim”! Ky është heroi mitik Udhësi! Si i tha mentorit Odhiseu (udhësi): “dua të kthehem në shtëpi, por dua edhe ta njoh botën”. Njerëzit e thjeshtë të sistemit të mbyllur komunist rrugëtojnë mes kufijve, takojnë e njohin administrata kufitare, kostume ushtarake, disiplina formale dhe në këtë kuptim, bota vjen si një peizazh global për të gjithë, për ata dhe për ne që mbërthehemi tek ekrani i madh. A mos vallë vetëm ciganët, njerëzit pa atdheun natal (larg tij prej një mileniumi), janë njerëzit më të lirë, apo ata kanë atdhe “lirinë pa kufij”!? Skenari dhe regjia e gjen mjaft natyrshëm këtë pikë zgjidhje që e lejon udhëtimin Perëndim-Lindje të vijojë. Takimi me çiftin cigan dhe dalja nga RF Jugosllave është një episod sa logjik, po aq edhe funksional. Kalojmë atë që duket dhe shtiret si e pakalueshme. Jemi po ne që duam ta kryejmë atë, janë po ata që na pengojnë.
Kjo është gara e vërtetë! Gara e jetës ku kënga e këmbanës së saj është e vargëzuar dhimbshëm në fjalët: “Bota e pranon të gënjeshtrën me maskë, bota nuk e pranon të vërtetën e çiltër dhe genuine”. Atëherë edhe ne po gënjejmë! Edhe realitetet sociale janë të ngjashëm, në një farë kuptimi, nëse ata i shohim si material njerëzor. Kjo, sepse kudo, qoftë në Lindje, qoftë në Perëndim, ’e vërteta’ dhe e ‘vlefshmja’ kanë të bëjnë me atë që beson shumica. Në një vetëdije të padiferencuar, gjykimet empirike apo paragjykimet lëvizin duke u bërë të zbatueshme për të tjerët dhe anasjelltas. Filmi mjeshtërisht vë në dukje peizazhin njerëzor në një vend të izoluar mes momenteve të përcjelljes së çiklistit të fshatit me ceremoni naive, përballë atij në Perëndim ku njerëzit mediokër pozojnë artificialisht përpara aparatit fotografik vetëm e vetëm që në shpinë të tyre të duken monumentet kulturore historike. Edhe ata janë në udhëtim, por konsumizmi i tyre duket si më civil, vetëm se në çdo rast ai paguan! Vetëdija e padiferencuar është kudo, ajo nuk takohet vetëm në ish-Lindje, gjendet me shumicë edhe në Perëndim, dallimi qëndron thjesht në peizazhin urban dhe disiplinën e jetës komunitare. Ajo çka mbetet e pandryshuar tek ‘këta eksploratorë pa fat’ është ndërgjegjja. Intuitivisht, duke ndjekur besnikërisht realizmin e ngjarjeve, autorët i lënë protagonistët me një ndërgjegje kolektive si në segmentin Lindje-Perëndim dhe në atë Perëndim-Lindje. I vetmi që nuk kthehet është ai të cilit i ra sistemi. Ai ikën, sepse nuk ka ndërgjegje fare si njeri në shërbim të krimit anti-liri! Të tjerët nuk diferencohen në ndërgjegje dhe fate individuale, çka tregon se itinerari Lindje-Perëndim për ta shndërruar mentalitetin lindor në mentalitet perëndimor në prizmin e institucionalizimit është më i vështiri, më i gjati dhe ai që vijon edhe sot e kësaj dite, fatkeqësisht ende me shumë viktima dhe shumë të zhgënjyer! “…Ndërgjegjja individuale është gjithmonë fortësisht e diferencuar dhe më e gjerë. Madje, sa më e gjerë që bëhet, aq më shumë ndryshime ndjen dhe aq më shumë arrin të emancipojë veten nga rregullat kolektive, në mënyrë që t’i jap udhë zhvillimit të lirisë empirike të vullnetit në përputhje me zgjerimin e vetëdijes!” (Carl Gustav Jung, “Mbi psikikën njerëzore” botimi shqip, faqe 86.) Ikja me frymëzime iluzive, si individ, si grupe apo si turma vijoi edhe pas vitit 1990. Vijon edhe sot, dhe një kripto-ëndërrim qëndron në përgjim për të marrë vizën e ikjes që konsiderohet si viza e fatit. Lindje-Perëndim-Lindje, bazuar në ecurinë e këtyre dy dekadave tek ne, gjen bindje bazuar në argumente statistikor dhe në tragjedi individuale; se mbetet një rreth i mbyllur i njerëzve pa horizont, të zhgënjyer nga pafuqia dhe të rigënjyer nga mirazhi Perëndim! Këto janë të vërteta që pranohen më në fund edhe nga “kokat e rëndomta”. Duket se njerëzimi ka mbetur peng tek verdikti aristotelian që thoshte se, “vëmendja e njerëzve duhet jo që të shijohen kënaqësitë e jetës, por të këqijat e panumërta, për të gjetur mënyrën si t’u largohemi atyre, të paktën brenda kufijve të mundshëm”. E sjell këtë kumt në realitetin e shoqërisë borgjeze Volteri, me thënien e mprehtë dhe të pakonsumuar, madje as edhe nga “qeniet e Lindje-Perëndim-Lindje”; (përtej atyre të filmit, është fjala për të gjithë ata që bien të flenë dhe zgjohen më këtë ëndërr-makth, madje në breza dhe në ndjekje të saj sakrifikojnë çdo gjë shpesh, edhe jetën)! “Le bonhuer n’est qu’un rêve, et la douleur est réelle”!(Lumturia nuk është veçse një ëndërr, dhimbja është e vërtetë).
* * *
Filmi ka një sens optimizmi dhe humori, jo për ta rrumbullakosur fatin dhe realitetin, por për të ironizuar me sistemin diktatorial. (Le të kujtojmë filmin italian “Jeta është e bukur”!). Luhet mjeshtërisht me këndvështrimet që arkitekton kamera, gjen emocion me raportet fizike e shpirtërore (skenat seksuale janë mjaft të arritura, më në fund pamë një situatë të tillë të besueshme dhe personazhet duken njerëz realë), qëmtohet një pluralitet njerëzor që shpërfaqet natyrshëm me relievizimin e personazheve, të cilët të japin mundësinë që të shohësh si mozaikun njerëzor, ashtu dhe çdo pjesë të tij. Lindje-Perëndim-Lindje sillet edhe si pazëlli i njerëzve kudo ku jetohet. Njeriu, ky univers që frymëzon në çdo rrethanë!
Xhuvani i riu, Gjergj, me këtë film hyn përfundimisht tek kineastët e pjekur dhe tash e tutje çdo krijim i tij nuk mund të shohë pas. Xhuvani mjeshtër, Dhimitër, me këtë bashkëpunim në skenar tregoi se ai kishte mbetur i fundit nga ajo plejadë skenaristësh si P.Dado e V.Korreshi që e ndërtuan këtë themel të filmit shqiptar. Do të na mungojë pena e tij fisnike. Më shumë do ta ndiejë Gjergji, që tash e tutje do të jetë Xhuvani i vetëm përballë sfidës! Udha është e hapur, dhe si kinematografi e realizuar ajo udhëton vetëm Lindje-Perëndim! Faleminderit Xhuvanëve, At e bir!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›