E Diel, 1 Nëntor 2026

“Paqe” në Durrës, Tirana merr e vetme kryesimin

DURRES- Tirana ka barazuar 1-1 me Teutën në “Niko Dovana” të Durrësit, duke marrë përkohësisht vendin e parë në Superligë. Pas ndeshjeve të kombëtares, kampionati shqiptar ka startuar sot javën e tretë, me një “big-match” të luajtur në Durrës. 

Një sfidë që ka dhuruar shumë momente pikante për shkak të grintës së ekipeve, ndonëse loja nuk u ngjit asnjëherë në nivelet që pritej. Teuta luante ndeshjen e parë pa Hasan Likën dhe me Gentian Begenë në stol, ndërsa ekipi durrsak nuk arriti të gjente fitoren pas disfatës 4-1 me Luftëtarin. Ajo luante ndeshjen e parë para tifozerisë së saj, pasi deri më tani ka luajtur dy transferta mjaft të vështira. Sa i përket takimit, vendasit gjetën rrugën e golit që në minutën e pestë me anë të Erald Deliallisit me një goditje potente. 

Tiranën e kapi një “shock” i vërtetë, por në pjesën e dytë trajneri Alban Tafaj i ndërroi fytyrën ekipit edhe pse Ansi Nika i Teutës pati shënsin më të mirë për të realizuar. Pas 20 minutash, ishte Julian Ahmataj ai që realizoi golin e barazimit për Tiranën. Megjithë dëshirën e të dyja skuadrave, rezultati nuk ndryshoi deri në momentet e fundit. Superliga do të vijojë të shtunën me ndeshjet Apolonia-Kukësi dhe Bylis-Skënderbeu, ku këta të fundit do të kërkojnë të marrin të vetëm kreun.

SUPERLIGA
Sot
Teuta-Tirana 1-1
Nesër
Apolonia-Kukësi
Bylis-Skënderbeu
16.09
Tomori-Flamurtari
Shkumbini-Besa
Vllaznia-Luftëtari
17.09
Laçi-Kastrioti
(A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›